Shefi i krimeve të komisariatit të Burrelit i plagosur një natë më parë, Musa Skura mbetet ende në gjendje të rëndë shëndetësore. Plumbat i kanë dëmtuar pjesën më të madhe të organeve jetike. Edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale, ai mbetet në gjendje shoku për shkak të traumave të renda.
“I sëmuri kishte dëmtime të 5 organeve, i hoqëm një veshkë, ndërkohë që ka patur dëmtim të zorrëve, dëmtim të shprektës dhe stomakut. Operacioni zgjati nga ora 21 e mbrëmjes së kaluar deri në orën 4 të mëngjesit të sotëm. Të shohim fazat e ardhshme”, ka deklaruar mjeku reanimator Bardh Kurti.
Ndërkohë që pas një vizite në spital, ministri i Brendshëm Flamur Noka bëri me dije se shefi i krimeve Skura do të transportohet drejt Italisë, për një kurim më të specializuar. Noka, duke iu referuar mjekëve, tha se ai është në gjendje për ta përballuar fluturimin.
“Po punojmë për ta transferuar komisarin në një nga spitalet më të specializuara që ka Italia, ai në Foxha. Është më i miri. Ne jemi në pritje të përgjgigjes nga aviacioni sanitar për ta transportuar atje dhe besojmë se ai mund ta përballojë fluturimin”, ka thënë Noka.
Ndërkohë që Policia e Shtetit doli me një deklaratë zyrtare në mesditë në lidhje me ngjarjen e rëndë. Sipas policisë, aksioni për kapjen e katër të rinjve që shisnin rreth 20 mijë fishekë kallashnikovi ishte organizuar nga policia lokale. Gjatë thirrjes që iu bë atyre për t’u dorëzuar, njëri prej tyre hapi zjarr.
“Pas pozicionimit të tyre në fshatin Suç, nga forcat e policisë janë konstatuar dy shtetas të armatosur të cilëve u është bërë thirrje për të ndaluar. Një prej tyre ka qëlluar me automatik duke plagosur komisar Musa Skurrën. Ndaj këtyre shtetasve, të identifikuar si Fitim Alla, Vilson Milkurti dhe Rigers Lifja është marrë masa e arrestit në flagrancë”, ka thënë oficeri Tefik Sulejmani.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim edhe shoferin e furgonit që transportonte fishekët, shtetasin Riza Barci.
Burrel, plagoset shefi i policisë kriminale
Musa Skura, shefi i Policisë Kriminale në Burrel, mbeti i plagosur mbrëmjen e së dieles gjatë një operacioni policor për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim. Policia kriminale e Burrelit u përplas me armë me një grup të rinjsh në fshatin Suç të rrethit të Matit.
Sipas burimeve nga vendngjarja, në vendin e quajtur “Përroi i Kecit” patrulla e policisë që drejtohej nga shefi i krimeve, Musa Skurra, i zuri rrugën motorit me të cilin udhëtonin dy të kërkuarit, Fitim Alla dhe Vilson Milkurti. Të ndodhur përballë patrullës policore, dy të rinjtë hapën zjarr drejt policisë.
Si pasojë e këtij shkëmbimi zjarri mbeti i plagosur rëndë komisar Musa Skura dhe njëri nga të kërkuarit, Fitim Alla, 19 vjeç. Burime nga policia konfirmuan se i plagosuri tjetër, 19-vjeçari Fitim Alla, i cili ishte një nga 2 personat e kërkuar, u dërgua në spitalin e Burrelit dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Sipas po të njëjtave burime, u shoqëruan për në polici edhe dy persona të tjerë, Vilson Milkurti dhe Riges Lifja, rreth 20 vjeç, të dyshuar dhe këta si pjesëtarë te grupit. Policia bëri të ditur se forca të shumta policore të përforcuara nga forcat speciale shkuan për kontroll në fshatin Suç, pasi mendohet se mund të ketë armë dhe municione të tjera të fshehura nga persona të ndryshëm.