Shkup, Njësitë speciale të Policisë së Maqedonisë kanë arrestuar më shumë se 20 të dyshuar lidhur me vrasjen e pesëfishtë në fshatin Smillkovcë, në afërsi të Shkupit. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, sipas të cilës të arrestuarit janë “pjesëtarë të islamit radikal”. Mediat shqiptare në Maqedoni raportojnë se të arrestuar janë dhjetëra shqiptarë nga lagjja “Gazi Babë” e Shkupit dhe nga fshatrat Hasanbeg dhe Haraçinë.
Rreth 800 pjesëtarë të policisë maqedonase kanë zhvilluar herët në mëngjes aksionin e quajtur ‘Monstrum’ në Shkup dhe rrethinë. Cak i këtij aksioni ka qenë arrestimi i të dyshuarve për vrasjen e pesëfishtë që ndodhi në Smillkovcë.
Më se 23 bastisje janë kryer në fshatrat shqiptare Hasanbeg, Haraqinë dhe në lagjen “Gazi Babë” të Shkupit, ku u arrestuan 20 persona.
Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, tha se në mesin e të arrestuarve janë edhe të dyshuarit për vrasjen e Smillkovcës.
Te të arrestuarit janë gjetur një sasi e konsiderueshme armësh dhe literaturë që lidhet me orientimin e tyre fetar.
Ministrja Jankullovska tha se motiv për vrasjet në Smillkovicë nuk ka pasur, përveç përhapjes së frikës në shtetin e Maqedonisë.
Sipas mediave shqiptare në Maqedoni, 12 nga të arrestuarit janë shqiptarë, e në mesin e tyre ka edhe të moshuar mbi moshën 60- vjeçare.
Gazeta e përditshme Koha nga Maqedonia ka bërë të ditur se Feride Bilalli, 60, nga fshati Hotël i Likovës dhe Qani Haziri, 64-vjeçar, janë arrestuar nga njësitet speciale të policisë.