-3.6 C
Pristina
Saturday, January 18, 2025

Erdoğan për vendimin e PE-së: Nëse e teproni mëtej Turqia mund ti hapë kufijtë

Më të lexuarat

Ne jemi ata që po kujdesemi në këtë vend për 3-3.5 milionë refugjatë. Nuk i mbajtët premtimet e dhëna, tha Erdoğan duke kritikuar BE-në lidhur me vendimin për pezullim të negociatave

STAMBOLL (AA) – Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan mori pjesë në hapjen e Samitit të Dytë Ndërkombëtar të Grave dhe Drejtësisë të organizuar nga Shoqata e Grave dhe Demokracisë (KADEM) dhe Ministria e Politikave Familjare dhe Sociale, me ç’rast uroi KADEM-in për qëndrimin e dalluar me pikëpamje të reja kundrejt çështjeve të gruas, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan tha se sipas besimit islam njerëzimi ka lindur nga njeriu dhe profeti i parë Ademi dhe Hava, dhe nga kjo është arritur deri te popullsia aktuale botërore prej 7.5 miliardë njerëzish.

“Nëse e shqyrtojmë me kujdes, shohim se gruan e parë, Havan, e përmendim me të njëjtat fjalë respekti me të cilat e përmendim edhe Ademin si mashkulli i parë. Zoti në Kur’an thotë se na ka krijuar nga një mashkull e nga një femër dhe se më i dashuri para tij është ai që është më i devotshëm. Shikoni, pra, këtu nuk thuhet se ‘Mashkulli është mbi femrën, apo femra është mbi mashkullin’. Përkundrazi, në krijim ka barazi. Epërsia vjen në shprehje vetëm me devotshmëri. Në pajtueshmëri me këtë urdhër të prerë, refuzojmë çdo lloj botëkuptimi që ofendon femrat vetëm për shkak të gjinisë së tyre”, u shpreh presidenti Erdoğan

Erdoğan foli edhe në lidhje me debatet e fundit në lidhje me martesat nën moshën e lejuar me ligj, duke thënë se u ka rekomanduar qeverisë, parlamentit dhe shoqërisë që propozimi për ndryshimin e ligjit në fjalë të diskutohet me një pajtim më të gjerë në vend se të nxirret në gjendjen aktuale, pasi, siç tha ai, ka vërejtur se ai nuk është elaboruar sa duhet dhe mund t’u hapë rrugë keqpërdorimeve.

“Andaj, qeveria bëri hapat e duhur në këtë drejtim dhe vendosi ta tërheq propozimin për ndryshimin e ligjit. Besoj që ai do të sillet në parlament me një marrëveshje të gjerë”, vazhdoi Erdoğan.

“Nëse e teproni tutje, ta dini se këta kufij hapen”

Presidenti Erdoğan më tej foli edhe në lidhje projekt-rezolutën e Parlamentit Evropian për pezullimin e përkohshëm të negociatave mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian. Në shenjë kritike, ai tha se thuajse është e pamundur që dramat humanitare botërore të hyjnë në rend dite po të mos ishte kriza e refugjatëve.

“Asnjëherë nuk u sollët në mënyrë të sinqertë ndaj njerëzimit. Ju nuk shkuat t’i merrni foshnjet si Ajlani të cilët Mesdheu i solli në brigje. Ju nuk i morët Omranët. Ne jemi ata që po kujdesemi në këtë vend për 3-3.5 milionë refugjatë. Nuk i mbajtët premtimet e dhëna. Kur në Kapıkule (pikë kufitare) u afruan 50 mijë refugjatë, ju filluat të pyesni se ‘Çfarë mund të ndodhë nëse Turqia hap kufirin?’. Shikoni këtu, nëse e teproni tutje, ta dini se këta kufij hapen. As unë e as ky popull nuk frikohemi nga këto kërcënime boshe; dijeni edhe këtë”, tha Erdoğan.

“Bota është më e madhe se pesë”

“Bota është më e madhe se pesë. Këtë mendim duhet ta mbrojmë të gjithë, megjithatë, nuk duhet të frikohemi nga askush. Fatkeqësisht, shtetet në botë veprojnë me mendimin se ‘Çfarë do të thotë, nëse veprojmë në mënyrë të këtillë apo atillë?’. Nëse mendoni në këtë mënyrë, nuk do të keni rezultate. Më mirë të jetosh një ditë si njeri, sesa të frikohesh tërë jetën”, theksoi presidenti Erdoğan.

“Është e qartë se ku e kemi çuar Turqinë brenda 14 viteve prej aty ku e morëm”

“Derisa e paralajmërojmë Bashkimin Evropian, ne jemi të vetëdijshëm se përpjekja jonë për drejtësi në emër të popullit dhe tërë njerëzimit ka një çmim si për mua, ashtu edhe për shtetin tim. Fatkeqësisht, partia kryesore opozitare vazhdon të thotë se kjo është sanksion dhe kërcënohet duke thënë se do të pasojnë sanksione të tjera. A janë duke zbatuar sanksione ata që nuk ia hapin dyert e BE-së Turqisë prej 53 vitesh? Çfarë ndodhi nëse kanë zbatuar sanksione? U fundosëm? Mbaruam? U shembëm? Ne qëndruam stoikë. Është e qartë se ku e kemi çuar Turqinë brenda 14 viteve prej aty ku e morëm. Me ndihmën e Zotit do të jemi të qëndrueshëm dhe do ta vazhdojmë rrugën tonë”, tha Erdoğan.

Presidenti Erdoğan më tej tha se Turqinë e re do ta ndërtojmë së bashku me gratë. “Botën e sigurtë, paqësore, të drejtë dhe përparimtare do ta ndërtojmë së bashku me gratë tonë në çdo cep, nga lindja në perëndim, nga veriu në jug. Uroj që samiti ndërkombëtar i grave dhe drejtësisë të shndërrohet në simbol të kësaj përpjekjeje”, vuri në pah Erdoğan.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit