0.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Nigel Farage: Ky është vetëm fillimi, shpresoj që Brexit të inkurajojë vendet e tjerë të dalin nga BE

Më të lexuarat

Sot askush në Britaninë e Madhe nuk është më i lumtur se ai. “U takon të tjerëve të gjykojnë nëse jam ati i Brexit, por mendoj se kam bërë pjesën time”, thotë Nigel Farage, pa e fshehur kënaqësinë. Për një njeri që është mësuar të ekzagjerojë, ky është një “understatement”: mori për dore një parti të vogël, e udhëhoqi drejt fitores në zgjedhjet europiane të 2014, më tej e trembi qeverinë e David Cameronit, sa për ta shtyrë që të thërriste referendumin mbi Bashkimin Europian. Në fushatën për referendumin nuk ishte i vetmi që luftoi për daljen nga BE, por pa Farage, referendum nuk do të kish patur.
“Dhe nuk ka mbaruar, misioni ynë është vetëm në foshnjërinë e vet”, pohon në këtë intervistë për La Repubblica. Duket besimplotë se mund të realizojë të tjera gjëra. Ndoshta deri dhe të imitojë atë të mikut të tij amerikan, Donald Trump.
Si ndiheni, ditën pas fillimit të Brexit?
I lehtësuar, i lumtur, thellësisht i kënaqur. Ne partizanët e Brexit kemi shtyrë më në fund Britaninë e Madhe drejt kësaj dite të lirisë dhe pavarësisë. Eshtë një moment historik. Uroj që të inkurajojë vende të tjerë në të gjithë Europën, të luftojnë për pavarësi nga Bashkimi Europian.
E miratoni mënyrën se si Theresa May po kryen negociatën për divorcin nga BE?
Unë do të kisha vepruar ndryshe, duke aktivizuar nenin 50 që vë në lëvizje procedurën e shkëputjes nga BE, ditën pas referendumit, për të shmangur të gjithë pengesat politike dhe ligjore, që kryeministres i është dashur të përballojë. Dhe do u thoja negociatorëve të Brukselit se për Britaninë e Madhe, mos arritja e një marrëveshje për BRexit, do të ishte gjithësesi më mirë se sa marrëveshjet aktuale. Bashkimi Europian ka nevojë për ne, shumë më tepër nga sa ne kemi nevojë për BE-në.
Bashkimi Europian është një përbindësh për ju?
Kemi bërë fushatë për daljen nga unioni politik, por jemi absolutisht në favor të vazhdimit të bashkëpunimit tregtar dhe në fusha të tjera me fqinjët tanë. Ajo që nuk pranojmë është imponimi i ligjeve nga jashtë.
Çfarë do të parashikonit për 3 milionë qytetarë europianë që banojnë në Britaninë e Madhe?
Kush ka hyrë ligjërisht duhet të ketë të drejtë të qëndrojë. Jam kundër çdo ndryshimi me prapaveprim, që ndryshon statusin e tyre. Theresa May duhet të bëjë së pari këtë lëshim. Por edhe të drejtat e qytetarëve britanikë që banojnë në BE duhet të mbrohen pa vonesa. Njerëzit nuk duhet të përdoren si ushtarë në një fushë shahu.
Tani që Ukip ka siguruar “pavarësinë” e Britanisë së Madhe, për se shërben partia juaj?
Për të luftuar për një shtet më pak ndërhyrës, taksa më të ulëta dhe përgjegjësi individuale. Kemi arritur të bëjmë të mundur që Britania të vetëqeveriset. Tani do të bëjmë propozime se si të qeveriset më mirë.
I vetmi deputet i Ukip në Parlament, Douglas Carsuell, ka dhënë dorëheqjen nga partia juaj duke e konsideruar misionin të përfunduar.
Përkundër asaj që thotë Carsuell, i cili synon vetëm të na destabilizojë, misioni i Ukip është ende në foshnjërinë e vet. Kemi ende shumë për të bërë. Jemi besimplotë se do të arrijmë rezultate të mëdha.
A do të kandidoni për në dhomën e ulët, kur të lini parlamentin europian?
Do ta bëj sapo të ketë një zgjedhje për një vend të lënë bosh. Dhe mezi pres të largohem nga parlamenti europian dhe të merrem vetëm me vendin tim.
Por ndërkohë një rezultat e keni arritur. A mendoni se historia do ju mbajë mend si atin e Brexit?
Tek Brexit kanë besuar shumë njerëz para meje. Unë thjeshtë mblodha trashëgiminë dhe renda me sa fuqi që kisha. Me aftësinë time oratorike mund të kem ndikuar për zhvendosjen e një pjese të madhe të elektoratit britanik. Sigurisht, ndryshimet e mëdha politike janë gjithmonë rezultat i punës së shumë njerëzve, por mendoj se e kam bërë pjesën time. Ua lë të tjerëve të gjykojnë nëse kam qenë unë ati i Brexit.
Përgatiti: bota.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit