0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Asgjësuesi i moralit

Më të lexuarat

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Tek njerëzit janë përhapur zakone të këqija dhe sjellje të shëmtuara, të cilat vetë ata i kanë zgjedhur si zakone, pa të cilat nuk mund të rrinë dot, me përjashtim të atyre të cilët i mëshiroi Allahu. Për shkak të mos braktisjes së tyre ato janë bërë vrasëse të moralit, zakone këto të cilat përdoren nga njerëzit më me pavlerë. Ata nuk i veprojnë këto zakone e veprime vetëm se kur mungon apo nuk është i pranishëm ai i cili synohet me to, e, sigurisht, kur i dobësohet besimi.

Zakone të cilat janë si helm, që nëse do të përzihej me ujin e detit, do ta kishte prishur, derisa deti të bëhej i qelbur. Zakone të cilat janë si artikuj me çmime shumë të ultë. Nuk punojnë me këtë tregti vetëm se njerëzit me karakter të ulët e të dobët. Ndëshkimi për to është nga ndëshkimet më të mëdha. A e di se cila është një prej tyre? Atëherë dëgjo hadithin e Profetit (alejhi selam) i cili ka thënë: “Kur u ngrita në qiell, kalova pranë një populli të cilët kishin thonj prej bakri dhe që gërvishtnin fytyrat e gjokset e tyre. Thashë: ‘Kush janë këta, o Xhibril?’ Tha: ‘Ata janë ata të cilët hanë mishin e njerëzve…’.”

Padyshim që e kuptuat se për çfarë bëhet fjalë, ai është përgojimi që kudo që është futur, në çdo shoqëri, vetëm se ka prishur.

Me keqardhje themi se ai përhapet shumë shpejt. A e dini se përse? Sepse çmimi i tij është shumë i lirë, sikurse që thamë më lartë. Nuk kushton asgjë, mjafton që të jesh i vëmendshëm në kërkimin e gabimeve të njerëzve dhe mangësive të tyre.

Për këtë arsye, përgojuesi është nga njerëzit më të poshtër dhe më me pavlerë. Ai është si miza që braktis vendin e pastër dhe qëndron në plagë e pisllëqe. Ai nuk ka vend në shoqërinë e shëndoshë, shoqëri e cila shikon apo përkujton Allahun para se të shprehet apo të veprojë, e që gjithsesi është larg veprave të këqija dhe të ndaluarave.

Përgojimi mund të ndodhë me fjalë, gjeste apo çdo gjë tjetër e keqe që kuptohet për tjetrin. Në një hadith të saktë Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Tek ne hyri një grua, kur ajo doli bëra me shenjë se ajo është e shkurtër. Atëherë Profeti (alejhi selam) tha: ‘E përgojove atë’.” Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “The një fjalë që nëse do të përzihej me të uji i detit, do të prishej.”

Shkaqet e përgojimit

Ibën Tejmija (Allahu e mëshiroftë!) duke përmendur shkaqet e përgojimit shprehet se ato janë:

-E bën këtë për të qenë si shokët e tij përgojues. Personi mendon se nëse nuk vepron si ata, do të jetë i ndryshëm prej tyre.

-Përgojon njerëzit me qëllim për të ulur vlerat e tyre, duke synuar me këtë ngritjen e vlerave të tij. Për këtë arsye kur përgojon, përgojimin e tij e bën sikur të jetë fetar apo e paraqet atë sikur të jetë i çuditur, apo në formën e mërzitjes e hidhërimit. P.sh.: thotë duke qenë shumë i mërzitur se si e bëri filani këtë, apo thotë se jam shumë i mërzitur se filani bëri kështu e ashtu…

Çfarë nuk konsiderohet përgojim

Dijetarët mendojnë se nuk konsiderohet përgojim përmendja e personit në mos prezencën ne tij kur:

– ankohemi për padrejtësinë e personit tek ai i cili mund ta largojë këtë padrejtësi;

– personi përshkruhet me disa cilësi të tij, të cilat e bëjnë atë të njihet vetëm me këto cilësi;

– paralajmërojmë dikë për një person prej të cilit paraqitet rrezikshmëri;

– flasim për personin i cili vepron gjynahe në sy të njerëzve dhe nuk turpërohet prej tyre, pra i reklamon vet gjynahet;

-flasim tek personi që kërkojmë fetua;

– kërkohet ndihmë, në rast rreziku që i paraqitet nga personi.

Gjithsesi, përgojimi është një nga asgjësuesit më të rrezikshëm të moralit dhe shërimi për të është pendimi dhe kthimi tek Allahu i Lartësuar. Për të Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit, dhe mos përgjoni njëri-tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i Allahut, e Allahu është Mëshirues, Ai pranon shumë pendimin.” Huxhurat, 12.

Përgatiti: Erion Sulo

Burimijetes.com

11.07.2007

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit