Andrey Karlov i cili humbi jetën si pasojë e një sulmi të armatosur në Ankara, është përcjellë sot drejt Moskës përmes një ceremonie shtetërore
ANKARA (AA) – Ambasadori i Rusisë në Ankara, Andrey Karlov i cili humbi jetën si pasojë e një sulmi të armatosur në Ankara, është përcjellë sot drejt Moskës përmes një ceremonie shtetërore, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e organizuar në aeroportin Esenboğa në Ankara merrnin pjesë zëvendëskryeministri turk Tuğrul Türkeş, ministri turk i Punëve të Brendshme Süleyman Soylu dhe ministri i Drejtësisë Bekir Bozdağ. Në ceremoni të pranishëm kanë qenë edhe zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.
Ceremonia ka nisur me një qëndrim nderi për të ndjerin, ndërkohë që të pranishëm kanë qenë edhe familjarët si dhe zyrtarë të lartë të Ambasadës së Rusisë në Ankara. Trupi i pajetë i ambasadorit Karlov është dërguar në avion në krahët e ushtarëve të Gardës së Republikës.
Ndërkohë në fjalimin e mbajtur në këtë ceremoni, zëvendëskryeministri i Turqisë, Turkeş, ka vënë në dukje se janë mbledhur për një detyrë shumë të vështirë, siç është ajo e lamtumirës së ambasadorit Karlov.
Duke vënë në dukje se Karlov që nga momenti i emërimit ka punuar për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, Turkeş tha se ai ka përfaqësuar vendin e tij në mënyrë dinjitoze dhe me nder.
“Për fat të keq detyra e ambasadorit ishte në një kohë të vështirë për marrëdhëniet Turqi-Rusi, në një kohë ku kaluam shumë sporva. Me vullnetin e dy popujve dhe dy liderëve të vendeve si dhe me ndikimin e ambasadorit Karlov i lamë pas këto sporva, por tentuan edhe njëherë të prishin këto marrëdhënie përmes një provokimi”, tha Turkeş.