Burgu për mua ishte një burim force. Burgu paraqet simbol se jetojmë të lirë, se do të jetojmë të lirë dhe kështu të lirë do të vdesim, tha në një bisedë ekskluzive për Anadolu Agency (AA), lideri i Lëvizjes Islame Palestineze 1948, dijetari Raid Salah, i cili, pas nëntë muaj burg dje u lirua.
Pas lirimit të tij, në qytetin e tij të lindjes në Umm al-Fahm u organizua ceremoni e pritjes. Në bisedën për AA Salah iu referua qëndrimit nëntë-mujor në burg.
“Kam kaluar nëntë muaj në burgun Ramon në jug të territorit tonë, pranë Gazës. Ky është një burg, ku është e ndaluar të flasësh me të burgosurit tjerë, është e ndaluar të zgjatësh dorën të tjerëve. Të marrësh apo t’i japësh ushqim dikujt. Thjesht çdo gjë e ndaluar. Aty jeni plotësisht vetëm”, ishin fjalët me të cilat Salah filloi historinë e tij.
Ai tha se qëndrimi në dhomat e vetmisë është një lloj i torturës, i cili të burgosurit dëshiron t’i thotë se je plotësisht i vetëm në këtë botë.
“Kjo në fakt ishte një metodë e izolimit të plotë të njeriut nga bota në të cilën ndodhet. Një atmosferë e tillë është shumë e vështirë të përballohet për të burgosurit”, tha Salah.
Ai theksoi se Izraeli, përveç se dënoi atë, njëkohësisht ka dënuar dhe familjen e tij, për shkak të faktit se burgu ku ai vuajti dënimin ishte larg nga shtëpia e tij. Kështu edhe familja e tij e kishte të vështirë për ta vizituar.
Salah shtoi se e vetmja mundësi e komunikimit në burg ishte dritarja e vetmisë dhe kështu arriti të bisedonte me të burgosurit e tjerë.
Për të burgosurit e tjerë palestinezë, të cilët i kishte njoftuar në këtë mënyrë, tha se ata janë të fortë dhe se “të gjithë qëndrojnë drejtë”.
“Përmes dritares së qelisë time, flisja me një numër të të burgosurve nga Bregu Perëndimor, Rripi i Gazës. Bëhet fjalë për të burgosur të cilët janë dënuar nëntë herë me burgim të përjetshëm. Disa prej tyre ishin aty tashmë 14 vite. Edhe pse të ballafaquar me sfida dhe përpjekje të mëdha, morali dhe vullneti i tyre ishin shumë të forta. Asgjë nuk kishin humbur nga ndërgjegjja e tyre islame dhe kombëtare. Qëndronin në këmbët e tyre dhe të drejt si malet”, tha Salah.
Ai shtoi se gjatë qëndrimit në burg nuk ishte ekspozuar torturës apo keqtrajtimit të drejtpërdrejt, por se ishte nën një presion shumë të madh.
“Nuk kishte abuzime fizike. Por, kemi kaluar duke na marrë në pyetje që kanë zgjatur me orë të tëra. Kjo ishte metodë e torturës”, tha Salah.
Pasi u njoftua se më 12 janar do të lirohet, u paralajmërua se kundër Salah është duke u përgatitur një padi e re, e cila e akuzon për nxitje të dhunës dhe anëtarësim në një organizatë të ndaluar.
Salah ka thënë se e gjithë kjo është e pakuptimtë.
“Gjatë marrjes në pyetje në burg, më pyetën se pse u kisha thënë muslimanëve që të mbajnë kujdestari në Xhaminë Al-Aksa. U thashë se ky është një adhurim nga i cili kurrë nuk do të heqim dorë. Më parë kam bërë thirrje për këtë dhe në të ardhmen do të bëjë thirrje për të njëjtën. I kam këshilluar, gjithashtu, se kurrë nuk do të më frikësojnë me marrëzitë e tyre dhe se nuk do të më shmangin nga rruga ime”, tha ai.
Salah komentoi edhe në lidhje me tentimin e grusht shtetit në Turqi, gjatë së cilës ishte në burg.
“Falënderimi i qoftë Allahut i cili i turpëroi ata që tentuan të kryejnë këtë grusht shteti të mjerë në Turqi. Falënderimi i qoftë All-llahut, i cili i bashkoi zemrat e popullit turk dhe udhëheqësve të saj dhe ndihmoi popullin për të parandaluar grusht shtetin”, tha Salah.
Ai shtoi se në një mënyrë ka arritur të marrë informacion në lidhje me zhvillimet në Turqi, nga mesi i vitit të kaluar, dhe ka shtuar se e vetmja gjë që ka mundur të bëjë në atë kohë, ishte bërja e lujes dhe është lutur që qëllimet e shëmtuara ndaj Turqisë të jenë të dështuara.
“Kam dëgjuar atë natë fjalët e Presidentit turk Erdoğan i cili ftoi populli që të dalë në rrugë. Zoti gjithmonë e ruajttë Turqinë e cila do të jetë në themelet e drejtësisë”, tha Salah, duke shtuar se e do shumë Turqinë dhe liderin e saj, dhe e konsideron veten pjesë të Turqisë dhe Turqinë pjesë të tij.
Gjykata izraelite dijetarin Raid Salah më 18 prill 2016 e dënoi me nëntë muaj burg, me pretendimin se gjoja ka “nxitur urrejtje”, gjatë fjalimit të tij në hutbe, nëntë vite më parë. Salah nga maji i vitit të kaluar qëndroi në burg, në izolim.