13.1 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Kosova për 10 muaj ka shpenzuar 2.2 miliardë euro për produkte të huaja

Më të lexuarat

Moszhvillimi i prodhimit në Kosovë, në vazhdimësi dikton importin nga jashtë vendit.

Nga janari deri në tetor të vitit 2016, Kosova ka blerë prodhime të huaja në vlerë prej 2 miliardë e 260 milionë euro, ndërsa ka shitur vetëm 260 milionë euro. Kjo tregon për një disbalancë ndërmjet eksportit dhe importit, ndërsa hendeku mes tyre vazhdon të jetë dukshëm i madh.

Edhe më tutje partneri kryesor tregtar i Kosovës është Serbia, vend ky që nuk e njeh, por e pengon në vazhdimësi pavarësinë e Kosovës.

Pas saj vijnë Gjermania, Italia, Maqedonia, Shqipëria, Greqia, Polonia dhe Bosnja e Hercegovina.

Politikat e pafavorshme, mungesa e lëndës së parë, teknologjia e vjetruar, moskoordinimi i politikave në mes të ministrive dhe mungesa e përkrahjes për prodhimet vendore, janë disa nga faktorët që, sipas përfaqësuesve të biznesit dhe njohës të çështjeve ekonomike, kanë ndikuar që prodhimet vendore të mos arrijnë t’i bëjnë ballë konkurrencës së madhe të produkteve të importuara.

Qeveria duhet të nxisë sektorin e prodhimit

Ekonomisti Lulzim Beqiri thotë se dalja aq e madhe e parave jashtë vendit në aspektin ekonomik është shumë shqetësuese. Ai thotë se kjo ka të bëjë edhe me vetëdijen e qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk konsumojnë sa duhet prodhime vendore, të paktën për ato që Kosova i posedon.

“Tashmë dihet se kosovarët shpenzojnë shuma marramendëse në mallra të huaja, shpesh has që edhe në takime qeveritare produkte jo kosovare si uji e produkte tjera, andaj duhet një vetëdijesim më i madh i popullatës kosovare, gjithashtu edhe një mbështetje më e madhe nga ana e Institucioneve Shtetërore, mbështetje për prodhuesit kosovar he stimulim përmes politikave fiskale dhe financiare”, thotë Beqiri.

Ai thotë se shpenzimi i 2.2 miliardë eurove për mallra të huaja në aspektin ekonomik do të thotë se një vend që është i varur nga eksporti i produkteve që nuk ka kapacitet t’i prodhojë vetë

“Kjo tregon ai vend ose nuk ka politika të duhura qeveritare ose nuk ka vetëdijesim të duhur dhe dashuri për vatanin, vendi që është varur nga shtetet fqinje të cilat mund të jenë edhe armiqësorë, siç e kemi rastin me Serbinë që në ditë i dhurojmë nga 1 milion euro, që pa fijen e dyshimit i investon kundër shtetit të pavarur të Kosovës.

Ai thotë se për të ndryshuar kjo gjendje, Kosova duhet të zgjedh partnerë strategjik për bashkëpunim ekonomik siç është shteti ëmë Shqipëria, pastaj vendet mike si Turqia, Austria, Sllovenia e shumë vende mike.

“Do të duhej një vetëdijesim ma i madh i vendimmarrësve qe ta nxisin prodhimin vendor dhe t’i kemi produktet tona që lehtësisht mund ti prodhojmë”, thotë Beqiri.

Qeveritë e deritanishme kishin vetëm politika ekonomike ditore

Ekonomisti Mustafë Kadriaj ka thënë për tesheshi.com se për fatin jo të mirë Kosova ende po sillet si shtet konsumues karshi shteteve tjera si në rajon dhe më gjerë. Ai thotë se përkundër hyrjes në fuqi të pakos fiskale, ku qeveria e tanishme në deklarimet e tyre patën thënë se kjo pako do të ndryshojë raportin eksport-import për të mirë, si duket kjo mbeti vetëm fontanë dëshirash

“Pra ende raporti eksport-import është larg të një ekuilibri të mundshëm ku sipas shifrave kemi 86% import dhe eksport 14%. Qeveritë e deritanishme me politikat e tyre ekonomike ditore, pra jo me një strategji afatgjate, sepse kanë zgjedhur rrugën më të lehtë për ta mbushur arkën e shtetin. Por kjo nuk do të thotë që është e shëndetshme nga aspekti makroekonomik, sepse me ketë nuk kemi rritje të GDP-së, rritje e ulët ekonomike kjo ndikon në papunësi të lartë dhe mirëqenie të dobët e popullsisë dhe më e keqja kemi daljen e parasë nga Kosova”, thotë Kadriaj.

Ai thotë se qeveritë e deritanishme kanë eksportuar vetëm paratë e qytetarëve të varfër të Kosovës. Kadriaj mendon se për të ndryshuar ky disbalancë eksport-import, duhet të merren dy faktorë kryesor: të jetësohet ligji për investime strategjike dhe krijimi i infrastrukturës ligjore dhe teknike si përmirësimi i rrugëve dhe përmirësimi i furnizimit me energji elektrike.

“Duhet të përmirësohet investimi dhe përkrahja e ekonomisë bujqësore. Gjithashtu duhet të bëhet edhe rritja e kapaciteteve në turizmin malor, ku Kosova përmes klimës se saj ofron turizëm si në sezonin e verës dhe dimrit”, theksoi Kadriaj. /tesheshi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit