13.1 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

“PKK-PYD/YPG” përdorin taborin e njëjtë terrorist

Më të lexuarat

Lidhja organike e PYD-së dhe krahut ushtarak YPG-së me PKK-në është e dukshme haptazi që nga themelimi i saj

ANKARA (AA) – AYNUR EKİZ

PYD/YPG, e cila u krijua me direktiva të kreut të organizatës terroriste Abdullah Ocalan në kongresin e tetë të PKK-së dhe e cila përdor taborin terrorist dhe kuadrin e njëjtë drejtues, ka emër të ndryshëm nga PKK, por vazhdon aktivitetet separatiste dhe terroriste duke përdorur organizatat e njëjta, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të përpiluara nga gazetari i AA-së, lidhja organike e PYD-së dhe krahut ushtarak YPG-së me PKK-në është e dukshme haptazi që nga themelimi i saj, megjithëse PYD/YPG mbështetet nga SHBA-të dhe shtetet perëndimore dhe përpiqet të shfaqet si strukturë e veçantë e cila nuk ka lidhje me PKK-në.

PYD/YPG është përpjekur të fitojë legjitimitet në arenën ndërkombëtare përmes luftimeve që ka zhvilluar me DEASH-in duke përfituar nga kaosi në Siri. Edhe pse ajo mohon lidhjen organike me PKK-në, dihet se themelimi i saj është realizuar me direktiva të vetë kreut të organizatës terroriste Abdullah Ocalan.

PYD u themelua në vitin 2003 në Siri me emrin “Partiya Yekitiya Demoqratik”, me vendimin e marrë në kongresin e tetë të PKK-së që u mbajt në prill të vitit 2002. Në periudhën nga viti 2003 deri në vitin 2010 lider i organizatës ishte Fuat Omer, ndërkohë që atë periudhë u burgosën anëtarët e organizatës të cilët regjimi i Asadit nuk i pëlqente. Për këtë arsye, shumë figura, përfshirë edhe Salih Muslim, u detyruan të arratisen në Irakun e veriut.

Në lëvizjet revolucionare që filluan në vitin 2011 nën ndikimin e “Pranverës Arabe”, organizata hyri në bashkëpunim me regjimin, duke rifilluar aktivitetet politike dhe të armatosura të ndaluara paraprakisht, ndërkohë që edhe anëtarët e burgosur të organizatës u lanë të lirë.

Theksimi i PKK-së në statutin e partisë

Në statutin partiak të PYD-së, Abdullah Ocalan pranohet si lideri i të gjithë popujve kurdë, kurse potencimi se organizata vepron e varur nga këshilli ekzekutiv i PKK-së tregon haptazi për lidhshmërinë mes PKK-së dhe PYD-së.

PYD, e cila bashkëudhihqet nga Salih Muslim dhe Asya Abdullah, në veri të Sirisë i vazhdon aktivitetet separatiste dhe terroriste me ideologjinë e Abdullah Ocalanit. Në statutin e partisë, për Kongra-Gel, emër tjetër i PKK-së, thuhet se është “Organi i lartë ligjvënës për popullin e Kurdistanit”. Ngjashëm, në statutin e partisë po ashtu theksohet se “Abdullah Ocalan është kryesues i KCK-së, të gjithë popujve kurdë dhe Kongra-Gel-it dhe se kjo pranohet nga vetë ata”.

Nga ana tjetër, parimi i Ocalanit për “përvetësimin e metodës së civilizimit demokratik”, është kusht për anëtarësimin në parti.

Vëmendje tërheq edhe fakti që në mesin e detyrave të kuvendit prej 25 anëtarëve të caktuar nga ana e kongresit që paraqet organin më të lartë vendimmarrës të partisë, është “të mbështeten institucionet dhe partitë e afërta me të në shtetet fqinje dhe në rajonet e emëruara si Kurdistan”.

Kalueshmëria midis HPG-PJAK-YPG

Terroristët e HPG-së që vepron nën çatinë e PKK-së, në ngjarjet që u emëruan si “Mbrojtja e Kobanit”, kishin kaluar në radhët e YPG-së. Rrjedhimisht, kjo tregon për një kalueshmëri sipas nevojës mes HPG-së, e cila është e varur nga PKK-KCK, dhe PJAK-ut dhe YPG-së.

Në një lajm të publikuar në gazetën Wall Street Journal ishin paraqitur fjalët e ish-ushtarakut amerikan Jamie Lane. Deklarata e Lane se “Midis PKK-së dhe YPG-së nuk ka asnjë dallim; pjesëtarët e PKK-së bëhen pjesëtarë të YPG-së vetëm duke i ndërruar uniformat”, tregon se militantët shfaqen si pjesëtarë të HPG-së kur luftojnë në Turqi, si pjesëtarë të PJAK-ut kur luftojnë në Iran dhe pjesëtarë të YPG-së në Siri.

Pas pohimeve se PKK do t’i bashkangjitej PYD-së nëse do të tërhiqej nga Turqia, bashkëkryetari i PYD-së Salih Muslim kishte zhvilluar një intervistë për BBC Turqisht në maj të vitit 2013. Muslim kishte shpalosur këtë kaliueshmëri duke thënë se “Nuk kemi nevojë për një mbështetje të këtillë. Kemi luftëtarë të trajnuar mjaftueshëm. Nëse është e nevojës, atëherë mund të flitet për këtë”.

Organizatë terroriste që kryen krime lufte

Për më tepër, përmes raporteve të ndryshme është vënë në dukje se krahu i armatosur i PYD-së ka kryer krime lufte në veri të Sirisë. Në një raport të Amnesty International të publikuar më 13 tetor të vitit 2015 të titulluar “Nuk kemi vend ku të shkojmë”, është konstatuar se YPG i ka sjellë në gjendje të pashfrytëzueshme rajonet e banuara nga civilë arabë dhe turkmenë dhe se ka kryer krime lufte dhe ka shkelur të drejtat e njeriut duke i dëbuar me dhunë banorët e rajonit.

Në raport theksohet se fshatrat arabe dhe turkmene në veri të Sirisë janë djegur dhe fshatarët janë kërcënuar me vdekje për ta braktisur rajonin nga ana e të ashtuquajturës administratë autonome nën udhëheqjen e PYD-së.

YPG përdor ushtarë fëmijë

Më 15 korrik të vitit 2015, Human Rights Watch (HRW) bëri të ditur se YPG nuk e ka mbajtur fjalën për largimin e ushtarëve fëmijë nga organizata dhe se në këtë mënyrë ka shkelur ligjet ndërkombëtare.

Në deklaratën e HRW-së u rikujtua se më 5 qershor të vitit 2014 YPG kishte nënshkruar marrëveshje me organizatën civile “Geneva Call” për tërheqjen nga zonat e konfliktit të pjesëtarëve nën moshën 18-vjeçare, megjithatë, edhe krahas kësaj, siç thuhet në deklaratë, janë konstatuar raste të përfshirjes në luftime të fëmijëve të mitur në YPG dhe krahun e saj të femrave YPJ.

Terroristë që luftojnë edhe në radhët e PKK-së, edhe në radhët e YPG-së

Në mesin e shembujve që janë indikacion i asaj se terroristët kanë luftuar edhe në radhët e PKK-së, edhe në radhët e YPG-së, është i ashtuquajturi “përgjegjës për aksionet në Turqi” i strukturës rinore të PKK-së, Enver Güngör, me emrin e koduar “Ferman”.

Güngör, i cili është përpjekur të hyjë në Turqi në mënyra ilegale, më 14 shkurt të vitit 2016 u kap dhe burgos në Şanlıurfa të Turqisë. Në dëshminë e tij, Güngör rrëfeu se para zgjedhjeve lokale të 30 marsit të vitit 2014 kishte shkuar në Kandil për t’u pajisur me trajnim për armë dhe nga aty kishte kaluar në Kobani për të luftuar kundër organizatës terroriste DEASH.

Enver Güngör po ashtu tregoi se në vitin 2015 kishte kaluar në Turqi dhe kishin organizuar mbledhje në lidhje me aksionet që do t’i ndërmerrnin, duke pranuar më tej se kishte qenë i pranishëm në disa prej aktiviteteve të armatosura në Diyarbakır.

Reagimet ndaj mbështetjes së SHBA-ve dhe shteteve perëndimore për PYD-në

Gjersa të gjitha këto të vërteta janë në pah, shumë vende perëndimore me në krye SHBA-të vazhdojnë përmes deklaratave ta shfaqin mbështetjen që ia japin organizatës. Qeveria amerikane në çdo rast ka pohuar se “PYD nuk është organizatë terroriste dhe nuk ka lidhje me PKK-në”, ndërsa së fundmi, ajo e shfaqi këtë mbështetje përmes Komandës Qendrore të SHBA-ve (CENTCOM).

CENTCOM, në rrjetin social Twitter postoi deklaratën e Forcave Demokratike Siriane (FDS), pjesën më të madhe të së cilës e përbëjnë krahu i PKK-së në Siri PYD/YPG, se “nuk kemi lidhje me PKK-në”, duke mbështetur kështu PYD-në.

Ky postim nxiti reagime nga Ankaraja, me çka zv/sekretari i përgjithshëm dhe zëdhënësi i Presidencës së Turqisë Ibrahim Kalın reagoi po ashtu përmes rrjetit social Twitter. “A është kjo një shaka ose CENTCOM ka humbur logjikën? A mendoni se dikush do ta besojë këtë? Shtetet e Bashkuara duhet të ndalojnë përpjekjet për të legjitimuar një grup terrorist”, u shpreh Kalın në llogarinë e tij në Twitter.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit