Me një libër nuk je asnjëherë vetëm. Sipas ekspertëve kjo është mënyra më e shëndetshme dhe më e thjeshtë për të “karikuar” bateritë dhe për të harruar stresin.
Kështu para se të nisim aktivitetin intensiv të ditëve tona, atëherë duhet marrë një dozë letërsie.
Libri është një ilaç ideal me anë të të cilit njeriu largohet me fantazi duke mbajtur mendjen e shëndoshë si dhe duke u përfshirë në emocionet e librit.
Por kujdes pasi jo të gjithë librat janë kurativ, ndaj për të qenë mirë nevojiten të lexohen libra me motive inspiruese, histori të njerëzëve të cilët kanë lënë gjurmë të mëdha e admiruese me shembullin e tyre human, social, kreativ, vizionar, edukues etj…, por, s’duhet harruar në asnjë mënyrë që primar dhe gjithnjë në listë i pari libër të jetë Kur’ani…
Siç raporton noa: 40% mendojnë se libri ndikon për të ngritur humorin, 31 % mendojnë se leximi i librave ndikon në uljen e nivelit të stresit, e 31% për të nisur me optimizëm vitin.
Edhe pse mund të shfrytëzohet për lexim çdo hapësirë në të cilën shkëputemi nga angazhimet, 31% e të pyeturve preferojnë të lexojnë para gjumit, në periudhë festash, ose në mbrëmje para se të dalin.
Mendojmë se, të lexuarit e vazhdueshëm në libra të cilët kanë përmbajtje inspiruese, këshillë, motiv dhe shtytje për jetë dhe avantazhe jetësore aspak nuk i bën dëm njeriut, dhe këtë duke u mbështetur fort në versetet kur’anore të cilat urdhërojnë duke thënë: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (Alek: 1-5).
E nëse leximi është gjithnjë me fillim, rikthim dhe referencë në Kur’an, veç ia shton njeriut vlerat dhe në mënyrë të plotë e largon çdo hall, brengë, stres, dert, e vështirësi që mund t’i gjindet, madje me përgjegjësi të plotë e themi se, Kur’ani është kurues i madh i depresionit, stresit e luftave të ndryshme psikike të cilat i shfaqen njeriut në një mënyrë apo formë tjetër. Për këtë kemi premtimin hyjnor nga Allahu i Lartmadhëruar ku thuhet në Kur’anin famëmadh: “…Thuaj: “Ai është për besimtarët udhëzues e shërues. E ata që nuk besojnë, në veshët e tyre kanë shurdhim, dhe ai për ta është verbërim. Të tillët janë sikurse thirren prej një vendi të largët e nuk dëgjojnë”. (Fusilet: 44)
Urojmë që çdonjërit t’i lehtësohet çdo vështirësi përmes fjalës së Zotit të Lartësuar, dhe çdonjëri të kërkojë çdo gjë vetëm në atë që është e qartë dhe e saktë për vështirësitë në të cilat gjendet apo mund të ballafaqohet ndonjëherë, kurse zgjidhja e vetme dhe e shëndoshë me saktësi të plotë dhe pa devijime në asnjë mënyrë është të bindurit në Allahun, Zotin e botëve dhe të punuarit sipas fjalës së Tij në Librin famëmadh – Kur’anin. /pertymoter.net/Valbona Kelmendi/kohaislame