-1.2 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Haxhi Ganiu: Hafëz Bedriu ishte figurë e ndritshme kombëtare

Më të lexuarat

Haxhi Ganiu: Hafëz Bedriu ishte figurë e ndritshme kombëtare

Kontributi dhe donacionet e Haxhi Ganiut në ndërtimin e dhjetëra xhamive në Shkup e më gjerë, në zhvillimin e jetës fetare, por edhe kombëtare, janë arsye të mjaftueshme për t’i kushtuar kohë dhe hapësirë të meritueshme në mediat shqiptare. Megjithatë, kësaj radhe lajtmotiv për ta takuar Haxhi Ganiun ishte insistimi i tij për ta shkruar një monografi mbi një nga figurat e ndritshme të teologëve myslimanë shqiptarë të vendit, Hafëz Bedri efendi Hamidin. Kjo monografi, falë kontributit financiar të Haxhi Ganiut, këto ditë doli në dritë nën titullin “Bedri Hamidi, atdhetar dhe udhëheqës shpirtëror mysliman”. Pse ky insistim dhe ky kontribut i Haxhi Ganiut për këtë personalitet fetar e atdhetar? Sepse, Haxhi Ganiu ishte mik i pandashëm, deri në frymën e fundit, ishte rojë, madje thonë që ishte vetë hija e Hafëz Bedri Hamidit.

Bisedoi Avni Halimi

Na u deshën shumë përpjekje që ta bindim Haxhi Ganiun e nderuar për të pranuar që të zhvillojmë një bisedë,  me qëllim të shpalosjes së kujtimeve që i kanë ngelur nga e kaluara, nga koha derisa ka qenë shoqërues i Hafëz Bedri Hamidit në çdo lëvizje, në çdo udhëtim e në çdo takim. E kishte shumë të vështirë që ta shpalosë këtë histori, sepse mallëngjimi dhe lotët që i shpërthenin ia ngulfatnin fjalët në fyt.

– Nuk mundem të flas për Hafëz Bedriun, sepse, pa dyshim që do t’i hyj në hak, sepse       çkado që të them për këtë personalitet, druaj se do të dalë e paktë, nuk do të arrijë ta them tërë atë histori, tërë atë kontribut të tij që ka dhënë në rrafshin fetar e kombëtar; fjalët që do t’i them do të jenë shumë të pakta për ta përshkruar këtë figurë kaq të rëndësishme për historinë tonë kombëtare. Druaj se do t’i hyj në hak! Të fillosh që ta përshkruash figurën komplete të këtij efendiu,  është njësoj sikur t’i hysh mihjes së Malit Vodno me lugë, gjë që nuk bëhet! – e kujton me mall Haxhi Ganiu mikun e vet,  të cilin kurrë nuk e kishte njohur më parë,  deri në ditën kur doli në stacionin e trenit për ta përcjellë mikun e vet të ngushtë për në Turqi.

– Nga viti 1954 e deri në vitin 1958 unë, si arabaxhi që isha, më shumë kam qëndruar në stacionin e trenave në Shkup sesa që kam qëndruar në shtëpi. Kam përcjellë me mijëra shqiptarë për në Turqi. Kam derdhur me tonelata lot, sepse të gjitha ndarjet, të gjitha përshëndetjet shoqëroheshin me një trishtim,  që ngacmonte burimin e pashtershëm të lotëve. E ke njohur apo nuk e ke njohur shqiptarin, në çastin kur hipte në tren dhe nisej për një tokë për të cilën as që kishte dëgjuar më parë, nga shikimi i tij i trishtë, ngulfateshe në lot. Tërmeti i vitit 1963, ajo katastrofë që e goditi qytetin e Shkupit dhe shkupjanët, them që ishte një mëshirë e Zotit fuqiplotë që ta shkatërronte atë vendtakim të fundit të familjeve shqiptare. Sot, këtë stacion të gjithë e shohin si përmendore të tërmetit të vitit 1963, kurse unë e shikoj si përmendore të lotëve të shqiptarëve.

Në këtë përmendore lotësh isha çdo ditë si arabaxhi, bashkë me shokun tim të ngushtë, Abdyl Hamidin, Lordin, i cili njihej me këtë nofkë për shkak të shpirtit të tij shumë human. Erdhi çasti i ndarjes edhe me këtë mik timin. U morëm ngryk dhe qamë e qamë,  derisa na u shterën lotët. Abdyl Hamidi me familje po ikte për në Turqi. U afrua një burrë i pashëm, trim e i urtë dhe më pyeti: “Si është e mundur që të derdhësh kaq lot për vëllain tim,  kurse unë nuk të njoh. Je i familjes sonë?” Jo, i tha Abdyl Hamidi! “Aga, vëllai i dashur, ky ka qenë dhe do të mbetet miku im më i ngushtë. Ta lë amanet miqësimin me të”, kurse m’u kthye edhe mua: “Arnaut (kështu më thërrësnin të gjithë në atë kohë), po ta lë amanet vëllain tim që të kujdesesh për të deri në vdekje”!

Dhe ky njeri,  që u bë amanet i vëllait të tij, kishte qenë vetë Hafëz Bedri Hamidi. Duke u nisur treni, Hafëz Bedriu i premtoi Abdylit se do ta vazhdojmë miqësinë dhe, ashtu ndodhi, njeriu i fundit, përveç bashkëshortes së tij, me të cilin pak para vdekjes u përshëndet Hafëz Bedriu isha unë. I fundit që ia puthi dorën isha unë, kurse të fundit shok të cilit i kërkoi hallallëk, isha unë, duke më puthur në ballë” – tregon Haxhi Ganiu dhe shkrepet në vaj.

Haxhi Ganiu është i lindur në vitin 1932, në Ramali të Kumanovës. Me prejadhje është nga Stançiçi, mëhalla e Muçajve. Dikur arabaxhi me licencën e kohës, pastaj si shofer i kamionit, e më vonë si bashkëthemelues i firmës ndërtimore “Tre vëllezërit”, të cilën e udhëheqin tre djemtë e tij. Sot Haxhi Ganiu njihet si donatori më zemërgjerë dhe më i papërtueshëm në ndërtimin e dhjetëra xhamive në Shkup e më gjerë, kontribues në ndërtimin dhe meremetimin e shkollave, sallave sportive, i çezmave, ujësjellësve, rrugëve etj. Ka kontribuar në ndërtimin e Xhamisë së Haxhi Jonuzit, në restaurimin e dy krahëve të Xhamisë së Jahja Pashës, në Xhaminë e Ramalisë, ka financuar në ndërtimin e dy xhamive të Studeniçanit, në dy xhamitë e Lubotenit, bashkë me ish-deputetin dr. Nazmi Maliqin kanë inicuar dhe ka sponsoruar ndërtimin e xhamisë në Stançiç, në ndërtimin e mejtepit në Grushinë, në dy xhamitë e Vizbegut, në ndërtimin e Xhamisë së Haxhi Azemit në Shutkë, në ndërtimin e xhamisë së inicuar nga deputeti Hamdi Bajrami, në Shutkë, në xhaminë e Katllanovës. Në fakt, kontributi i tij përmblidhet në një fjali: nuk ka xhami në Shkup e rrethinë në periudhën postkomuniste ku nuk ka arritur donacioni i Haxhi Ganiut. Ky dorëshlirë ka ndihmuar edhe gjetkë. Ka hapur pusin me ujë të pijshëm për nevojat e shkollës fillore “Liria”, ka kontribuar në ndërtimin e sallës së mundjes “Mentaz Allajbegu”. Shumë luftëtarëve të ish-UÇK-së u ka siguruar tërë betonin në ndërtimin e shtëpive të tyre. Ka donuar në ndërtimin e shkollës “Dame Gruev”, në ndërtimin e godinës së Universitetit të Tetovës, në ndërtimin e Çezmës së Boshinecit në Luboten, pastaj në ndërtmin e xhamisë së Pozhoranit të Gostivarit, në medresenë “Isa Beu”. Po ashtu, ka kontribuar në hapjen e një rruge dhe në asfaltimin e saj,  për fëmijët e Studeniçanit,  për të arritur deri te shkolla sa më lehtë, pastaj në ndërtimin e urës në Studeniçan, në Batincë etj. Haxhi Ganiu flet me krenari sidomos për një storie të pashlyeshme në kujtesë e që i përket periudhës së ndërtimit të Xhamisë në Luboten. Bashkë me Hoxhë Feridin kanë kaluar nëpër shumë situata të rënda politike,  deri në momentin kur para organeve të larta shtetërore të inspektimit Haxhi Ganiu do të flasë në mënyrë decide: “Për çfarëdo pengesash në ndërtimin e kësaj xhamie në Butel do të bien shumë koka!” Pas këtij përbetimi, jo që ka ardhur dikush për ta penguar punën në ndërtimin e kësaj xhamie,  por, siç rrëfen bashkëbiseduesi ynë, edhe vetë maqedonasit do të bëhen donatorë, duke donuar mbi 20 mijë euro.

– Ju lutem, nuk dua të keqkuptohem, nuk po i përmend këto gjëra për lavd e për mburrje. Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të investosh në xhami, në shkolla, e në botimin e librave. Unë jam dëshmitar i gjallë se pas çdo kontributi Zoti Mëshirëplotë më ka dhënë edhe më tepër, më është shtuar pasuria. Jep njeriu – e shton Zoti! Megjithatë, po i nënvizoj këto fakte vetëm me shpresë se do të ndikoj edhe te të tjerët, që edhe ata ta zgjasin dorën e ndihmës, sepse ndihma është një virtyt me të cilin dallon myslimani, është një veti e cila ia shton vlerat shqiptarit. Ne jemi popull i shtypur, i çliruar shumë vonë, ndaj dhe në mesin tonë kemi shumë hallexhinj, shumë të varfër, me pasoja e trauma nga e kaluara, prandaj edhe ne që kemi mundësinë, këta hallexhinj e nevojtarë duhet t’i trajtojmë si amanet, si sprovë që na i ka lënë Zoti,  vetëm e vetëm për ta matur shpirtgjerësinë tonë, falënderimin tonë për ato të mira që i kemi,  absolutisht, dhuratë prej Zotit.

Pa dyshim, Haxhi Ganiu për këtë mundësi kontributi falënderimet e veta ia dedikon vetëm Zotit,  si dhe Hafëz Bedriut, të cilin e llogarit jo vetëm si mik të shpirtit,  por edhe si këshilltarin kryesor të jetës së vet, si mësuesin më të madh jetësor. Haxhi Ganiu për vete thotë se nuk ka shkollë, por që tërë jetës e ka dëgjuar dhe i ka respektuar të gjitha këshillat e Hafëz Bedriut, sidomos në raport me sprovat dhe tundimet e jetës.

– Më shihte që isha arabaxhi,  por gjithnjë më inkurajonte,  duke më thënë: Bir, do ta tejkalosh këtë sprovë, do të arrish shumë në jetë, por vetëm nëse i largohesh haramit, nëse kurrë nuk e bën kabull haramin dhe nëse në çdo sekondë të jetës tënde do ta kalosh me nder, me respekt, në rrugë të drejtë. Kurrë mos e mashtro njeriun dhe kurrë mos merr në qafë njeri. Ndihmo sa të mundesh,  se Allahu e shpërblen çdo ndihmë të krijesës së vet. Këto fjalë unë i kam pasur frymë, ushqim gjatë jetës sime. Këto fjalë më kanë trimëruar dhe kurrë nuk jam frikësuar në jetë. Me dijeni,  kurrë nuk e kam futur në xhep asnjë pare haram. Kurrë nuk jam shmangur nga rruga e drejtë, nga ajo rrugë të cilën ma pati vizatuar gjatë jetës sonë Hafëz Bedriu.

Po cila ishte ajo rrugë që e trasonte Hafëz Bedri Hamidi? Veprimtaria e tij e bujshme tashmë është përshkruar edhe në Monografinë që sapo u botua,  e që mbështetet kryekëput në dokumentet e shfletuara në Arkivin Shtetëror të Shqipërisë dhe në Arkivin e Maqedonisë. Sipas bashkëbiseduesit tonë, siç e kujton ky këtë figurë të ndritshme adhetare dhe të devotshme, Hafëz Bedriu ka qenë një figurë prej besimtari shumë të devotshëm, një inelektual i respektuar jo vetëm në ish-Jugosllavi,  por edhe në tërë Ballkanin dhe në shumë shtete arabe, një diplomat i kalibrit të lartë, një politikan që angazhohej për ngjalljen dhe kultivimin e ndjenjave kombëtare te çdo shqiptar. Ndërkaq, ishte armik i përbetuar i lëvizjeve dhe përpjekjeve për turqizimin e shqiptarëve. Kodoshët dhe bashkëpunëtorët e sistemit të atëhershëm i kishte therrë në sy. Si figurë e këtj kalibri,  ai ishte gjithnjë nën vëzhgimin dhe përcjelljen e shërbimeve jugosllave.

– Hafëz Bedriu e dinte se përcillej prej spiunëve. I gjuante shumë lehtë, i dallonte prej së largu! Ishin shumë të lexueshëm për kalibrin e Hafëzit. Ruhej gjithnjë prej tyre, nuk i dëbonte nga tavolina, por gjithnjë i lodhte duke folur gjëra të kota, gjëra mbase jo të denja për një nacionalist e për një besimtar të devotshëm. Prandaj edhe shërbimet sekrete do të përpiqen që ta komprometojnë me lloj-lloj sajesash e muhabetesh të kota. Turkofilët dhe kodoshët do të nisin të shpifin dhe të flasin si për një njeri të pamoralshëm… Ja, për shembull: Ne rrinim zakonisht në klubin tonë, në “Slloga” dhe, çdo ditë të lume vinin aty edhe kodoshë dhe uleshin përreth nesh. Sakaq,  i hetonte Hafëzi dhe niste e fliste siç mund të flasë ndonjë burrë i shkujdesur e i përdalë. Kështu fliste aq kohë sa rrinte me veshë të hapur kodoshi. Kur largohej nga tavolina pa marrë ndonjë informacion të nevojshëm për punëdhënësit e vet, atëherë Hafëz Bedriu me dhembje të thellë në shpirt i lutej Zoti që ta falte për muhabete të tilla, duke na lutur neve shokëve që të kemi kujdes dhe të ruhemi prej haramit. Ose, edhe fliste me simpati për ata individë proturkë të cilët po e shihnin gazepin, duke i “udhëzuar” që si popull “ishin aq të trashë”! Domethënë,  fliste keq për shqiptarët vetëm e vetëm që mos ta hetonin në aktivitetin e tij të bujshëm kombëtar.

Pas tërmetit në vitin 1963, Haxhi Ganiu e kishte marrë lokalin e mirënjohur ”Slloga”, në Çarshinë e Vjetër të Bit-Pazarit, dhe i kishte futur brenda tavolinat me dyqind karrige. Për pak kohë ky lokal do të shndërrohet në klub të shqiptarëve, në një “log të mbyllur”,  ku do të rrahen shumë probleme, çështje kombëtare e fetare. Hafëz Bedriu e kishte bërë zakon (mbase edhe nga amaneti i vëllait të vet, Abdyli) që të mos ulej në asnjë lokal ku nuk gjendet Arnauti (kështu e quanin Haxhi Ganiun). Nuk shkonte në asnjë darkë e drekë ku nuk ishte i ftuar Haxhi Ganiu. Nuk merrte asnjë udhëtim zyrtar nëpër Jugosllavi,  pa qenë i shoqëruar dhe pa i dhënë makinës vetë Haxhi Ganiu. Kishte krijuar një besim të paluhatshëm, sepse Haxhi Ganiu ishte bërë edhe një absorbues i devotshëm i këshillave dhe i fjalëve të Hafëz Bedriut. Këtë fakt tashmë e dinte edhe UDB-ja e atëhershme,  prandaj edhe kishin nisur që t’i vardisen Haxhi Ganiut,  duke kërkar prej tij bashkëpunim, duke i ofruar lloj-lloj benificioni, armë, vetëm e vetëm që të pranonte bashkëpunimin, që të pranonte “të bëhej komunist”. Natyrisht, Haxhi Ganiun nuk do ta tundojë kurrfarë oferte e UDB-së, kurse për shkak të kësaj kokëfortësie atij do t’i mbyllet “Slloga”, dhe do të nisë të trajtohet si “armik i brendshëm”, madje sa herë që ka ardhur Tito në Maqedoni, apo që ka kaluar nëpë Maqedoni, Haxhi Ganiu ka qenë i mbyllur nëpër burgje nga 24 apo edhe 48 orë. Kështu do ta trajtojnë “armikun  e Jugosllavisë e të Titos”!

Hafëz Bedriu nuk ishte armik i askujt, por ai përcillej vetëm sepse ishte shqiptar i madh, e mundonte çështja kombëtare, ishte i flaktë për ta parë kombin e vet sa më të shkolluar e sa më të përgatitur. I dhembte në shpirt tërë ai diskriminim dhe ai robërim që i bëhej popullit shqiptar nga politikat e atëhershme maqedonase dhe jugosllave. Ishte shumë, shumë larg shërbimeve dhe njerëzve që ishin caktuar për ta përcjellë veprimtarinë e Hafëz Bedriut. Në këtë “klub kodoshës” do të arrijnë që të inkorporojnë edhe njerëz të largët të familjes së Hafëz Bedriut, të cilët sapo i hetonte, i leçiste dhe kurrë nuk i trajtonte si krijesa njerëzore.

Hafëz Bedriu kishte kryer fakultetin në Kajro dhe, gjatë kësaj kohe ai do të miqësohet dhe do të ngelë mik i ngushtë me shumë studentë arabë,  të cilët më vonë do të bëhen edhe personalitete të larta dhe burrë shtetas. Ai kishte studiuar dhe ishte miqësuar me Mbretin Fejsall të Arabisë Saudite, pastaj me El Sadatin dhe Naserin e Egjiptit, me Nehrunë etj. Ishte njohës i përkryer i arabishtes dhe njohës shumë i mirë i diplomacisë ndërkombëtare. Ishte bashkiniciator i Titos për të themeluar Organizatën e Shteteve të Painkuadruara, kishte lidhje me shumë burrë shtetas arabë, lidhje këto që i kishte ëndërr për t’i institucionalizuar. Sepse, siç rrëfen Haxhi Ganiu, Hafëz Bedri Hamidi ka kërkuar nga Tito që miqësinë me shtetet arabe që do të aderojnë në këtë organizatë ta ruajë përmes studentëve që duhej të shkolloheshin nëpër universitetet e tyre. Hafëz Bedriu këtë organizatë e shikonte si një portë të madhe,  prej nga do të kalonin shumë të rinj shqiptarë në rrugëtimin e tyre për t’u shkolluar me arsim të lartë jo vetëm nëpër fakultete fetare islame.

– Sa herë që shkonim në Sarajevë apo nëpër vizita të ndryshme zyrtare, mbushesha me jetë, mburresha që jam shqiptar dhe mik i Hafëz Bedriut. Gjithkund ku shkonim,  për Hafëz Bedriun organizohej pritje me shumë respekt e nderim, përkuleshin para tij,  duke ia puthur dorën. Ishte një personalitet pedant, i fuqishëm; fjala e tij kishte peshë, qëndrimi i tij ishte i prerë, ishte amin për të gjithë. Nuk bënte shakara pa kripë, nuk fliste kot, ishte i urtë dhe i dashur, por, njëkohësisht, shumë i egër, deri në çartje, kundër kodoshëve të infiltruar nëpër takime e ndeja, qofshin zyrtare apo edhe private. Kurrë nuk ka zhvilluar bisedë nëse ajo nuk ka qenë në të mirë edhe të shqiptarëve myslimanë.

Më kujtohet njëherë, pas një takimi zyrtar, UDB kishte përgatitur një provokim përmes një konference për shtyp. Një gazetar do të shtrojë pyetje e cila aspak nuk kishte të bënte me temën. Do ta pyet: “Ju jeni që gratë myslimane të mbulohen apo të zbulohen?” Hafëz Bedriu do t’i përgjigjet: “Unë jam më shumë për një shkollë sesa për një xhami!” Pastaj dikush do t’i thotë “hafëz, pse e the këtë; ti je kryetar i myslimanëve, të cilët gjithë çka kanë,  kanë xhaminë?!” “Shkolla sjell xhami, kurse xhamia nuk e sjell një shkollë! Nga shkolla dalin inxhinierë, teknikë, juristë, arkitektë, pasanikë dhe, ja, këta do ta ndërtojnë një xhami; ndërkaq, nga një xhami mund të dalim vetëm me një obligim personal të kryer ndaj Zotit”, u përgjigj Hafëz Bedriu. Pastaj një tjetër i tha: “O hafëz, po kjo nuk ishte pyetje e gazetarit!?” Kurse hafëzi u përgjigj: “Pse,  a paske pritur që t’i përgjigjem ashtu siç paska dashur gazetari maqedonas? Atij do t’ia jap atë përgjigje që dua unë dhe që më intereson mua!”  Pra, përmes sjelljeve dhe qëndrimeve diplomatike, Hafëz Bedriu gjithnjë mundohej që ta vë në spikamë edhe problemin e shqiptarëve e që, për atë kohë ishte shkollimi sa më i madh dhe sa më i lartë.

Bashkëbiseduesi ynë na tregon se si Hafëz Bedriu asnjëherë nuk i është frikësuar komunizmit si doktrinë apo si filozofi,  e cila do të mund ta degjenerojë rininë tonë duke e larguar nga rruga e vërtetë,  si dhe nga besimi islam. Ai ishte i bindur se besimi në Zot rri dhe vjen duke u forcuar vetëm te një i shkolluar dhe jo te një i paditur. Ai e thoshte se doktrinat shkojnë e vijnë, sistemet hipin e fundosen, filozofitë dhe shkollat filozofike përjetojnë kulmin e vet,  por edhe rrënimin fatal, kurse besimi ngel e vetmja vlerë që kurrë nuk mund të zhduket, sepse garanci e ka vetë Zotin e Madhërishëm. Haxhi Ganiu rrëfen për brengën më të madhe të Hafëz Bedriut e që ka qenë shpërngulja masive për në Turqi. Edhe Hafëz Bedriut iu shpërngulën anëtarë të familjes – i shkuan vëllezërit, motra, të cilët e lusnin me lot në sy që të shkonte edhe ky atje, por Hafëz Bedriu u thoshte: “Jam shkolluar për kombin tim, nga kombi im dhe deri në frymën time të fundit do t’i shërbej kombi tim!” Këtë qëndrim e kishin dhe e kalisnin mes vete edhe shokët e ngushtë të Hafëz Bedriut, siç qenë: Mulla Rufati i Sarajit, Mehmet efendiu, Sami efendiu, Hajdar hoxha nga Orizari, me Qemal efendiun, me Xhemal efendiun e Nikushtakut,  si dhe me të gjithë ata hoxhallarë që përkujdeseshin për ta mbajtur gjallë edhe frymën kombëtare te çdo shqiptar i Maqedonisë.

Kështu e mban mend Haxhi Ganiu mikun e vet të jetës, Hafëz Bedri Hamidin, për të cilin lutet që në botën tjetër të takohet me të përpara se të takohet me babain e vet. Haxhi Ganiu kurrë nuk e harron përshëndetjen e fundit me Hafëz Bedriun.

– U sëmur pak, pati si duket një sulm të vogël në zemër. Në dhomën ku e kishin vendosur nuk lejonin askend tjetër përveç zonjës së tij. E ruanin tamam siç ruhet një personalitet i lartë shtetëror. Megjithatë, unë arrita që të futem në dhomë dhe, për shkak se koha ishte diku nga nëntë e darkës, u fut një infermiere dhe më qortoi shumë. Por, ndërhyri Hafëz Bedriu dhe më lejuan të qëndroj të paktën pesë minuta. U përkula dhe ia putha dorën, kurse ai u ngrit, u ul dhe u drejtua, më puthi në ballë dhe, në të dalë nga dera, u ktheva për ta parë. Hafëz Bedriu po më përshendeste me dy duart të ngritur, duke më thënë se shumë shpejt do të dilte. Hafëzi vonë pas mesnate kishte ndërruar jetë. Allahu e pastë dërguar në lule të Xhenetit.       

 

(P.s. Kjo bisedë me Haxhi Gani Arifin, afarist dhe humanist i njohur në Maqedoni, është realizuar dy javë para vdekjes së tij dhe botuar në numrin 305 të Revistës “Hëna e Re”, bisedë kjo që i dedikohet mikut të tij të madh, Hafëz Bedri ef. Hamidit, ish-kryetar i BFI-së)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit