3.4 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Siri – Rritet në 100 numri i viktimave nga sulmi i regjimit të Esadit me gaz klorin

Më të lexuarat

Është rritur në të paktën 100 numri i viktimave në sulmin me gaz klorin, ndërmarrë nga forcat e regjimit të Esadit në Idlib, qytet në veri të Sirisë…

Të paktën 21 civilë janë vrarë dhe 35 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore në zonat Salkin dhe Xhisr al-Shugur të veri të qytetit sirian të Idlibit.

Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë së qeverisë së përkohshme siriane, Ferras Xhundi, njoftoi se është rritur në të paktën 100 numri i viktimave në sulmin me gaz klorin, ndërmarrë nga forcat e regjimit të Esadit në Han Shejhun të Idlib, qytet në veri të Sirisë.

Enes Barakat, një zyrtar i Ekipit për Mbrojtje Civile në Idlib, deklaroi në një prononcim për Agjencinë Anadolli (AA) se “në sulmin me armë kimike, ndërmarrë nga regjimi i Esadit në zonën Han Shejhun, kanë humbur jetën së paku 100 civilë, mes tyre edhe shumë fëmijë, ndërsa nga gazi janë prekur rreth 500 persona”.

Siç bëjnë të ditur zyrtarët e Mbrojtjes Civile në Idlib, avionët e regjimit sirian sulmuan me gaz klorin në orët e para të mëngjesit zonën e quajtur Han Shejhun, në jug të Idlibit.

“Të plagosurit dhe banorët e prekur nga gazi toksik janë dërguar në spitalet përreth zonës. Por duke qenë se spitalet përreth Idlibit janë të pamjaftueshme dhe s’kanë kapacitetet e nevojshme, të plagosurit në gjendje kritike janë dërguar me ambulanca në Turqi”, sqaruan burime të Mbrojtjes Civile duke shprehur shqetësim të thellë për mundësinë e rritjes së bilancit.

Burime në fjalë theksojnë gjithashtu se një qendër e mbrojtjes civile dhe një spital është bombarduar gjatë punimeve të kërkim-shpëtimit pas sulmit kimik.

Turqia ka dërguar në zonë urgjentisht një numër të madh ambulancash.

Bombardimet në lokalitetin Han Shejhun cilësohen si sulmet kimike më të dhunshme që nga fillimi i luftës civile në Siri 7 vite më parë.

Zyrtarët rikujtojnë gjithashtu se 20 civilë të tjerë ishin prekur nga gazi toksik në sulmet e mesnatës në Al-Habit të Idlibit.

Opozitarët akuzuan drejtpërsëdrejti regjimin e Esadit në lidhje me këto sulme dhe i bënë thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të nisin menjëherë hetimet, ndërkohë që Franca kërkoi me ngulm një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara dërguan në qytetin e Idlibit 19 mauna me ndihma humanitare.

Autokolona me ndihma të OKB-së hynë në Siri përmes kalimit kufitar Xhilvegozy, në Rejhallë të provincës jugore turke të Hatajit.

Materiale jetike bazë në këto mauna me ndihma do t’u shpërndahen nevojtarëve sirianë në Idlib dhe fshatrat përreth.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit