-1.2 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

A është ari hallall për femra apo haram

Më të lexuarat

Pyetja:

Selam alejkum e nderuara redaksi! Kam një pyetje, nëse mundeni t’i përgjigjeni. A është ari hallall për femra apo haram, sepse kam dëgjuar nga një e afërme e imja se asaj i paskan thënë se është haram dhe ajo më nuk e përdor për zbukurim. Të njëjtën gjë thotë se e paska thënë edhe Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë, se ari është haram për femra.
Selam alejkum!
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Fillimisht, duhet të sqarojmë se ari të cilin shejh Albani (Allahu e mëshiroftë) e ka ndaluar është ari që është rreth, sikurse byzylyku, kyçi i dorës, zinxhirët e qafës, unazat dhe stolitë e tjera nga ari, të cilat kanë formën e rrethit, ndërsa stolitë e arit që nuk janë rreth, lejohen. Gjithashtu, duhet të dimë se ky qëndrim nuk është vetëm mendim i shejh Albanit, por edhe i disa të tjerëve, Bejhikiu përcjell se një grup dijetarësh i kanë ndaluar stolitë e arit që kanë formën e rrethit. Megjithëkëtë, numri i atyre dijetarëve që e ndalojnë këtë është shumë i vogël, prandaj Xhassasi nga dijetarët hanefi, Neveviu, Ibën Haxheri, etj., përcjellin se në këtë çështje, d.m.th. në lejimin e stolive të arit që kanë formën e rrethit për femra, ka ixhma (konsensus).

Sido që të jetë, mendimi se stolit e arit që kanë formën e rrethit janë të ndaluara për femra është mendim jo i qëndrueshëm pasi një numër argumentesh vërtetojnë lejimin. Ndër këto citate veçojmë:

1. Shënon Ibën Maxheh se Ali Ibën Ebi Talibi thotë: “I Dërguari (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të) mori në dorën e majtë mëndafshin, kurse në të djathtin arin dhe i ngriti lart e tha: “Këto dyja janë haram për meshkujt e umetit tim dhe u lejohen femrave.” (Hadithin e cilëson të saktë Albani).

2. Ebu Davudi me zinxhir të saktë nga Aishja tregon se me një rast iu dhurua të Dërguarit (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të) një unazë ari nga Nexhashiu dhe ai ia dhuroi atë mbesës së tij, Umame Bint Ebi Asit, duke i thënë: “Stolisu me të.” Unaza ka formën e rrethit dhe po të ishte e ndaluar, atëherë Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) nuk do t`i dhuronte mbesës së tij.

Nuk do të përmendim më shumë citate që vërtetojnë lejimin, por duhet ta kemi parasysh se edhe qëndrimi i atyre ulemave të cilët e ndalojnë këtë, mbështetet në disa hadithe me zinxhirë të saktë. Megjithëkëtë, këto hadithe nga ulematë janë shpjeguar si të paqëndrueshme jo për shkak të zinxhirit të transmetuesve, por për shkak të domethënies, pasi kundërshtojnë një numër të madh hadithesh të sakta. Prandaj shumica dërmuese e dijetarëve nuk i kanë marrë parasysh hadithet që ndalojnë këtë lloj ari për femrat. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi
9.11.2008

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit