1.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

A është Android me të vërtet falas dhe i hapur

Më të lexuarat

Google ka shpenzuar vite duke promovuar Android-in si sistem operativ të hapur dhe falas të cilin gjithkush mund ta përdorë. Është i disponueshëm përmes licencës open-source, kurse të gjithë me lidhje interneti mund të shkarkojnë kodin me burim të hapur të sistemit operativ dhe ta modifikojnë sipas dëshirës.

Në fund, këtë gjë po bëjnë edhe të gjithë prodhuesit e tjerë të mëdhenj. Samsung-u e ka modifikuar Android-in dhe këtë modifikim e ka quajtur “TouchWiz”, HTC të njëjtën gjë e ka bërë me Sense, etj. Për shembull, Amazon ka shkuar një hap më tej, duke krijuar tabletin e tij Kindle Fire me ndryshime të shumta në krahasim me sistemin origjinal Android OS. E ka mënjanuar shfletuesin e uebit, sikurse edhe te gjitha aplikacionet e Google-s, i ka dhënë ndërfaqe krejtësisht të re e cila i është përshtatur blerjes së librave, muzikës dhe përmbajtjes së videove nga faqja e Amazon-it.

Por të fillojmë me rend…

Open Headset Alliance

Ky term shpesh është lidhur me Android-in, por çfarë përfaqëson ai? Më së lehti mund ta ilustrojmë në Unix. Versioni i parë i Unix-it është punuar para më shumë se 40 viteve në laboratorët e telekomit amerikan – AT&T.

Sot ekziston një numër i madh i derivateve të këtij sistemi të njëjtë operativ, prej të cilëve disa janë open source (me burim të hapur), kurse disa janë të “mbyllur” dhe të modifikuar në shumë mënyra, e për shkak të kësaj për programuesit është praktikisht e pamundur të rishkruajnë program i cili do të punonte në të gjitha versionet e Unix-it.

Njëjtë ka mundur të ndodh edhe me Android-in në rast se çdo i interesuar për Android OS ta shkarkonte kodin dhe ta ndryshonte në tërësi. Për fat, këtë rrezik Google e pa me kohë dhe e krijoi Open headset alliance (OHA) e cila u paraqit të njëjtën ditë kur edhe u prezantua versioni i parë i Android-it.

OHA është konsorcium, përkatësisht aleancë e përbërë nga 84 kompani. Është themeluar në vitin 2007, nga ana e të gjithë prodhuesve të mëdhenj të telefonave (HTC, LG, Sony, Motorola dhe Samsung), kompanive softuerike (Google, eBay…) dhe operatorëve telefonik (T-Mobile, China Mobile, Telefonica…). Që nga themelimi, kësaj aleance i’u bashkuan edhe shumë emra tjerë të mëdhenj nga industria mobile.

Qëllimi kryesor i kësaj aleance është zhvillimi i standardeve të hapura për pajisjet mobile dhe inovacioni në këtë fushë, kurse rregulla e parë e aleancës është që anëtarët e tyre nuk do të prodhojnë apo shesin pajisje mobile të cilat punojnë në versionin e modifikuar, përkatësisht në versionin jokompatibil të Android-it. Pikërisht për shkak të kësaj aleance, përkatësisht numrit të kompanive të cilat janë të kyçura në të, Android po e arrin rritjen e saj meteorike që nga themelimi i saj.

Situata me Acer dhe a është Android i hapur?

Para më pak se një muaj, Acer është dashur ta prezantonte smartfonin e vet të projektuar për tregun kinez. Bëhet fjalë për CloudMobile A800 i cili duhej të punonte me sistemin operativ Aliyun. Aliyn është sistem operativ cloud open source i zhvilluar nga Alibaba (dyqani më i madh online kinez) i cili bazohet në derivatin e Android OS.

Por, në ditën e prezantimit të pajisjes Acer anuloi konferencën për shkak të presionit nga Google.

Google nuk ishte e kënaqur që Acer, si anëtar i aleancës OHA po përdor burimin e hapur të sistemit operativ të prodhuesit tjetër dhe për këtë arsye kërcënoi me marrjen e licencës.

Për këtë shkak, Acer lëshoi pe dhe CloudMobile A800 kurrë nuk u prezantua.

Andy Rubin, njeriu kryesor i Google i ngarkuar për Android, disa herë e qartësoi këtë situatë me fjalët se Acer si anëtar i OHA nuk mundet të përdorë versionet jo të qëndrueshëm të Android, në të cilat një numër i caktuar i aplikacioneve nga Play Store nuk do të punojnë. Acer nuk është i pari i cili provoi versionet jo kompatibil të Android-it. Kanë tentuar këtë gjë edhe RIM, Amazon dhe Barnes & Noble, por pa sukses. Dallimi këtu është se këto tri kompani nuk janë anëtare të aleancës OHA, kështu që Google nuk ka kurrfarë ndikimi te to. Për këtë shkak tabletët e këtyre kompanive nuk kanë qasje në Play Store dhe në aplikacionet e Google-s. Si përfundim mund të cekim se Android është me të vërtet sistem operativ me burim të hapur të cilin mund ta përdor secili. Por, në rast se prodhuesi i harduerit dëshiron të përfitojë nga eko sistemi i Android (Play Store, të gjitha aplikacionet e Google) duhet ti plotësojë rregullat e përcaktuara nga OHA.

Situata me licencimin dhe a është Android falas?

Android është sistem operativ, i dedikuar së pari telefonëve, i cili mund të themi së është i përbërë nga lloji i Linux (pjesëve kernel), librarive programuese, platformës Java dhe aplikacioneve të integruara. Nëse e injorojmë pjesën e kernel, pjesa tjetër e softuerit Android në tërësi është e zhvilluar nga Google dhe këtë pjesë e licencoi sipas licencës Apache 2.0, e cila në tërësi nuk paguhet.

Mirëpo, versioni Linux i cili është përfshirë në Android nuk është plotësisht falas. Ajo përmban pjesë të kodit të cilët paguhen, kurse në rast se dëshironi të zhvilloni një pajisje tuaj dhe të vendosni në të vetëm pjesën falas të Android, kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për punë normale të asaj pajisje.

Edhe pse për Android shpesh flitet se në princip ky është Linux për telefona, e vërteta është se dallon shumë nga sistemet operative GNU/Linux për shkak se përmban shumë pak GNU, kurse e vetmja pikë e prekjes në mes Android dhe sistemeve GNU/Linus është vetëm i lartë përmenduri kernel. Kështu që në princip Android “përmban” Linux, e jo GNU dhe për këtë shkak edhe Linux/GNU janë të ndryshëm nga vet Android-i.

Kur prodhues të ndryshëm të telefonave modifikojnë Android-in, sipas licencës GNU duhet të paraqesin kodin burimor te pjesa e Linux, kurse ndryshimet të cilat kryhen në telefona, në ndërfaqe dhe aplikacione mbesin të mbyllura dhe të padisponueshëme për publik. Për këtë shkak nuk është e drejtë të thuhet se , Samsung Galaxy S3 është me burim të hapur, kurse iPhone nuk është. Gjithsesi mund të themi se baza e Galaxy-s është open source, kurse e tërë pjesa tjetër i takon pronësisë intelektuale të Samsung-ut. Pikërisht pronësia intelektuale është termi më i debatuar në internet kohëve të fundit. Për shkak të pronësisë intelektuale, përkatësisht patentave, prodhuesit e telefonëve Android mesatarisht paguajnë 50-60 $ për pajisjen e prodhuar kompanive tjera. Kompanitë të cilat më së shumti fitojnë nga licencat janë Microsoft, Samsung, Motorola dhe Nokia, dhe kohët e fundit kësaj liste i’u bashkëngjit edhe Apple. Përveç Apple, këto katër kompanitë tjera janë pionierë të teknologjive kryesore pa të cilat puna e pajisjeve mobile do të ishte i pamundur.

Si përfundim do të theksonim se një pjesë e Android është gjithsesi falas, kurse në rast se dikush dëshiron të ngrejë një sistem operativ funksional në pajisjen e tij duhet të paguaj licencën me një shumë prej afërsisht 5-6 $. Po ashtu, nëse pajisja e tillë përmban të gjitha funksionet e pajisjeve moderne smartfonë, çmimi i licencës rritet deri në 60 $. (PCWorld Albanian)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit