4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Tre të mbijetuar të Srebrenicës flasin për Halepin: bota nuk paska nxjerrë asnjë mësim nga tragjedia jonë

Më të lexuarat

“Hasan Hasanoviç po qëndronte në para shtëpisë së tij në Srebrenicë, kur pa që ushtarët serbë të Bosnjës duke u afruar. E vetmja mënyrë për të mbijetuar ishte të arratisej.” Me këto fjalë fillon shkrimin BBC me rrëfimet e të mbijetuarve të krimit të Srebrenicës, duke folur për mënyrën se si ata e shohin situatën në Halep.

Siç thonë ata, e gjitha ka ndodhur më 11 korrik 1995, dy vite para se OKB ta shpallë Srebrenicën zonë e sigurtë për civilë.

Muslimanët boshnjakë nga zonat përreth po kërkonin strehim në Srebrenicë, ndërkohë që serbët e Bosnjës po kryenin spastrim etnik duke dëbuar popullsinë joserbe, shkruan BBC.

“Rreth 20.000 refugjatë kanë ikur në Srebrenicë atëbotë, nën mbrojtjen e paqeruajtësve holandezë të OKB-së. Megjithatë, forcat serbe të Bosnjës, të udhëhequr nga komandanti Ratko Mlladiç pushtuan qytetin dhe filluan granatimet”.

Ditën e rënies së Srebrenicës, Hasani ishte 19 vjeç.

“Të gjithë ne menduam se OKB do të na mbrojë deri në fund të luftës. Po prisnim të përfundojë lufta, duke menduar se jemi të sigurt nën mbrojtjen e OKB-së. Nuk pata kohë as të shkoj në shtëpi dhe t’u them lamtumirë. Ne e dinim se në qoftë se do të shkonim në bazën e OKB-së nuk do të jemi të mbrojtur, ne e dinim se do të na dorëzojnë para serbëve të Bosnjës dhe do të na vrasim”, i tha ai BBC.

Ai thotë se mijëra njerëz dolën në rrugë kur e panë ushtrinë që po afrohet. Me vëllain e tij binjak, babain dhe xhaxhain filluan të ikin në pyllin e dendur në periferi të qytetit, ku ai i bashkangjitet një kolone prej 12 mijë njerëzish, të cilët po ashtu besonin se alternativa e tyre e vetme ishte që të ikin.

Atë mbrëmje ata u nisën për në Tuzlla, 55 kilometra larg, shkruan BBC, duke thënë se kjo nuk ishte një rrugë e lehtë, se gjatë rrugës duhej të kalonin nëpër male dhe lumenj, dhe se sulmet e shumta e ndanë grupin në disa pjesë.

“Çdo ditë, rruga për në Tuzlla ishte luftë për për të mbijetuar. Vazhdimisht kam qenë në prag të jetës dhe vdekjes. Më gjuanin si të isha një kafshë”, thotë Hasanoviç.


BBC thekson se janë dashur gjashtë ditë për të arritur në Tuzla, dhe se rrugën e kanë përfunduar vetëm një pjesë e atyre që u nisën nga Srebrenica. Hasanoviç gjatë rrugës ka humbur anëtarët e familjes, dhe vetëm disa vite më vonë e ka kuptuar se ata u vranë të gjithë.

Të afërmit e tij që mbetën në Srebrenicë mbijetuan për shkak se ata u strehuan në bazën e OKB-së në Potoçari. Dy javë më vonë ata arritën në Tuzla.

“Ajo prej çfarë Hasani kishte ikur nga Srebrenica ishte krimi më i rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Për vetëm disa ditë u vranë 8 mijë burra dhe djem. Pyetja se përse paqeruajtësit nuk i mbrojtën të vrarët mbetet e hapur edhe sot e kësaj dite “, shkruan BBC.

Por megjithëse rrethanat në Halep ndryshojnë nga ato në Srebrenicë, të mbijetuarit e kësaj të fundit ndihen të zemëruar për shkak se forcat ndërkombëtare nuk arritën të mbrojnë civilët, të cilët sërish janë në shënjestër.

Hasani u kthye në Srebrenicë, prej ku ai shikon tragjedinë dhe beson se ka shumë ngjashmëri në mes dy qyteteve.

BBC shkruan se ka shqetësim në rritje lidhur me fatin e të paktën 50 mijë civilëve, sipas vlerësimeve të OKB-së, të cilët mbahen të rrethuar aty nga forcat qeveritare dhe janë ekspozuar bombardimeve intensive.

Rebelët që janë kundër presidentit Bashar al-Assad kanë mbajtur pjesën lindore të qytetit që nga viti 2012. Megjithatë, një ofensivë e ushtrisë siriane e shkallës së gjërë me mbështetjen e forcave ruse nga ajri, ka shtypur rebelët në një sipërfaqe prej vetëm 2.5 kilometra katrorë, shkruan BBC.

Gjithashtu, OKB-ja thotë se ka prova të qarta për ekzekutim të 82 civilëve nga qeveria siriane, informata këto të cilat qeveria siriane i mohon. Banorët e Halepit thonë se trupat e të vrarëve kanë mbetur në rrugë dhe se njerëzit janë të frikësuar për të dalë dhe për t’i zhvendosur nga aty, thotë BBC dhe shton se mungon ushqimi dhe çfarëdo kujdesi mjekësor për të plagosurit, dhe shumë njerëz janë aq të dëshpëruar sa që kanë postuar edhe mesazhe lamtumirëse nëpër rrjete sociale.

“Njerëzit në Halep ndjehen njejtë sikurse ne. Jemi ndier të braktisur, sikur nuk i takojmë këtij njerëzimi. Nuk na kanë trajtuar si njerëz. Vazhdimisht e përsërisim të njejtën: ‘kurrë më’, por kur vie puna te veprimi, nuk bëjmë asgjë për të parandaluar që gjëra të tilla të mos ndodhin përsëri. Duket se bota nuk ka mësuar asgjë. Ne jetojmë në një botë moderne me gjithë këtë teknologji të avansuar dhe nuk kemi asnjë arsyetim për të thënë ‘nuk e di’ “, thotë Hasani.

Rrëfimi i Nexhadit: më lejoni t’i dërgoj një mesazh botës

Nedzad Avdiç me të atin e tij, bëjnë pjesë në kolonën e atyre burrave të cilët ikën nga Srebrenica për në Tuzla. Ai iku në Srebrenicë në vitin 1993, kur serbët e Bosnjës në qytetin fqinj ia shkatërruan shtëpinë. Kur qyteti ra në vitin 1995, ishte 17 vjet.

“Sulmet ndaj grupit e lanë atë të vetëm dhe të humbur në pyll. I lodhur dhe i uritur, me rreth 2 mijë njerëz iu dorëzuan serbëve. Ata i dërguan në një fushë për t’i ekzekutuar, kujton ai. Ata e detyruan atë që të heqë rrobat e tij, dhe pastaj një nga ushtarët ia lidh duart pas shpine. Në të gjitha anët përreth kishte grumbuj të kufomave. Burrat ishin rreshtuar pesë nga pesë vetë, kur ushtarët filluan t’i vrasin ata. Ai u qëllua në stomak, krahun e djathtë dhe këmbën e majtë. Vrasjet zgjatën deri natën vonë. Kur ushtarët u larguan, ai ngriti kokën dhe pa se ishte një person tjetër që kishte mbijetuar me dëmtime të lehta. Ata arritën t’ia zgjidhin njëri-tjetrit duart dhe të shpëtojnë. Më pastaj strehohen në pyll dhe arrijnë të mbijetojnë, katër ditë pas largimit nga Srebrenica. Shumica e të afërmve të tij, përfshirë babain e tij vriten nga forcat serbe”, shkruan BBC.

Sot, Nexhadi thotë se, “e sheh veten në fotot e fëmijëve nga Halepi”.

“Ata shpresojnë se dikush do t’u ndihmojë atyre, por shpresa e tyre është e kotë. Është e mundur që Halepi të ketë të njëjtin fat si Srebrenica. Kam mbijetuar gjenocidin, por më lejoni të dërgoj një mesazh për botën: Mos lejoni që Halepi të bëhet një Srebrenicë e re”, thotë ai.
Rrëfimi i Emirit: Vuajtjet e mia ishin të kota

Emir Suljagiç është bashkëbiseduesi i tretë i BBC. Ai ishte 17 vjeç kur u arratis nga Bratunac në Srebrenicë në vitin 1993. Gjyshi i tij u vra në Srebrenicë.

“Ajo që ndjej është një pafuqi absolute, nga fakti se dikush tjetër mban jetën tuaj në duart e tij. Halepi është fundi i idesë, që komuniteti ndërkombëtar është i përkushtuar për vlera. Vuajtja ime ishte e kotë. Bosnja është therur si kasaphane, Bosnja është përdhunuar. Shiqo Halepin dhe Sirinë dhe më tregoni se çfarë është më ndryshe. Asgjë”, tha ai.

Ai ka frikë se vrasjet nuk do të përfundojnë me Halepin – por mund të përhapen në qytetin, në të cilin kanë ikur shumë refugjatë nga Halepi.

“Unë nuk jam i befasuar. Unë nuk kam asnjë iluzion. Halepi sot, shumë lehtë mund të jetë Idlibi nesër.

“Mësimet që nuk po i marrim, do të vazhdojnë të na ndjekin prapa.” /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit