-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Rusia ndër “shkelësit më të këqij” të lirisë fetare

Më të lexuarat

Një komision i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara mbi lirinë fetare rekomandoi që Rusia të emërtohet si “vend i shqetësimit të veçantë”, duke e vënë atë në një grup me shkelësit më të këqij të lirisë fetare në botë.
Komisioni i SHBA-së për Lirinë Fetare Ndërkombëtare tha në raportin vjetor se rekomandon, për herë të parë, që Rusia të njihet si shkelëse ligjore, së bashku me 15 vende të tjera.
Komisioni tha se Rusia është unike në mesin e vendeve të tjera, sepse është shteti i vetëm jo vetëm që “intensifikon vazhdimisht shtypjen mbi lirinë fetare”, por edhe zgjeron politikat e saj shtypëse në territorin e një shteti fqinj – një referencë kjo për gadishullin ukrainas të Krimesë, të cilin Moska e ka aneksuar në vitin 2014.
Raporti po ashtu përmend një ligj të vitit 2016, i cili, siç thuhet, penalizon në mënyrë efektive të gjitha fjalimet private fetare, që nuk janë lejuar nga shteti.
I njohur si Ligji Yarovaya, ai shtrëngon kufizimet e aktiviteteve të grupeve fetare, posaçërisht grupet e vogla siç janë mormonët dhe disa sekte të krishtera.
Raporti përmend edhe një vendim të Gjykatës Supreme të Rusisë, këtë muaj, i cili imponoi një ndalim mbarëkombëtar të Dëshmitarëve të Jehovait.
Kryetari i Komisionit të SHBA-së për Lirinë Fetare Ndërkombëtare, Thomas Reese, tha se SHBA duhet t’i dërgojë mesazh të qartë Rusisë se ajo nuk do ta lejojë fushatën e vazhdueshme të sulmeve dhe kërcënimeve kundër lirisë dhe besimit fetar.
Komisioni rekomandoi që edhe Pakistani të emërtohet si “vend i shqetësimit të veçantë”. Ky rekomandim është dhënë edhe në vitin 2016, por sekretari i atëhershëm i Shtetit, John Kerry, e ka refuzuar.
Pakistani është cilësuar nga Komisioni si shkelës çdo vit qysh më 2002, por Departamenti amerikan i Shtetit e ka refuzuar rekomandimin çdo herë.
Në raportin e fundit thuhet se Qeveria e Pakistanit “ka vazhduar të kryejë dhe tolerojë shkelje sistematike, të vazhdueshme dhe të egra të lirisë fetare”.
Aktualisht janë dhjetë shtete të cilësuara nga SHBA-ja si shkelëset më të këqija në botë të lriisë fetare: Birmania, Kina, Eritrea, Irani, Koreja e Veriut, Arabia Saudite, Sudani, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Uzbekistani.
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, do të jetë përgjegjës për të vendosur nëse do ta fusë Rusinë dhe pesë shtetet e tjera të rekomanduara: Pakistanin, Republikën Qendrore të Afrikës, Nigerinë, Sirinë dhe Vjetnamin në listën e vendeve të shqetësimit të veçantë.
Nëse futen në listë, ligji thotë se zyrtarët amerikanë duhet të kërkojnë negociata me autoritetet e vendeve shkelëse dhe të dalin me mënyra për zgjidhjen e ankesave për lirinë fetare.
Dështimi për të dalë me zgjidhje rezulton me vendosjen e sanksioneve.
Përgatiti: Valona Tela

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit