UNESCO ka kryer një mision urgjent në Halep nga e hëna deri të enjten këtë javë për të vlerësuar dëmtimin e ndërtesave që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore në botë
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) njoftoi se rreth një e treta e qytetit antik të Halepit është shkatërruar gjatë luftës në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
UNESCO ka kryer një mision urgjent në Halep nga e hëna deri të enjten këtë javë për të vlerësuar dëmtimin e ndërtesave që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore në botë. Janë konstatuar dëme të mëdha në xhaminë e madhe Umayyad, në fortesën Citadeli dhe te ndërtesat tjera historike.
Në deklaratën e UNESCO-s thuhet se “rreth 60 përqind e qytetit të vjetër të Halepit është dëmtuar seriozisht, ku 30 përqind janë shkatërruar plotësisht”.
Delegatët e UNESCO-s u takuan me përfaqësuesit e autoriteteve të qytetit dhe organizatave joqeveritare në Halep dhe sugjeruan që pjesa antike e qytetit të shpallet “zonë e urgjencës”.
Forcat e regjimit të presidentit Bashar Al-Assad në dhjetor pushtuan Halepin, duke i dhënë fund rrethimit katërvjeçar të pjesëve të qytetit më të madh dhe më të rëndësishëm në Siri, të cilat ishin nën kontrollin e forcave opozitare.