Po sikur gomat t’ju lajmërojnë kur makina rrezikon të rrëshqasë dhe kur ato janë konsumuar? Prodhuesi italian i gomave të makinës, Pireli do të prodhojë në 5 vitet e ardhshme goma “inteligjente”, për të cilat thotë se janë më të sigurtat që janë prodhuar ndonjëherë.
Zyrat e firmës Pireli në Milano janë të izoluara nga publiku, por pikërisht aty, që prej 140 vjetësh, skicohen, prodhohen dhe shpërndahen produktet e kompanisë në të gjithë botën.
Kompania zbuloi në vitet 1970 gomën jo shumë të njohur, që nuk rrëshqet, ndërsa tani ajo po fillon prodhimin për herë të parë të gomave inteligjente për të shtuar sigurinë.
“Është e qartë, që përparimi i elektronikës në vitet e fundit lejon evolucionin e shpejtë të sigurisë dhe perfeksionimin e makinave. Disa vjet më parë ne dolëm me idenë e përdorimit të elektronikës brenda rrotës, në mënyrë që ajo të komunikojë me pajisjet e tjera elektronike të makinës.”
Kjo ide u quajt Goma Cyber. Duke vendosur një mikroçip brenda rrotës, inxhinierët kanë arritur të krijojnë një system ku informacionet për erozionin, temperaturën dhe fërkimin të çohen në kohë reale, drejtpërdrejt tek sistemi qendror operativ i makinës, përmes kanaleve të sigurta të radios.
“Goma Cyber mund të përshkruhet si një evolucion i specieve. Deri më sot, rrotat kanë qenë si muskujt e makinës. Por Goma Cyber i shton tani asaj aftësinë për të analizuar dhe komunikuar të dhënat.”
Karakteristikat e tanishme të sigurisë së makinave, si për sdhembull sistemi ABS ose sistemi kundër bllokimit të frenave, minimizon rrëshqitjen dhe ndihmon në kontrollin e makinës në raste emergjente. Por Goma Cyber i jep sistemit qendror të makinës një numër pafund të dhënash paralajmëruese për të shmangur situata krize. Në një rrugë të lagur sistemi paralajmëron për këto kushte atmosferike dhe në rastin e rrotave të konsumuara, rekomandon ndërrimin e tyre.
Për të realizuar këtë, inxhinierët e Gomave Cyber u detyruan ta rikrijonin gomën. Ata krijuan sensorë elektronikë që t’i rezistojnë temperatures së lartë të rrotave, drishjeve dhe forcës centrifugale.
Pastaj atyre iu desh të zbulonin një mënyrë për përpunimin elektronik të të dhënave dhe transmetimin e tyre tek makina, në mënyrë të kuptueshme për të.
Kompania Pireli ka filluar provat me Gomat Cyber te kamionët në Brazil. Sensorët elektronikë i lejojnë inxhinierët në Milano të ndjekin shpejtësinë mesatare, temperaturën dhe stresin e shkatuar nga rruga në secilën prej gomave të kamionëve.
Deri në vitin 2017, do të realizohet prodhimi i dytë i Gomave Cyber për makinat e sofistikuara si BMV dhe Lamborghini. Zoti Boiocchi i kompanisë Pireli thotë se ky është vetëm fillimi:
“Ne po fillojmë me automjetet e teknologjisë së lartë, por sistemi është kaq i përdorshëm, saqë me kalimin e kohës, ne do të jemi të aftë ta zbatojmë atë tek makinat më pak të kushtueshme, që shiten më tepër.”
Firma Pireli investoi këtë vit 170 milionë Euro për kërkimet dhe zhvillimin e teknlologjisë, duke shfrytëzuar 3 për qind të të ardhurave të vitit 2011 në projekte të reja, siç është edhe ai i Gomave Cyber.