Në një botë që feston marshimin e mëtejshëm të demokracisë, populli Palestinez është lënë pas. Kur zgjedhjet e para të lira (të njohura ndërkombëtarisht si të ndershme dhe transparente) u mbajtën në territoret e pushtuara në 2006, fitorja demokratike e Hamasit i zhyti me shpejtësi palestinezët në një cikël të pafund të dhunës. Populli kishte zgjedhur fituesit e gabuar dhe ka qenë i ndëshkuar rregullisht dhe brutalisht për gabimin e tij të atëhershëm. Duke votuar për luftëtarët, ishte si ti kishin dhënë Izraelit një dorë të lirë për ta trajtuar të gjithë popullsinë si “terroristë”, me burgosje, ekzekutime masive, torturë dhe goditje sistematike ajrore, për të mos përmendur poshtërimet e përditshme në pikat e kontrollit ushtarak dhe tmerrin e murit aparteid të turpit. Çfarë suksesi i mrekullueshëm për demokracinë! Voto lirisht, për tu bërë banor i kampeve të burgimit.
Nuk ka asnjë zgjidhje në horizont. I ashtuquajturi “proces i paqes” kurrë nuk i përmbushi premtimet e tij. Ndërsa qeveria izraelite dhe kolonizatorët vazhdojnë kolonizimin e tyre të ngadaltë – duke shkatërruar thellësisht nocionin e dy shteteve – dialogu prishet dhe vdes. Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obamna, ky laureat i çmimit Nobel,me përjashtim të një pjese të vogël fjalimesh, asnjëherë nuk lëvizi as gishtin për paqe, duke braktisur mbi gjysmën e palestinezëve. Përkundrazi, ai ka kryer mbështetje të njëanshme për Izraelin edhe përtej paraardhësve të tij. Gjatë fushatës së fundit të zgjedhjeve amerikane, në kërkim të një mandati të dytë, ai i lau totalisht duart nga Palestina. Lënia e Arabëve të vriten në Palestinë dhe në Siri, e bëri këtë veprim të dukej se e meritonin. Gjithashtu, zgjedhjet e ardhshme “demokratike” në Izrael janë të lidhura me përplasjet e dhunshme më të mëdha të kohëve të fundit, bombardime ajrore, vrasje të shënjestruara dhe vdekje të dhjetërave- dhe së fundi edhe qindra civilëve. Vrasja e palestinezëve dhe vendosja e forcave të armatosura, e cila vetëm rrit rrezikun, është strategjia e fitores së kryeministrit Benjamin Netanjahu. Mesazhi i vërtet i zgjedhjeve demokratike në Izrael dhe SHBA është ky- vrit dhe të lë të vrasësh.
Përgjigjja e regjimeve të zgjedhura në mënyrë demokratike, që morën pushtetin në prag të zgjimit arab duhet të jetë më shumë se sa thjesht simbolike. Dërgimi i menjëhershëm i ministrave të jashtëm egjiptian dhe tunizian duhet të përshëndetet, ashtu si edhe pozicioni i vendosur i kryeministrit turk Rexhep Tajip Erdogan, ashtu si edhe në vitin 2008 edhe sot, duhet të përshëndetet. Këto janë shenja të qarta se kohët kanë ndryshuar dhe politika e qeverisë në këto vende pasqyron tashmë ndjenjat popullore. Por strategjitë rreptësisht kombëtare, kontribuojnë vetëm në izolimin dhe nuk mund të ndërtojnë një qasje të bashkërenduar rajonale fortësisht të mjaftueshme, për ti dhënë rëndësi zhvillimeve të ardhshme. Rezultati mund të jetë një rrëmujë e shkurtër emocionale, me masat arabe që shprehin zemërimin e tyre dhe mbështetjen për iniciativat e autoriteteve tuniziane, egjiptiane dhe turke, por me asnjë rezultat të qëndrueshëm, pasi Izraeli vazhdon sulmet e tij dhe synon të përmbushë objektivat e tij.
Edhe njëherë tjetër, Palestinezët mund të bien viktima të shfrytëzimit populist dhe nacionalist të kauzës së tyre. Zyrtarët e rinj të zgjedhur dënojnë vendosmërisht këtë çështje, popullatat e tyre tregojnë zemërimin dhe palestinezët vazhdojnë të vdesin. Kauza palestineze bën thirrje për më shumë se mbështetje verbale nga vendet arabe – ka ardhur koha të formohen koalicione, që të hartojnë strategji, që do të mund të përfshinin shtetet nga Lindja e Mesme, deri në Amerikën Latine, Afrikën Jugore dhe Azinë, për të themeluar një front të vërtetë për të mbrojtur drejtësinë, të drejtat dhe dinjitetin e palestinezëve në një mbrojtje të vendosur të shtypurve kundër shtypësve të tyre.
Media perëndimore, në një union virtual, pretendon se Izraeli është thjesht duke mbrojtur veten e tij kundra sulmeve me raketa të palestinezëve. Çfarë mashtrimi! Është përsëritur skenari i vitit 2008, me median që derdh prapa propagandën mashtruese të qeverisë së Izraelit. Për javë dhe muaj, avionët e pilotuar dhe telekomanduar kanë fluturuar mbi Gaza, duke terrorizuar popullsinë dhe goditur në shënjestra individuale. Muajin e kaluar izraelitët sulmuan katër herë Gazën: Udhëheqja palestineze nuk reagoi ndaj provokimit deri pas vrasjes së një fëmije.
Një raketë u hodh, pas marrëveshjes së ndjekur lidhur me armëpushimin nga të dyja palët, një ditë para eliminimit fatal të kreut të Hahasit, Ahmed Xhabari! Ndërkohë, Izraeli sulmon, vret dhe provokon në heshtje dhe e paraqet veten e tij në media si një viktimë që duhet të mbrojë veten e vet. Skenari është i njëjtë me atë të vitit 2008, i cili i kushtoi jetën afërsisht 1 500 palestinezëve.
Bota Arabe është e destabilizuar dhe e dobësuar. Lufta civile në Siri (ku komuniteti ndërkombëtar duket se pajtohet të mos pajtohet dhe lejon situatën të përkeqësohet), tensionet në Liban, politika e jashtme e koklavitur e Iranit, destabiliteti në Egjipt dhe Tunizi, Jemeni dhe Jordani bëjnë kombinimin e vështirësimit të saj- ndoshta edhe më shumë se nën diktaturat e së kaluarës – për të ndërmarrë veprime të përbashkëta. Dhe të gjitha këto teksa, Izraeli i shtynë përpara politikat e tij afatgjata të fakteve në terren: Të izolojë Gazën, të largojë Mahmud Abasin, të ndëshkojë rezistencën dhe të rrisë ritmin e kolonizimit, derisa asnjë produkt paqeje të mbetet i mundshëm. Qeveria e Izraelit nuk e do paqen. Ajo po luan për kohën, ashtu sikurse disa ministra të kabinetit e pranojnë tashmë haptazi.
Dhe ende kjo është një turp. Në mendjet e perëndimorëve, të ngritur mbi vlerat e Iluminizmit që parashtron barazinë themelore për të gjithë njerëzit, ideja që jeta dhe gjaku i arabëve- dhe në një kuptim më të gjerë, ato të myslimanëve sot- janë me më pak vlerë se jetët dhe gjaku i izraelitëve, i jetëve dhe gjakut të grave, fëmijëve dhe burrave të fuqive dominuese. Ky racizëm, qoftë i institucionalizuar me ligj apo i pranuar formalisht, qëndron në thelbin e Barrës së Njeriut të Bardhë dhe në rrënjët e regjimeve “aparteide”. Ajo ushqeu projektin Sionist qysh në zanafillën e tij dhe është zgjeruar tani, nga politikat kolonizuese të qeverisë në veri, në media dhe në perceptimet popullore. Qeniet njerëzore janë kategorizuar- njerëzit si ne, apo ata që duken si ne, janë më të denjë për të jetuar sesa “të tjerët”. Ky rikthim i shtypjes është i mbushur me rrezik. Ne po jetojmë në kohë të vështira. Ndoshta i mbetet Jugut Global të refuzojë këtë logjikë mjerane, ndoshta është koha që njerëzit e ndërgjegjshëm të ngrihen, të flasin dhe të shpallin se vdekja e palestinezëve të pafajshëm e njollos heshtjen tonë me faj. Ndoshta është koha të shkojmë përtej fjalëve të bukura dhe të organizojmë bojkote dhe fushata kundra rrethimit, sanksione dhe aleanca të gjera, për të mobilizuar, vepruar dhe për ti bërë të ditur autoriteteve izraelite se arroganca dhe shurdhimi i sotëm, reflektojnë vetëm shtrirjen e humbjes në të nesërmen.
Tarik Ramadan/ardhmeria