9 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Merkel: Nuk ka garanci të përjetshme për bashkëpunimin SHBA-BE

Më të lexuarat

Kancelarja gjermane ka thënë se do të ishte “naive” nga ana e BE që ta konsiderojë gjithmonë të sigurtë mbështetjen e SHBA. Ajo bëri thirrje për më shumë solidaritet brenda BE pas Brexit dhe fitores së Donald Trumpit.

Kancelarja gjermane Angela Merkel kërkoi në një fjalim të mbajtur të enjten në Bruksel që Bashkimi Evropian “të marrë më tepër përgjegjësi” në politikën botërore. Kjo thirrje bëhet në një kohë, kur në Evropë janë shtuar shqetësimet për angazhimin ndaj bashkëpunimit transatlantik të Presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump.
“Nga këndvështrimi i disa prej partnerëve tanë tradicionalë- dhe me këtë kam parasysh edhe marrëdhëniet transatlantike – nuk ka garanci të përjetshme për një bashkëpunim të ngushtë me ne, evropianët”. Kështu u shpreh Kancelarja Merkel para të pranishmëve në Bruksel, pasi kishte pranuar më parë tituj si doktore nderi nga universitetet prestigjoze belge, Leuven dhe Ghent.
Kancelarja nuk e përmendi me emër Donald Trumpin. Por fjalët e saj duket se u referoheshin vërejtjeve të liderit të ardhshëm amerikan, se ai do të shqyrtojë kontributet financiare të një vendi në aleancën e NATO-s përpara se të nisej ta ndihmonte atë vend. “Evropa po përballet me sfidat më të mëdha në dekada”, tha Merkeli duke përmendur konfliktet në kufijtë e Evropës si atë në Ukrainë.

Ajo shtoi se do të ishte një qëndrim “naiv ta konsiderosh të sigurtë se të tjerët do të zgjidhin problemet në fqinjësinë tonë.”
Merkeli tha se vota shokuese e Britanisë së Madhe për t’u larguar nga Bashkimi Evropian e ka rritur rëndësinë e solidaritetit brenda pjesës tjetër të bllokut. Kjo ka dalë në pah edhe në diskutimet që janë bërë për të intensifikuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe në çështje të tjera.
“Këtë vendim ne duhet ta shohim si një shtysë për të bashkëpunuar (për synimin) e mbajtjes së Evropës të bashkuar, për ta përmirësuar atë dhe për ta sjellë atë sërish më pranë qytetarëve”, tha ajo. Në takimin e nivelit të lartë në dhjetor, Bashkimi Evropian ra dakord që të ndërmarrë hapat e parë drejt zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.
Kancelarja Merkel, e cila kërkon të rizgjidhet në post këtë vit është kritikuar në Evropë për politikën e saj ndaj refugjatëve sirianë. Të enjten ajo tha edhe se Evropa duhet ta përshpejtojë punën e saj për miratimin e një regjistri të hyrjeve dhe të daljeve në BE, për t’i kontrolluar në këtë mënyrë më mirë kufijtë e Bashkimit Evropian./kumti.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit