-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Roli i Turqisë në Ballkan, Shqipëria e Madhe dhe lajmet e sajuara

Më të lexuarat

(Nuk mjafton dëshira e mirë për të ndryshuar relitetin e për të bërë bashkimin e trojeve shqiptare. Të gjithë cituam njëri-tjetrin dhe asnjëri nuk citonte burime zyrtare normale për një lajm të zakonshëm, sado i rëndësishëm mund të ishte ai.)

Shqipërinë e Madhe, të Bashkuar, Natyrale etj., të gjithë e duam, dhe të gjithë do të jepnim gjithçka për ta arritur atë. Veçse nuk duhet të harrojmë diçka: Ajo që është arritur deri tashti prej të gjithë Shqiptarëve ka ardhur si rezultat i luftës dhe i konflikteve tejet të mëdha dhe me pasoja të rënda në fund. Dy luftëra ballkanike, ndarja e hidhur me Perandorinë Osmane dhe mbarimi i Luftës së Parë Botërore nuk bënë gjë tjetër veçse lanë në fuqi Shqipërinë londineze. U desh të derdhej gjak në Kosovë, që Kosova me shumë mund të merrte pavarësinë. Gjak populli i pafajshëm dhe luftëtarësh, të cilët luftuan me gjithë shpirt. Vështirë se mund të arrihet gjë me retorika boshe nacionaliste, po ashtu edhe shumë politikanë tonët zorr se do të hiqnin dorë nga postet e tyre të rehatshme në pushtet “për të luftuar me armë në dorë” për një Shqipëri të madhe. Marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara prej kohësh dhe synimet e integrimit të Shqipërisë për të hyrë në BE nuk ia lejojnë Shqipërisë dhe Kosovës një bashkim vullnetar. Ndërkaq edhe vetë politikanë tanë, që janë nëpër postet kyçe qeveritare, nuk ma do mendja që nuk i dinë këto gjëra. Sado që populli ynë të ëndërrojë dhe bashkë me të edhe ne ta dëshirojmë këtë gjë, ende nuk duket në horizont ndonjë mundësi që kjo të ndodhë. Nga dëshira e mirë mund të ndodhin shumë gjëra, porse ato mbeten në kuadrin e dëshirave dhe kjo nuk sjell ndonjë ndryshim thelbësor, madje mund të sjellë edhe efektin e kundërt.
Përpara pak kohësh në shumë portale interneti qarkulloi një lajm i habitshëm, i cili nëpërmjet një reaksioni zinxhir në rrjetin social të FCB u shumëfishua pafundësisht. Teksti i lajmit ishte pak a shumë i tillë dhe nuk ndryshonte nga të gjithë ato “agjenci internetare”, të cilat vrapuan ta paraqesin si lajmin e fundit:
“Kryeministri turk Recep Tajip Erdogan në një intervistë për kanalin shtetëror turk deklaron se Turqia do mbështes vëllezërit shqiptarë nëse do jetë e nevojshme edhe me trupa ushtarakë, ai shtoj më tej se populli Shqiptar ka të drejtën e vetëvendosjes për krijimin e një shteti të madh Shqiptar, dhe se UÇK nuk është organizate rebele-terroriste por vullneti i shqiptarëve për të mbrojtur trojet e tyre. Erdogan ka kërcënuar me shpërbërje të Maqedonisë dhe gjithë Ballkanit nëse të drejtat e shqiptarëve nuk merren parasysh. Ai shtoi se trupat kombëtare turke janë në gatishmëri dhe do ndihmojnë shqiptarët për çlirimin e trojeve shqiptare. Kjo deklaratë ka bërë që ministrat e jashtëm grek dhe serb të reagojnë ashpër.” Ajo që u vu re ishte se të gjithë këto portale citonin njëri-tjetrin nga e kishin marrë, dhe ajo që u mungonte ishte një burim serioz nga ku merren zakonisht lajmet. Lajmi ishte kaq i bukur, sa nuk na besohej të gjithëve. Edhe unë vetë që kam punuar kaq vite gazetar në momentin e parë u hutova dhe gati sa nuk e mora për të mirëqenë këtë lajm, por më pas kur vërejta shpejtësinë e pabesueshme të efektit zinxhir, që krijon FCB dhe komentet shoqëruese nga shumica normalisht që dyshova. Fillova të kontrolloj një nga një portalet internetare dhe vërejta që ata citonin njëri-tjetrin dhe askush nuk citonte burime zyrtare. Kërkova në trtalbanian.com uebsajti i një kanali televiziv shtetëror turk, nuk gjeta as hijen e një lajmi të tillë. Aty u mor vesh që dikush, dashamirës apo dashakeq e kishte sajuar këtë lajm dhe ia kishte dalë të manipulonte me ndjenjat proturke tonat. Por kjo nuk mbeti me kaq, pra në suazat e një rrjeti social si FCB, me këtë lajm u mor edhe gazeta e përditshme “Bota Sot”, e cila e emetoi në faqet e saj, duke i dhënë formën përfundimtare këtij lajmi, si edhe disa kanale televizive e gjeneruan atë. Deri këtu le të themi se nuk ka ndonjë problem, porse krijohet problem kur media të rëndësishme merren seriozisht me këtë lajm dhe harrojnë rregullin bazë të gazetarisë moderne: kontrolloje lajmin se nga vjen. A ka bazë ky lajm, apo jo? Po nuk e pati emetuar ndonjë burim zyrtar, të cilin mund ta citosh rregullisht ti nuk mund t’i japësh formë zyrtare. Përndryshe mund ta kalosh te rubrika thashetheme dhe kështu je i larë më publikun e gjerë. Më e bukura e këtij lajmi ishte, se na ishin “zemëruar keq” ministrat e jashtëm serbë e grekë, armiqtë tradicionalë të shqiptarëve. Atë që nuk e bëri asnjë nga mediat tona e bëri një nga gazetat e “armiqve” tonë “Danas” e Beogradit. Në këtë botë ku informacioni mund të merret nga kushdo, qoftë edhe nga një njeri i thjeshtë, për shkak të lehtësimit maksimal të mjeteve të komunikimit “Danas” bën detyrën më të thjeshtë i kërkon shpjegimeve nëpërmjet kanaleve normale të komunikimit dhe merr normalisht përgjigje. Ky ishte edhe teksti i përkthyer nga “Danas”:
“Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdoan ka përgënjeshtruar në mënyre zyrtare pretendimet më të fundit të disa mediave prishtinase, se gjatë vizitës së fundit në Prishtinë ai paska premtuar, që do të ndihmoje të kthejë në realitet Shqipërinë e Madhe përmes ndihmës ushtarake. “Turqia ka marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e Ballkanit dhe i ve shumë rëndësi stabilitetit dhe paqes në rajon”,- thuhet në komunikatën zyrtare të zëdhënësit të qeverisë. Ambasadori i Turqisë në Beograd Ali Riza Çollak, po ashtu e përgënjeshtroi lajmin e përhapur nga Bota Sot. “Me të tilla gënjeshtra dikush po përpiqet të dëmtojë marrëdhëniet e mira mes Turqisë e Serbisë”.
(http://www.danas.rs/danasrs/svet/globus/bota_sot_izmislio_erdoganovu_izjavu_.12.html?news_idç240213)
Kështu që u ndjeva sinqerisht i fyer, kur e mora vesh këtë lajm, sepse miqësia jonë me Turqinë është tejet jetike për të gjithë ne Shqiptarët. Por kur mundohesh të rregullosh situatën me gjëra të sajuara nuk është çudi ta dëmtosh më keq atë dhe menjëherë m’u kujtua ajeti i Kuranit Famëlartë:
“O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë.” Huxhuratë, 49: 6.

Roald A. Hysa

aldohysa.blogspot.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit