Pyetje: Nëna ime është e sëmurë dhe, megjithëse ka shkuar në disa spitale, nuk ka gjetur ilaç për sëmundjen e saj. Për këtë shkak, ajo shkoi te një magjistar, i cili kërkoi prej saj që të lahej me gjak dhie. Nëna ime, duke mos e ditur vendimin e Islamit për një gjë të tillë, veproi siç i tha ai. A është e lejuar kjo gjë? Nëse jo, ç’duhet të bëjë ajo për të shlyer atë që ka bërë?
Përgjigje: Shkuarja tek falltarët dhe magjistarët, për shërimin e sëmundjeve, apo besimi i fjalëve të tyre është një gjë e ndaluar. Madje, kjo vepër konsiderohet prej gjynaheve më të mëdha. Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- ka thënë:
“Kush shkon te një falltar dhe e pyet për diçka, nuk i pranohet namazi dyzet ditë”. (Transmeton Muslimi)
“Kush shkon te një falltar apo magjistar dhe i beson fjalët e tij, ka mohuar atë që i ka zbritur Muhamedit”. (Transmeton Bezzari, zinxhiri i transmetimit është i mirë)
Larja me gjak është papastërti dhe e papëlqyeshme, andaj nuk lejohet shërimi me një gjë të tillë. Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- ka thënë: “All-llahu ka krijuar për çdo sëmundje ilaçin e saj, andaj përdorini ato për t’u kuruar, por mos u kuroni me diçka që është haram”.
“Allahu nuk e ka bërë shërimin tuaj në ato gjëra që i ka bërë haram”. (Transmeton Bejhakiu)
Gruaja në fjalë duhet të pendohet sinqerisht dhe të mos e përsërisë më këtë gjë. Allahu -subhanehu ue teala- thotë:
“Pendohuni tek All-llahu, të gjithë ju o besimtarë, nëse doni të shpëtoni”. (En-Nur: 31)
Ibën Bazi