3.4 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Ndihma për fëmijët e shurdhër sirianë

Më të lexuarat

Në Liban gjenden rreth 1,1 milionë refugjatë sirianë. 500 mijë prej tyre janë fëmijë. Për shumë nga fëmijët, sigurimi i ushqimit dhe ujit janë sfidat e tyre më të mëdha. Por fëmijët që kanë probleme me dëgjimin për shkak të luftës përballen me pengesa edhe më të mëdha. Një organizatë bamirëse amerikane “Deaf Planet Soul” po ndihmon disa prej tyre me mësimin e gjuhës së shenjave dhe me aparatë dëgjimi për të shurdhët.

Nuk ka se si të fshihet lumturia në fytyrën e 9 vjeçares Jana ndërsa ajo mëson një mënyrë të re për të komunikuar.

Jana është e shurdhër, dhe deri tani e ka mësuar gjuhën e shenjave vetëm nga nëna e saj. Nëna e kishte mësuar nga Google.

Por tani Jana po mëson nga mësues të gjuhës së shenjave, falë një organizate bamirëse amerikane “Deaf Planet Soul”.

“Ne po sjellim aparate dëgjimi dhe burime për të mësuar gjuhën e shenjave për fëmijët refugjatë që kanë humbur dëgjimin. Mirëpresim të gjithë fëmijët, por deri tani kanë ardhur kryesisht fëmijë sirianë. Shumë prej fëmijëve humbën dëgjimin për shkak të luftës. Por ka edhe disa që kanë lindur të shurdhër ose kanë probleme me komunikimin” thotë Zaineb Abdulla, nënpresidentja e organizatës.

Disa nga fëmijët nuk janë plotësisht të shurdhër, por dëgjimi i tyre është dëmtuar nga bombardimet dhe trauma, si 6 vjeçarja Aya, e cila tani përdor një aparat dëgjimi.

Ajo më së fundmi mund të komunikojnë me nënën e saj, e cila ndodhet në Evropë dhe po përpiqet të sigurojë një shtëpi të re për familjen e saj.

“Vajza ishte një vjeç dhe dy muajshe. Ndodhi një sulm në shtëpinë tonë. Babai i saj u vra, dhe ajo iku me nënën dhe vëllain e saj, falë Zotit. Ne erdhëm në Liban, dhe këtu vumë re se vajza kishte shumë vështirësi me dëgjimin” thotë gjyshja e Ayës.

Këto lloje ndërhyrjesh të thjeshta mund t’i heqin një barrë të madhe fëmijëve që kanë lindur të shurdhër ose që kanë probleme me dëgjimin për shkak të luftës.

“Është hera e parë që dikush kupton se çfarë dua, që Jana të flasë me një terapist, që mund të punojë me personalitetin e saj dhe jo vetëm thjesht me dëgjimin e saj” thotë nëna e Janës.

Ekipi sapo u kthye në Shtetet e Bashkuara pas misionit të tyre 10 ditor, dhe ata kanë filluar të mbledhin fondet për një mision tjetër.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit