1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Hutbeja e urtësive të muajit shaban – Sedat Islami

Më të lexuarat

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç Allahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.

Besimtarë të nderuar!

Ndonëse Allahu i Madhëruar veçoi muajt e shenjtë edhe me përmendje në Kur’anin Famëlartë, megjithatë kjo nuk përcakton që muajt tjerë të mos kenë vlerë. Dhënia pas Rexhebit, muajit të shenjtë që lamë pas, dhe Ramazanit, muajit në vigjilje të të cilit jemi tani, sikur ka lënë nën hije pakëz Muajin Shaban, vlera e të cilit vërtet meriton qasje serioze. Një anashkalim të tillë, qartë, e përmend edhe Resulullahi, alejhi selam.

Për t’i kontribuar sadopak fesë së Allahut të Madhëruar, emërtova këtë hutbe “HUTBEJA E URTËSIVE TË MUAJIT SHABAN” duke synuar thelbësoren e jo formalen, mësimin e jo retorikën, këshillën e jo adetin. Kjo për faktin se formalitetet na shkatërruan. Sa shumë njerëz shihje tek përmendnin “Natën e Madhe të Israsë dhe Mi’raxhit”, për të cilin kishin përgatitur hallve e mish, por sa të paktë ishin ata që në atë natë pendoheshin dhe vinin në xhami për të filluar një faqe të re të jetës me porosinë më madhështore të Israsë dhe Miraxhit, me namazin, braktisja e të cilit tregon qartë formalitetin e muslimanëve në kremtimin dhe shënimin e këtyre ditëve. Sikur tërë ata që festojnë këtë natë të ktheheshin dhe ta falnin namazin, sigurisht se vetëdijesimi fetar islam nuk do ishte ky që kemi e shohim çdo ditë. Ndaj;

Vëllezër besimtarë!

Sot, kur jemi tubuar në këtë shtëpi të Allahut të Madhëruar për ta kryer namazin tonë javor, xhumanë, le të ndalemi bashkërisht dhe ta flakim përgjithmonë perceptimin teorik dhe përkufizimin në të të aspekteve fetare. Islami nuk do njerëz sezonal në besim e veprim. Islami nuk do kundërthënie në mes fjalëve dhe veprave të njeriut. Islami nuk porositë sekondaret para primareve. Islami, shkurt e shqip, kërkon praktikën dhe thelbin e gjërave. Një muaj si Shabani që ka veçori të pakontestuara të kalojë tek muslimanët me një darkë a drekë “memoriali”, është mjerim mbi mjerim. Kështu vdisen parimet fetare, dhe sa herë që ndodh kjo, lind një risi, që shpien drejt humnerës.

Xhematlinj të nderuar!

Urtësitë e këtij muaji që në shpirtrat tanë të njollosur me mëkate e padrejtësi ndaj vetvetes do të duhej lënë gjurmë të pashlyera, përveç tjerash, janë dy.

E para: Fletushka ngritet.

Transmeton Nesaiu nga Usame bin Zejdi, i cili thotë:

“I thashë: O i Dërguari i Allahut! Nuk të kam parë të kesh agjëruar në muajt tjerë siç po të shoh në Shaban. (I Dërguari) tha: Ai është muaj, në mes Rexhebit dhe Ramazanit, që e anashkalojnë njerëzit (janë neglizhent ndaj tij); në të ngriten veprat tek Zoti i botëve andaj unë kam dëshirë që vepra ime të ngritet vepra ime duke qenë unë agjërueshëm.”

Pejgamberi, alejhi selam shumë bukur sqaron se njerëzit duke menduar Rexhebin si muaj të shenjtë mendojnë se agjërimi dhe veprat fakultative në të janë më të mira se sa veprat në Shaban, për shkak të pozitës së tij ndërmjet Rexhebit dhe Ramazanit. Këtu Muhamed Mustafaja solli një arsye të mos anashkalimit të këtij muaji. Ajo është: Ngritja e veprave tona tek Allahu i Madhëruar.

Vëllezër të respektuar!

Edhe një herë po e përsëris “Ngritja e veprave tona tek Allahu i Madhëruar” bëhet në këtë muaj, andaj, si ndien gëzim ai që Allahut të Madhëruar tërë vitin i ka bërë mëkat dhe tani kur koha vjen që vepra e tij, si tërësi, të ngritet tek Ai për të pasuar më pas llogaria? Si mund ta shënojë “Natën e Beratit” kur ai vetëm atë ditë deri në mbrëmje mbushi bagazhin përplot me mëkate?!

Nëse veprat tona po u ngritkan tek Allahu i Madhëruar në këtë muaj, atëherë duhet kuptuar edhe se Ramazani, në Natën e Kadrit, bën edhe caktimin vjetor të çdo gjëje, e edhe të vdekjes. Kështu, nëse vdekja po u caktuaka për afatin një vjetor, atëherë ka gjasa që herën e ardhme ne të mos jemi fare dhe shansi për ta pritur Rexhebin e shenjtë dhe Ramazanin e Bekuar të mbetet vetëm dëshirë. Vdekja është ajo që të ndan nga pasuria, nga gruaja e fëmijët, nga shoqëria e farefisi… Vdekja ajo që të vjen befas dhe të zë të papërgatitur…

E dyta:

Porosia e dytë që buron nga ky muaj ka karakter fetar dhe social. Them fetar për arsye se i privuari nga mëshira e Allahut të Madhëruar është ai që i largohet fesë. Ndërsa aspekti social shprehet atëherë kur shikojmë se Allahu i Madhëruar nuk mëshiron njeriun që mbjell armiqësi e urrejtje në mesin e njerëzve. Pejgamberi, alejhi salatu ve selam ka thënë:

“Allahu, në natën e 15-të të muajit Shaban, shikon krijesat e Tij dhe ua falë mëkatet të gjithëve, përveç atij, që ka bërë kufër (pabesim) dhe atij që ka bërë armiqësi.”

Pabesimi është i qartë, ndërsa padrejtësia më së shumti shprehet në padrejtësinë që njeriu ia bën vetvetes me mëkate e tradita ta papranuara. Të shpikësh forma lutjesh e adhurimesh në këtë muaj që Muhamedi, alejhi selam nuk i praktikoi, është padrejtësia ndaj vetvetes.

Ali bin Ibrahimi ka thënë: “Nga gjërat që janë shpifur në natën e 15-të të muajit Shaban është edhe namazi njëqind rekate me nga dhjetë-dhjetë, dhe atë në xhemat. Për këtë janë interesuar më shumë sesa për xhumatë dhe bajramet, ndërsa për këtë nuk është transmetuar asnjë citat i vërtet… Ky namaz për herë të parë është shpikur në Palestinë, në Kuds, në vitin 448 sipas hixhrit. Imamët këtë namaz dhe atë të Regaibit i kishin bërë si grep për t’i mbledhur njerëzit e rëndomtë në mënyrë që ta siguronin udhëheqjen dhe të fitonin para. Pastaj, në shekullin e IX, Allahu udhëzoi prijës, të cilët e shkatërruan këtë shpikje.”

Ndaj, konsiderojmë se me të drejtë ka konstatuar Pejgamberi, alejhi selam se: “Tërë Umeti im hyjnë në xhenet përveç atyre që refuzojnë. Thanë: O i Dërguari i Allahut: E kush refuzon? (Ai) tha: Kush më respekton mua hyn në xhenet, e kush më kundërshton veç ka refuzuar (hyrjen në xhenet).”

Muslimanë të nderuar!

Përkujtojeni Allahun, faleni namazin dhe dërgoni salavat mbi Muhamedin, alejhi selam, që Allahu dhe i Dërguari i Tij të jenë të kënaqur me ne!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit