-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Mbrëmja famëkeqe e Maturës dhe maturantët

Më të lexuarat

O maturantë të mjerë!

A shihni ju, o maturantë! Apo në sytë tuaj gjenden perdet e shejtanit…?
O maturantë, ju a dëgjoni apo në veshët tuaj ka urinuar shejtani i mallkuar? Për çfarë po zbukuroheni, o maturantë? Për çfarë po festoni, o të mjerë maturantë?… 12,13 vite shkollë, 12, 13 vite mësim. Mësimi është ibadet, mirëpo ibadetin tuaj po e kurorëzoni në mënyrë të gabuar, në mënyrë të ndaluar me të cilën do ta hidhëroni Allahun tepër. Pas gjithë këtyre viteve shkollë ju sot dëshironi që të festoni diçka që është e ndaluar, gjithë ato vite me sjellje të mira, gjithë ato vite me nota të mira e sot kulmarin e viteve të kaluara do ta përfundoni në mënyrë të gabuar. Mendohuni mirë para se ta hidhëroni Allahun dhe dijeni që pas hidhërimit të Allahut zbret dënimi i Tij.

Kam dëgjuar njerëz të cilët thonë se, do të shkoj në mbrëmje për shkak të shoqërisë, për mos me u nda nga shoqëria, për mos me i shkëput lidhjet me shoqëri! E në fund të fundit kur t’ju vij vdekja shoqëria juaj ose vijnë ose nuk vijnë fare në varrimin tuaj. Edhe nëse vijnë, do t’ju mbartin mbi supet e tyre deri tek varri dhe do të ikin me nxitim pa ju përshëndetur fare, e ti o maturant i mjerë, i cili je nisur me ato mendime duke mos iu ndarë shoqërisë, kujto ato ditë në të cilat shoqëria jote do të braktisin ty dhe do të ikin nga ti! Ti o maturant, i cili për dëshirë të familjes e ke bërë nijet që të nisesh për në atë vend të mallkuar, kujto ato ditë te varri yt kur edhe familja do të të braktisin, e ti do të mbetesh vetëm me veprat tua, me ty do të mbetet vetëm mbrëmja famëkeqe e maturës dhe çdo gjë çka ke punuar mirë apo keq. Ti o maturant, sot po nisesh për të festuar përfundimin e disa viteve shkollimi, po nisesh me i shfry epshet dhe t’i plotësosh dëshirat tua dhe të shoqërisë tënde. A ke menduar se në të njëjtën kohë po e hidhëron Allahun tej mase? A ke menduar ndonjëherë që ta kënaqesh Allahun apo vetëm që ta hidhërosh? Mendohu mirë para se të nisesh atje në atë vend të mallkuar.

Kujtoni vdekjen, ajo ju vjen në befasi, ajo vjen kur nuk e pritni! Kujtojeni që vdekja mund t’ju zë në atë vend të mallkuar e si do të dilni para Allahut, me çfarë fytyre do të dilni para Allahut, o maturantë të mjerë?
O ju vajza, që sot jeni bërë maturante dhe keni vendosur të shkoni në mbrëmjen famëkeqe të maturës! A jeni ju ato vajza që deri dje patët turp të zhvisheni në shtëpitë tuaja? A jeni ju ato të cilat deri dje patët turp që t’ju shohin baballarët tuaj me rroba të gjumit apo me rroba të shkurta, e çfarë po ndodh me ju sot? A jeni ju ato që keni qenë dje apo keni ndryshuar rrënjësisht? Sot po dilni me rroba edhe më të shkurta se rrobat e gjumit, si sot nuk jeni veshur kurrë! Sot po dilni me rroba më të tejdukshme që ekzistojnë, por më e keqja sot po dilni para qindra mijëra njerëzve e dje patët turp të dilni para baballarëve tuaj me rroba të gjumit e tani pse kështu, çka ndodhur me ju? Kur ju kërkonin baballarët tuaj i thoshit prit deri sa të vishem e tash pse po zhvishesh para qindra njerëzve të huaj? Kur kërkonin baballarët tuaj një gotë ujë e ju ishit në veshje të gjumit apo në veshje të shkurta i thoshit prit deri sa të vishem e ta sjell ujin, dhe kur ju pritonit të vishni rroba më të gjata nuk prezantonit në drekë me baballarët tuaj fare e pse ju sot i cakërroni gotat me dhjetëra meshkuj? Tani të stër-zhveshura me veshje ekstreme dhe të tejdukshme, a jeni ju ato që ishit dje? Nuk mund të besoj dhe nuk mund ta imagjinoj se çfarë ka ndodhur me ju? Pse dje ashtu e sot krejt ndryshe?
O maturantë të mjerë keni frikë Allahun, keni frikë Zotin tuaj që ju furnizon vazhdimisht, keni frikë Zotin tuaj i Cili po ju lejon që ta shihni dritën e Tij dhe të merrni frymë në ajrin e Tij! Keni frikë Allahun, i Cili po ju lejon të ecni lirshëm mbi Tokën e Tij! E, sa mizorë që jeni dhe kurrë nuk e kujtoni as që e falënderoni Allahun dhe nuk tregoni aspak frikë-respekt për Të! Nëse dikush ju ndihmon diçka, ju sigurisht do ta falënderoni dhe do ta respektoni shumë e ku janë falënderimet tuaja ndaj Allahut për gjitha të mirat që Ai, i Madhëruari u ka dhuruar? Allahu – Krijuesi juaj dhe i çdo gjëje, ua ka dhënë të gjitha, u ka sjellë në këtë botë, u ka dhënë shikimin, dëgjimin, shijimin, këmbët, duart dhe çdo gjë në mënyrë të përsosur. Falënderimet ndaj Tij nuk ekzistojnë fare po ç’është më e keqja as nuk keni frikë ndaj Allahut, pasi që po i shkelni ligjet e Tij dhe nuk po shkoni rrugës së Tij.
Edhe mbrëmja e maturës është shkelje e ligjeve të Allahut pasi që është haram dhe i ndaluar organizimi, pjesëmarrja e të gjitha që çojnë në atë mbrëmje, por ja prapëseprapë Allahu po na le të jetojmë në tokën e Tij!

Oh, sa mizorë që jemi ne, nuk e njohim Allahun pos në vështirësi, pos kur jemi në rrezik, por dijeni se edhe durimi i Allahut ka kufij, edhe dënimi i Tij është shumë i ashpër. Mos e hidhëroni Allahun, kujdes, kujdes, kujdes! Ju lutem kujdes! Mos e hidhëroni Allahun që të zbret dënimi i Tij! Kthejuni Zotit tuaj të pastër si loti, të pastruar nga mëkatet duke bërë vepra të mira! Kthejuni Zotit tuaj me fytyra të ndritura, me fytyra të përulura, me fytyra të gëzuara dhe keni frikë-respekt ndaj Allahut që ta fitoni kënaqësinë dhe shpërblimin e Tij, Xhenetet në të cilat rrjedhin lumenj e atje ka çka syri s’ka pa, çka veshi s’ka dëgjuar dhe çka mendja s’ka ëndërruar dhe as që mundet t’i paramendojë bukuritë e Xheneteve. Kthejuni Allahut me lutje e adhurim para se t’i ktheheni të shtrirë në tokë me qefin, dhe t’ju mbulojnë me dhe në tokën e Allahut në të cilën ju e shkelët me mizori, me kryelartësi dhe kryeneçësi! Vazhdoni, por mos harroni se ka mundësi që tani t’ju vijë vdekja dhe përfundoi puna juaj e tani janë vetëm fjalët e Allahut në të cilat nuk ka dyshim, pasi që njerëzit duhet punuar mirë në këtë dynja që të pushojnë dhe të kënaqen në të ardhmen, në Xhenetet e Allahut.

Mendo çka ke përgatitur dhe çfarë po përgatit për të ardhmen tënde, për ahiretin tënd!
Por dijeni që me mbrëmje të maturës nuk mundni t’i fitoni Xhenetet e Allahut, por ju me mbrëmjen e maturës po e shkatërroni ahiretin tuaj dhe përfundimisht është nën dijen dhe kontrollin tuaj që të vendosni çfarë do të bëni për të ardhmen tuaj. Është e drejtë e juaja që të vendosni për veten tuaj dhe që të përgatisni vendin tuaj në ahiret por prapëseprapë mos harroni, mendohuni mirë para se të vendosni!

Kthejuni Allahut faqebardhë ashtu siç i ka hije robit të Allahut!
Vazhdoni kokulur në dynja që ta ngrehni kokën në ahiret dhe mos shkoni kryelartë në dynja pasi që në ahiret do të jeni të përbuzur, të përulur dhe të dënuar me zjarrin e Xhehenemit.
Allahu na udhëzoftë, Allahu na drejtoftë, Allahu na faltë gabimet që i dimë dhe ato që s’i dimë!

Çdo gjë që ia kam qëlluar është nga Allahu i Lartësuar dhe çdo gjë që kam gabuar është prej meje dhe prej shejtanit të mallkuar.

Zemra më është mërzitur andaj vendosa të shkruaj gjithë atë çka pata në zemër. Këto fjalë kanë dalë nga zemra dhe shpresoj që të depërtojnë në zemra, pasi që ua dua të mirën si vetes sime. Jam mysliman, Elhamdulilah, e dua Allahun, e dua Xhenetin, por dua që edhe ju ta doni Allahun dhe të informoheni mirë dhe mbarë që ta fitoni kënaqësinë e Tij dhe shpërblimin – xhenetet e Tij.
Allahu na bëftë prej banorëve të Firdeusit! Amin!
Dhe në fund, lus Allahun e Lartësuar që të mos jeni pjesë e mbrëmjes famëkeqe të maturës, që të jeni robër të Allahut e jo robër të shejtanit të mallkuar! Allahu na ruajttë dhe na faltë gabimet e kaluara!

Shkruar nga Berat Shatri

/pertymoter.net/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit