-1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Çfarë do të ndodhë me marrëdhëniet SHBA-Kubë?

Më të lexuarat

Në Kubë ka nisur java e lamtumirës për Fidel Castron, liderin revolucionar, të dashur për disa, të papëlqyshëm për të tjerët.

Castro, i cili ka udhëhequr ishullin komunist për gati gjysmë shekulli, ka vdekur të premten. Ai ka marrë pushtetin më 1959, pas një revolucioni komunist. Mbështetësit thonë se ai ia ka kthyer Kubën popullit dhe e vlerësojnë për programet sociale.

Por, krtikët e cilësojnë diktator, i cili nuk ka lejuar opozitë, dhe e akuzojnë për abuzime të mëdha me të drejtat e njeriut.

Reagimet e liderëve botërore dhe figurave të tjera të shquara kanë qenë nga më të ndryshmet. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka përshkruar Castron si “mik të sinqertë dhe të besueshëm të Rusisë”.

Por, në Shtetet e Bashkuara, vdekja e tij ka sjellë prapë në vëmendje politikën amerikane ndaj Kubës dhe ka nxjerrë në pah dallimet e mprehta në pikëpamje midis presidentit në largim, Barack Obama, dhe presidentit të zgjedhur, Donald Trump.

Obama, duke reaguar ndaj vdekjes së Castros, ka thënë se “historia do ta gjykojë ndikimin e madh të kësaj figure te njerëzit dhe bota përreth tij”.

Trump ka lëshuar deklaratë më të ashpër, duke e quajtur Castron “diktator brutal, i cili ka shtypur popullin e tij për gati gjashtë dekada”.

Në dhjetor të vitit 2014, pas gjysmë shekulli armiqësi, Obama ka njoftuar se SHBA-ja dhe Kuba janë dakorduar për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe hapjen e lidhjeve ekonomike.

Vitin pasues, Uashingtoni dhe Havana kanë hapur ambasadat gjegjëse, ndërsa në mars të këtij viti Obama ka qëndruar në Kubë, duke u bërë presidenti i parë amerikan që bën një gjë të tillë qysh në vitin 1928.

Por, me vdekjen e figurës revolucionare dhe me zgjedhjen e Trumpit, shtrohet pyetja se çfarë do të ndodhë me ngrohjen e marrëdhënieve SHBA-Kubë?!

Këshilltarja e Trumpit, Kellyanne Conway, ka thënë për ABC News se presidenti i zgjedhur është i hapur për disa mundësi, porse kërkon edhe disa lëshime si këmbim.

Ajo ka përmendur këtu lirimin e të burgosurve politikë dhe garancitë se populli i Kubës do të jetë i lirë politikisht dhe ekonomikisht.

Conway ka thënë se lirimi i të burgosurve politikë, që mbahen në Kubë, “do të jetë faktor kyç në marrëdhëniet e ardhshme”.

Politikat e Obamës ndaj Kubës janë kritikuar nga disa ligjëvënës. Senatori republikan, Marco Rubio, ka thënë se deklarata e Obamës për vdekjen e Castros është “patetike” dhe nuk përmend mijëra njerëzit e vrarë dhe burgosur nga ai.

Senatori tjetër republikan, Ted Cruz, babai i të cilit është nga Kuba, ka thënë se ditët e ardhshme do të jenë provë e vendosmërisë.

“Shpresoj shumë që zyrtarët e Qeverisë amerikane nuk do të shkojnë në funeralin e Fidel Castros. Shpresoj të mos shohim Barack Obamën, Joe Bidenin, Hillary Clintonin dhe demokratët duke u rreshtuar para një tirani dhe banditi vrasës”, ka thënë Cruz.

Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë të ditur se kush do të udhëtojë në funeralin e Castros më 4 dhjetor.

Disa ligjvënës, megjithatë, shpresojnë se vdekja e Castros mund të sjellë kapitull të ri në marrëdhëniet SHBA-Kubë. Senatorja demokrate, Amy Klobuchar, ka paraqitur legjislacionin për të hequr embargon tregtare mbi Kubën, të vjetër 50 vjet, duke thënë se ajo bazohet mbi fantazmat e së kaluarës. Vetëm Kongresi mund ta heqë embargon.

Kuba, qysh në vitin 2008, udhëhiqet nga Raul Castro, vëllai i liderit të ndjerë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit