Ministri turk i Shëndetësisë Recep Akdağ tha se “Në Halep me të vërtetë po ndodh një tragjedi e madhe dhe ka probleme shumë të mëdha në aspektin shëndetësor”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën për gazetarin e AA-së në Erzurum, ku ishte për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të rreshterit të këmbësorisë Arif Tuğ i cili ra dëshmor në sulmin terrorist në Kayseri, ministri Akdağ rikujtoi se si pasojë e sulmit terrorist që ndodhi ditën e shtunë në Kayseri, 14 ushtarë ranë dëshmorë ndërsa 55 persona mbetën të plagosur.
Duke theksuar se ende vazhdon trajtimi i të plagosurve, Akdağ tha se “Aktualisht nëpër spitalet e Kayserit kemi 40 të plagosur. Në fakt të gjithë këta janë në gjendje të mirë për të dalë nga spitali, mirëpo duke marrë parasysh gjendjen shpirtërore dhe mundësinë të kenë pësuar trauma, është parë më e përshtatshme të mbahen në spital më gjatë”.
Sipas ministrit Akdağ, Kayseri është qendër e rëndësishme shëndetësore dhe nuk bëhet fjalë për transferimin e të plagosurve në ndonjë spital tjetër.
Ndërkaq, në lidhje me sulmin terrorist në Stamboll, Akdağ bëri të ditur se në spitale ka ngelur numër i vogël i të plagosurve.
Letër për Halepin Organizatës Botërore të Shëndetësisë
Në lidhje me problemet në Halep, Akdağ potencoi se Turqa po ndërmerr iniciativat e nevojshme në aspektin diplomatik.
“Iniciativat e fundit të presidentit tonë të nderuar në lidhje me këtë çështje kanë qenë shumë efikase. Krahas kësaj, kemi marrë masa për të plagosurit që mund të hyjnë në shtetin tonë, apo thënë më mirë, të pl agosurit që do t’i sjellim ne. Ekipi Kombëtar Mjekësor i Shpëtimit dhe Shërbimi i Emergjencës 112 i sjell në këtë pjesë të kufirit dhe pas trajtimeve të nevojshme në spitalet tona fushore, ata tranfserohen nëpër spitelat brenda vendit”, tha Akdağ.
Duke tërhequr vëmendjen se drama njerëzore në Halep është shoqëruar me pamjaftueshmëri në shërbime shëndetësore, Akdağ tha se shumica e të plagosurve dhe të sëmurëve janë të plagosur dhe sëmurë që më parë.
“Kjo tregon se në Siri, Halep, nuk ofrohen shërbime shëndetësore. Para ca ditësh, unë shkrova një letër deri te Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Në fakt, OBSH duhet marrë një iniciativë tërësisht larg shqetësimeve politike. Në këtë drejtim, më duhet të pranoj se iniciativa e OBSH-së ka qenë e dobët. Me këtë letër, kryetarit i rikujtova se kjo iniciativë duhet ndërmarrë në mënyrë më të fuqishme. Në Halep me të vërtetë po ndodh një tragjedi e madhe dhe ka probleme shumë të mëdha në aspektin shëndetësor”, tha ai.
Më pas, ministri Akdağ u nis drejt rajonit Şenkaya me helikopter ushtarak për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të dëshmorit Tuğ./AA