-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Presidenti çek urren kosovarët për shkak se janë muslimanë, Kosovën e çuan “shtet terrorist”

Më të lexuarat

Shqetësimet për deklaratat e presidentit të zgjedhur të Çekisë, Milosh Zeman, se “nuk e njeh pavarësinë e Kosovës” dhe se “do të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me të”, i ul analisti çek, Filip Tesar. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se për punët diplomatike është kompetente qeveria dhe jo presidenti. Tesar po ashtu thotë se një hap i tillë do të nxiste edhe reagimin e BE-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Tesar, nga marsi i këtij viti, Milosh Zeman do të marrë detyrën e presidentit të Çekisë. Çfarë lajmi është ky për Kosovën?

FILIP TESAR
Mendoj se presidenti i ri, Zeman, do të vazhdojë përafërsisht politikën e njëjtë që ka udhëhequr presidenti i deritashëm, Vaclav Klaus. Megjithatë, mendoj se do të ketë disa ndryshme…

Zeman, si kryetar i dikurshëm i qeverisë, është shprehur disa herë mjaft ashpër në adresë të grupacioneve të ndryshme myslimane, shteteve e të tjera. Për shembull, ai ka krahasuar Yasser Araftin me Adolf Hitlerin. Së fundmi, gjatë fushatës presidenciale, ai po ashtu është shprehur për bombardimin e Iranit.

Konsideroj se ai do t’i shohë shqiptarët e Kosovës me optikë të njëjtë, sikurse edhe myslimanët.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë fushatës së tij, Zeman ka deklaruar se nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, se do të shkëpuste marrëdhëniet diplomatike me të dhe madje e ka quajtur “shtet terrorist”. Çfarë mund të prodhojnë këto deklarata?

FILIP TESAR
Mendoj se Zemani, para së gjithash, është një njeri, i cili shumë shpejt thotë gjëra të caktuara, nganjëherë thjesht për hir të populizmit. Për punët dhe marrëdhëniet diplomatike është kompetente qeveria. Andaj, presidenti i republikës nuk mund t’i ndërpresë në mënyrë të tillë marrëdhëniet me një shtet.

Pyetja është se a do të mund të formojë qeverinë gjatë mandatit të tij me social-demokratët, përfaqësues të të cilëve janë shprehur po ashtu për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën.

Mirëpo, edhe në atë rast, konsideroj se nuk do t’i ndërpriste, pasi do t’i tërhiqej vërejta në mënyrë pragmatike nga partnerët në Bashkimin Evropian se një gjë e tillë mund të ndikojë në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, a mendoni se me qëndrime të tilla ndaj Kosovës, Zemani mund t’i shkaktojë kokëdhembje edhe Bashkimit Evropian? Marrë parasysh që ky mekanizëm po angazhohet për normalizimin e marrëdhënieve në rajon…

FILIP TESAR
Mendoj se Zemani do t’i shkaktojë kokëdhembje Bashkimit Evropian edhe pa Kosovën, sepse është njeriu që flet shumë më shpejt sesa që mendon. Edhe gjatë kohës së fushatës presidenciale, edhe gjatë kohës sa ka qenë kryeministër, në disa takime diplomatike është sjellë shumë jodiplomatik.

Dhe, sërish mund të kthehem te tema e Islamit dhe myslimanëve, edhe pse e di se për shumicën e shqiptarëve të Kosovës Islami nuk është ndonjë çështje kruciale, por për Zemanin është.

Zemani mendon se myslimanët janë thjesht të pakulturuar, të paqytetëruar, agresivë dhe të tjerë. Mendoj se ai, jo vetëm për shkak të Kosovës, por edhe për shkak të pakicave myslimane në Bashkimin Evropian, do t’i shkaktojë kokëdhembje të madhe BE-së.

Zemani nuk është njeriu që mbështet multikulturalizmin. Ai është, të themi, më tepër ksenofobik.

RADIO EVROPA E LIRË
Kjo ka qenë hera e parë në historinë e shtetit të pavarur çek që qytetarët kanë zgjedhur drejtpërdrejt presidentin. Çfarë ndryshimesh do të sjellë Zemani në jetët e tyre?

FILIP TESAR
Konsideroj se nuk do të sjellë ndryshime direkte. Nuk do të sjellë ndryshime direkte në ekonomi, në sistemin politik. Mendoj se Zemani, për dallim nga Klausi, do të ndikojë në marrëdhëniet me BE-në.

Dhe këtu, mendoj se qëndrimet e tij janë të kundërta me ato të Klausit, i cili ka qenë jo vetëm euro-skeptik, por mund të thuhet edhe euro-fobik. Ndërkaq, Zemani e konsideron veten euro-federalist.

Andaj, nuk do të bllokojë ndonjë integrim më të thellë, qoftë në pyetje anëtarësimi në Eurozonë apo ndonjë iniciativë tjetër, si ajo e Unionit Fiskal apo të ngjashme.

Kështu, në jetët e qytetarëve çekë, ai do të sjellë këtë ndryshim të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian.

Filip Tesar është bashkëpunëtor i jashtëm në Institutin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Pragë dhe njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkan.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit