Turkish Airlines i është përgjigjur thirrjes për të dërguar ndihma në Somali, e cila është goditur nga kriza e urisë, raporton AA.
Kompania ajrore turke ka reaguar pas paraqitjes të hashtagut #TurkishAirlinesHelpSomalia, e cila ishte shpërndarë me qindra mijëra herë në fushatën që kishte filluar ylli Jerome Jarre në rrjetet sociale Vine dhe Snapchat, për të alarmuar rreth katastrofës humanitare e cila ka prekur Somalinë.
Ai më pas njoftoi se Turkish Airlines është kompania e vetme që do të fluturojë në vendin e Bririt të Afrikës.
“Ndoshta unë do të tingëlloj si i çmendur tani, por çka nëse ne mund të gjejmë një aeroplan? Dhe ne e mbushim atë me ushqim dhe ujë dhe e dërgojmë në Somali?”, tha ai në një video.
Një numër i personave me famë, përfshirë edhe aktorin Ben Stiller, ka përsëritur thirrjen e tij.
Kompania ajrore reagoi nëpërmjet Twitter-it: “Në ❤ Somalinë. Kemi pranuar thirrjen për këtë fluturim domethënës”.
Më 4 mars, Presidenti Recep Tayyip Erdoğan, i bëri thirrje popullit që të marrin pjesë në fushatën humanitare të Gjysmëhënës së Kuqe Turke për Somalinë.
Kryetari i Gjysmëhënës së Kuqe, Kerem Kinik, falënderoi aktorin Stiller për ngritjen e vetëdijes dhe tha Gjysmë Hëna e Kuqe është duke përgatitur tre anije dhe tre avionë mallrash për Jemen, Somali dhe Sudanin e Jugut me Turkish Airlines.
Sipas OKB-së, më shumë se 20 milionë njerëz janë në prag të urisë në Afrikën Lindore, duke përfshirë rreth 1.4 milionë fëmijë.
Turqia ka dhënë më shumë se 121.9 milionë dollarë që nga viti 2011 përmes dikasterit qeveritar për Menaxhimin me Kriza, Gjysmëhënës së Kuqe Turke dhe Drejtorisë të Çështjeve Fetare.