Kryeministri Binali Jëlldërëm në fjalën që mbajti në një drekë pune shtruar për pjesëmarrësit në Konferencën e 9-të të Ambasadorëve në Ankara, tha se “Siguria e Evropës fillon nga Turqia”.
“Siguria e Evropës fillon nga Turqia. Nëse Turqia nuk është e sigurt, Evropa nuk mund të jetë aspak e sigurt”, tha kryeministri Binali Yıldırım (Binali Yıldırım), në fjalën që mbajti në një drekë pune shtruar për pjesëmarrësit në Konferencën e 9-të të Ambasadorëve që vazhdon punimet në Ankara.
Evropa mike dhe aleate bën dallime mes organizatave terroriste, u shpreh Jëlldërm dhe shtoi: “Kur bëhet fjalë për PKK-në ata janë tolerant, por kur është fjala për DEASH-in, atëherë jo. Të bësh preferenca ndërmjet organizatave terroriste është tradhtia më e madhe që mund t’i bëhet njerëzimit dhe paqes në botë”.
Kryeministri Jëlldërëm sqaroi se “burimi i irritimit të Turqisë ndaj vendeve evropiane është se, pas tentativës së FETO-s për grusht shteti, në vend që këto vende të dënonin fuqishëm tentativën na thanë ‘mos i mundoni shumë puçistët’.
“Kjo nuk guxon të ndodhë. Fillimisht duhet të dënoni sulmin pa lënë hapësirë për dyshime, dhe pastaj të besoni se Turqia është shtet i të drejtës. Turqia nuk ka nevojë për leksione juridike. Turqia e zbaton drejtësinë e saj në mënyrë të njëjtë me atë çfarë kërkojnë kushtet universale”, nënvizoi Jëlldërëm.
Në fjalën e tij Kryeministri u ndal edhe në bisedimet e Qipros që vazhdojnë në Zvicër, duke theksuar se në ishull duhet garantuar një sistem qeverisjeje, i cili të jetë i drejtë dhe i barabartë.
“Nuk mjafton vetëm besimi i komuniteteve ndaj njëri-tjetrit. Në dritën e përvojës së hidhur që është përjetuar në të kaluarën duhet garantuar çdo gjë”, u shpreh Jëlldërëm, duke shtuar se “për palën turke garancia është Turqia, dhe për palën grekoqipriote është Greqia”.
Jëlldërëm tha se dëshira më e madhe është që bisedimet që kanë filluar në Gjenevë të vazhdojnë jo vetëm për të pasur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në ishull, por në mënyrë që këtu të vendoset edhe për një shtet me dy federata që do të drejtohet me rotacion.
“Ne kemi dhënë dhe do të vazhdojmë të japim kontributin tonë për këtë”, përfundoi Kryeministri Jëlldërëm.