Është zbuluar një bazë e fshehtë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bëhet e ditur se kompleksi ushtarak në Arabinë Saudite përdoret për mjetet ajrore pa pilot.
Kjo bazë, ndërtimi i të cilës ka filluar në vitin 2009, është ngritur për të eliminuar militantët e Al-Kaedës, që ushtrojnë aktivitete terroriste në Gadishullin Arabik, veçanërisht në Jemen, bëjnë të ditur burime mediatike amerikane.
Në sulmin e organizuar në vitin 2011 me avionë të telekomanduar, që janë ngritur në fluturim nga baza në Jemen, është vrarë Enver El-Evlaki, emër kyç në drejtimin e segmentit të organizatës terroriste Al-Kaeda në Jemen, theksojnë të njëjtat burime.
Krahas El-Evlakit, i cili ishte një dijetar fetar i lindur në SHBA, në këtë sulm kanë humbur jetën gjithashtu djali i tij 16-vjeçar dhe një tjetër shtetas amerikan.
Autoritete të Uashingtonit pohuan se kjo bazë e fshehtë është përdorur për herë të parë në operacionin e vrasjes së Enver El-Evlakit.
Zbulimi i kësaj baze vjen brenda pak kohe nga rrjedhja e një informacioni të klasifikuar nga Departamenti amerikan të Shtetit, incident për të cilin është nisur një hetim zyrtar.
Mediat amerikane ishin në dijeni të ekzistencës së kësaj baze, që është ndërtuar midis viteve 2009-2011, por vendosën që të mos raportonin me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë.
Zbulimi i bazës vë në situatë të vështirë veçanërisht Mbretin e Arabisë Saudite, Abdullah, i cili është zotuar publikisht për paanësi dhe mosndërhyrje në krizat e vendeve fqinje të rajonit.
Pas zbulimit të ekzistencës së bazës sekrete e gjithë vëmendja është përqendruar mbi Xhon Brenënin, i paraqitur si kandidat nga Presidenti Obama për postin më të lartë të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA), sepse në ato vite Brenën ishte një funksionar i lartë i CIA-s përgjegjës për Arabinë Saudite.
Shtypi amerikan thekson se është pikërisht Brenën ai, që i ka bindur autoritetet saudite për ngritjen e bazës së fshehtë.
Ish-këshilltari i Obamës për luftën antiterror dhe kandidati aktual për kryesinë e CIA-s sot do t’u përgjigjet pyetjeve të senatorëve në një seancë dëgjimore.
Në këtë audiencë, që planifikohet të zgjasë disa orë, Xhon Brenënin, i njohur si kutia e sekreteve të Presidentit Obama, e pret një ditë e vështirë për shkak të detyrave të tij në operacionet e mëparshme.kohaislame