Luftimet ndërmjet Izraelit dhe Rripit të Gazës kanë hyrë në ditën e shtatë. Ushtria izraelite ka bërë të ditur se forcat e saj kanë qëlluar më shumë se 100 caqe në Gaza, vetëm sot dhe dje.
Burimet palestineze thonë se dy fëmijë kanë humbur jetën nga sulmi izraelit në jug të Gazës.
Palestinezët po ashtu kanë hedhur të paktën 20 raketa në territorin izraelit.
Në anën tjetër, sot pritet të vazhdojnë përpjekjet për të ndërmjetësuar armëpushimin. Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ndodhet në Kajro për të biseduar me presidentin e Egjiptit, Muhammad Morsi.
Dhuna ndërmjet Izraelit dhe Gazës është intensifikuar qysh të mërkurën e kaluar, kur Izraeli ka vrarë shefin ushtarak të Hamasit – lëvizjes islamike që kontrollon Gazën.
Mbi 100 palestinezë dhe tre izraelitë thuhet të kenë humbur jetën në shtatë ditë luftime./rel