Politikani italian i famshëm për një sërë skandalesh më parë kishte njoftuar largimin e tij ka politika aktive, por tani ai ka ndryshuar vendim. 76-vjeçari Berluskoni dha një sinjal të fortë se mund të bëhet kandidat për kryeministër në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni, planifikon t’i rikthehet jetës politike.
Silvio Berluskoni, i cili vitin e kaluar u detyrua të jepte dorëheqjen nga posti i kryeministrit për shkak të krizës ekonomike dhe të shpallte largimin e tij nga politika aktive, u shpreh se nuk dëshiron të kandidojë për të kënaqur egon personale, por për të ardhmen e vendit.
Në një deklaratë mbi gjendjen e vendit, Berluskoni argumentoi se Italia është në buzë të greminës, prandaj nga shumë anë po i bëhet presion që të rikthehet në skenën politike. “I zhgënjeva të gjitha ata që kujtonin se unë kam marrë fund, mua s’mund të më ndalë askush”, tha ish-kryeministri italian i njohur edhe me epitetin “kalorësi”.
Ky vendim i Berluskonit, që synon të bëhet kryeministër për të gjashtën herë, u prit me habi të madhe. Shumë italianë janë kundër kthimit të tij në politikë.
Mundësia e rishfaqjes së Berluskonit në skenën politike ka ngjallur shqetësime edhe brenda partisë së tij.
Kolegët e tij më të besuar, të cilët mendojnë se “kalorësi” do t’i bëjë dëm vetes nëse merr pjesë në këto zgjedhje duke e ditur shumë mirë se do t’i humbasë ato, i sugjerojnë Berluskonit që të heqë dorë nga rikandidimi dhe të mos i japë fund në këtë mënyrë jetës politike.
Silvio Berluskoni, i cili aktualisht gjykohet për korrupsion dhe prostitucion, gjatë muajit nëntor të vitit 2011 ia dorëzoi detyrën Mario Montit, për shkak të krizës ekonomike.kohaislame