-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Alexander Van der Bellen presidenti i ri i Austrisë

Më të lexuarat

Fituesi i zgjedhjeve të djeshme presidenciale në Austri është kandidati i pavarur Alexander Van der Bellen i përkrahur nga Partia e Gjelbër.

Fituesi i zgjedhjeve të djeshme presidenciale në Austri është kandidati i pavarur Alexander Van der Bellen i përkrahur nga Partia e Gjelbër. Ai fitoi të drejtën e mandatit 6-vjeçar si president i vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Familja e Van der Bellenit, në vitin 1919 migroi nga Rusia në Estoni për shkak të luftës civile. Familja e Van der Bellen, me të atin migrant rus dhe të ëmën estoneze, iku në Vjenë kur Rusia aneksoi Estoninë në vitin 1940. Van Der Bellen lindi në Vjenë më 18 janar 1944. Më vonë, familja Bellen u vendos në shtetin Tirol në perëndim të Austrisë.

Profesor i ekonomisë

Karrierën e tij akademike Van Der Bellen e filloi në qytetin Innsbruck të Tirolit, ku e përfundoi në Universitetin e Innsbruck-ut. Në Qendrën Shkencore të Berlinit Perëndimor ku u gjend për të zhvilluar hulumtime, ai punoi së bashku me shkencëtarin turk Murat Rauf Sertel. Doktoraturën e kreu në Universitetin e Innsbruck-ut, ndërsa në periudhën mes viteve 1976 dhe 1990 punoi si profesor i ekonomisë në universitetin e Innsbruck-ut dhe Vjenës.

11 vite kryetar i përgjithshëm

Në vitet e 70-ta dhe 80-ta Van der Bellen ishte anëtar i Partisë Social Demokratike (SPÖ), kurse në vitin 1994 u zgjodh deputet nga Partia e Gjelbër, nga e cila u ndikua për qasjet e saj ambientaliste. Në zgjedhjet e vitit 1997, ai u zgjodh kryetar i përgjithshëm i Partisë së Gjelbër, detyrë këtë të cilën e kreu për 11 vite, konkretisht deri në vitin 2008. Van der Bellen tregoi sukses të madh duke e rritur përqindjen e votave të partisë së tij nga pesë në 11. Megjithatë, ai dha dorëheqje pasi partia e tij humbi numër të votave në zgjedhjet në vitin 2008.

Van der Bellen ka qenë i martuar dy herë dhe ka dy djem. Për të thuhet se ka respekt ndaj religjioneve ndërsa veten e quan sekular.

Njihet për qasjet liberale

Van der Bellen tërheq vëmendjen me deklaratat e tij në favor të Bashkimit Evropian (BE) dhe refugjatëve, ndërkohë që njihet për qasjet e tij liberale ndaj muslimanëve dhe refugjatëve.

Van der Bellen, i cili thekson se është i biri i një familjeje refugjatësh, mendon se duhet përkrahur refugjatët e luftërave, megjithatë duhet të ketë kujdes më të madh ndaj atyre që vijnë për shkaqe ekonomike. Sipas tij, të huajt janë fitim për vendin. Ai thotë se bota që globalizohet ka ndryshuar dhe se është e nevojshme që secili të hapërojë me këto ndryshime.

Van der Bellen pati thënë se nuk do t’i nënshkruajë marrëveshjet në lidhje me liberalizimin e tregut që BE-ja realizon me SHBA-të dhe Kanadanë.

Ai është shprehur se i sheh si qesharake debatet për ndalimin e burkas dhe mbulesës. Siç ka thënë, debatet në lidhje me anëtarësimin e Turqisë në BE janë “humbje kohe”. Bellen është shprehur se nuk beson që gjatë detyrës së tij Turqia do të mund të anëtarësohet në BE.

Në deklaratën që dha menjëherë pas zgjedhjes, Van der Bellen tha se do të marrë një pozicion mbipartiak që do t’i përfshijë të gjithë, duke theksuar më tej se do t’i mbështesë politikat pro-evropiane dhe dëshiron të marrë rol bashkues e jo përçarës në vend.

Zgjedhjet i fitoi për herë të dytë

Van der Bellen, i cili në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajt më 24 prill arriti të shkojë në raundin e dytë duke marrë më së shumti vota në mesin e gjashtë kandidatëve, në raundin e dytë që u mbajt më 22 maj arriti të fitojë diferencë prej 30 mijë votash mbi kundërshtarin e tij Hofer pas numërimit të votave postale.

Van der Bellen do ta marrë përsipër detyrën pas betimit që do të bëhet më 26 janar 2017.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit