Janë dënuar me 86 vjet burg në total gjashtë të akuzuarit për rrëmbimin e Azem Morinës nga Gllareva e Klinës. Gjithashtu, për pesë javë mbajtje peng të biznesmenit të njohur në vitin 2010 dhe kërkim haraç prej 3 milionë eurosh, Bedri Krasniqi, Dervish Idrizaj, Hamdi Krasniqi, Ahmet Neziraj, Himë Krasniqi, Ilmi Lufaj dhe Selman Gashi janë dënuar në përgjithësi edhe me 1.120 milionë euro gjobë.
Bedri Krasniqi konsideronte se mund të fitonte shumë para duke i qitur haraç familjes Morina nga Gllareva e Klinës.
Këtë e bëri duke e rrëmbyer kryefamiljarin e tyre, Azem Morinën, në shtator të vitit 2010.
Por, në vend të milionave që kërkoi për kokën e biznesmenit të njohur, Bedri Krasniqi mori diçka tjetër.
Pas javësh të tëra të mbajtjes peng, ai u arrestua nga policia, kurse të enjten brenda burgut të Dubravës përfundoi procesi gjyqësor ndaj tij dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë rast.
Kështu, Bedri Krasniqi, në vend të parave, të enjten mori shumë vite burg.
Ai u shpall fajtor dhe u dënua me 17 vjet heqje lirie nga një grup gjyqtarësh të EULEX-it dhe vendorë.
Në këtë proces, Krasniqi u dënua së bashku edhe me gjashtë persona tjerë, të cilët u gjetën fajtorë se kishin rrëmbyer biznesmenin Azem Morina, pronar i firmës “Gllareva”.
Në sallën e gjykimeve brenda burgut të Dubravës, vitet me burg Krasniqit iu shqiptuan pasi u gjet fajtor nën akuzën për krim të organizuar dhe armëmbajtje pa leje.
Përveç viteve me burg, atij iu shqiptua edhe dënimi prej 200 mijë euro gjobë.
Bashkë me Krasniqin janë dënuar edhe personat që kishin qenë pjesë e grupit.
Dervish Idrizaj nga fshati Kodrali i Deçanit është dënuar me 13 vjet burg dhe me 170 mijë euro gjobë.
Hamdi Krasniqi, vëllai i Bedri Krasniqit, është dënuar me 11 vjet burg dhe 150 mijë euro gjobë.
Ahmet Neziraj nga fshati Gllogjan i komunës së Deçanit është dënuar me 15 vjet burg dhe me 150 mijë euro gjobë.
Himë Krasniqi nga Peja është dënuar me 10 vjet e gjysmë burg e po ashtu me 150 mijë euro gjobë.
Selman Gashi nga Broliqi i Deçanit dhe Ilmi Lufaj nga fshati Strellc i Ulët, komuna e Deçanit, janë dënuar me nga 10 vjet burg dhe me nga 150 mijë euro gjobë secili. Dënimin me 17 vjet burgim për Bedri Krasniqin e konfirmon për Express edhe avokati i tij Mahmut Halimi.
Sipas avokatit, klienti i tij dhe të gjithë personat e tjerë janë shpallur fajtorë për krim të organizuar dhe armëmbajtje pa leje.
Këto dënime i konfirmon për Express edhe avokati Haxhi Cekaj, i cili mbronte të akuzuarin Ahmet Neziraj.
Sipas avokatit, klienti i tij është dënuar me 15 vjet burg dhe me një gjobë prej 150 mijë eurove.
Të gjithë këta të akuzuar ndodheshin në paraburgim që nga viti 2010, kur u arrestuan vetëm disa ditë pasi biznesmeni Azem Morina ishte liruar nga kidnapuesit.
Ai kishte qëndruar i rrëmbyer për pesë javë.
Prokurori i ka akuzuar ata se si grup i organizuar kriminal së bashku edhe me personat e tjerë, duke i ndarë rolet me qëllim që t’i sillnin vetes përfitim pasuror të kundërligjshëm, kanë rrëmbyer biznesmenin Azem Morina, duke e dërguar fillimisht në fshatin Baran të komunës së Pejës.
Gjithçka kishte filluar në shtator të vitit 2010, kur biznesmeni Morina ishte rrëmbyer derisa shkonte në punë, ndërsa familjes rrëmbyesit i kërkonin tre milionë euro haraç. Sipas deklaratave të Morinës në prokurori, kidnapuesit i kërkonin atij 3 milionë euro për ta liruar, shumë që ai mund ta paguante edhe në këste.
Më 31 tetor të atij viti, grupi i kidnapuesve e kishte lënë Morinën të lirë diku në periferi të Prishtinës.
Më pas, Policia e Kosovës kishte arrestuar gjashtë veta.
Pas një pune hetimore të Policisë për Krime të Rënda ishin vënë në pranga Ahmet Neziraj, polic i Kosovës nga Gllogjani, Faik Lulaj, Ilmi Lufaj, Gazmend Sylaj, Selman Gashin dhe Himë Krasniqi.
Më vonë policia kishte arrestuar edhe Bedri Krasniqin, Dervish Idrizaj dhe Hamdi Krasniqi.
Bedri Krasniqi ishte i kërkuar me urdhër-arrest të lëshuar nga Drejtoria e Burgut të Dubravës qysh nga 1 dhjetori i vitit 2008 për arratisje nga ky burg, ku po vuante dënimin me 27 vjet për vrasjen e policëve Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj në vitin 2003.
Gjykatësi i EULEX-it nga Gjykata Komunale në Pejë kishte konfirmuar aktakuzën kundër tyre në korrik të vitit 2011.
Në lidhje me hetimin e njëjtë, tre të akuzuar të tjerë, Muhamet Bojkaj, Ali Bojkaj, Gazmend Sylaj, u akuzuan dhe pranuan fajësinë e tyre për posedim, kontroll dhe përdorim të paautorizuar të armëve.
Rasti ishte nën mbikëqyrjen e Prokurorit të Kosovës nga Zyra e Prokurorisë Speciale.
Ky proces kishte filluar në shtator të vitit të kaluar duke përfunduar të enjten me shpalljen e aktgjykimit.
Të dënuarit
Bedri Krasniqi-17 vjet burg, 200 mijë euro gjobë (si dhe dënimi i tij me 27 vjet burg për vrasjen e në vitin 2003 të policive Isuf Haklaj e Sebahate Toilaj)
Dervish Idrizaj- 13 vjet burg dhe 170 mijë euro gjobë.
Hamdi Krasniqi (vëllai i Bedri Krasniqit) – 11 vjet burg dhe 150 mijë euro gjobë.
Ahmet Neziraj – 15 vjet burg dhe 150 mijë euro gjobë.
Himë Krasniqi – 10 vjet e gjysmë burg e 150 mijë euro gjobë.
Selman Gashi – 10 vjet burg dhe 150 mijë euro gjobë secili.
Ilmi Lufaj -10 vjet burg dhe 150 mijë euro gjobë
/expres/kohaislame