2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Rama: Kemi vendosur një partneritet strategjik me Turqinë

Më të lexuarat

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një interviste në televizionin grek “Skai” është ndaluar në disa çështja, konkretisht në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë, tensionet e fundit mes dy vendeve, marrëdhëniet me Turqinë dhe Presidentin Recep Tayyip Erdoğan, çështjen çame, etj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Rama ndër të tjera ka deklaruar se në strategjinë e politikës së jashtme të Shqipërisë, Greqia është partner strategjik, ku sipas tij dy vendet kanë shumë gjëra për të ndarë së bashku dhe shumë gjëra për të arritur për një të ardhme më të mirë.

Duke u ndalur tek marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, Rama u shpreh se “Në të njëjtën kohë, duhet që hera-herës të zbresim te kjo tabloja më e vogël, pasi ka dhe çështje të mbetura pezull dhe që në këndvështrimin tim kemi nevojë t’i zgjidhim me anë të dialogut, nëpërmjet bujarësisë e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe me bindjen e qartë se qoftë interesat e shqiptarëve e grekëve janë më të mëdha sesa ajo që mund të bëjnë këto çështje, që do të thotë të na ndalojnë të ndërtojmë së bashku një të ardhme më të shkëlqyer. Ne jetojmë në një paradoks të përsosur ballkanik. Kemi një traktat miqësie me Greqinë dhe kemi dhe një ligj të gjendjes së luftës po në të njëjtën kohë”.

Rama gjatë intervistës së tij është ndalur edhe në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë, dhe konkretisht mes tij dhe Presidentit Recep Tayyip Erdoğan, ku ka theksuar se “Nuk është sekret që ne gjithashtu kemi vendosur një partneritet strategjik me Turqinë. Nuk është sekret që jam një mik i mirë me Presidentin (Erdoğan). Nuk është sekret që kemi marrëdhënie të mira. Por, e gjithë kjo ka ndodhur në një kohë kur ne ishim në opozitë dhe nuk kishim asnjë kontakt me askënd në palën turke”.

Në lidhje me çështjen që njihet si çështja çame, Rama ka deklaruar se “Unë nuk mendoj se është irredentiste t’ju thuash fëmijëve tanë se ku kanë jetuar shqiptarët dhe nuk mendoj se është irredentiste t’ju thuash njerëzve se ka qenë një zonë që quhej Çamëri, e që shqiptarët jetonin atje. E ku për fat të keq nuk është ajo çfarë u themi fëmijëve por çfarë shohim. Pra a e imagjinoni dot njerëzit as nuk mund të shkojnë të udhëtojnë, të shkojnë atje ku shtëpitë e tyre kanë qenë, ku kanë qenë familjet e tyre për shkak të çfarë? Nuk kemi asnjë pretendim dhe askush tjetër nuk mund të ketë pretendime të tilla të llojit si ndryshimi i kufijve apo strategji për ndryshimin e kufijve për të marrë pjesë të Greqisë apo të Serbisë apo për të marrë pjesë të Maqedonisë e për ta bërë këtë një Shqipëri natyrale”.

“Po ne kemi një histori shumë interesante duke qenë se jemi një komb, me 2 shtete, kemi Shqipërinë, kemi Kosovën, kemi shqiptarë që jetojnë në jug të Serbisë, që jetojnë në Maqedoni, që jetojnë në Malin e Zi. Po pastaj? Nuk ka asnjë plan, nuk ka asnjë ide normale edhe të parashikueshme që ti mbledh këto në një Shqipëri të madhe. Po, mund të jemi të gjithë pjesë e një Evrope të madhe, e cila do të ishte vërtetë e madhe nëse do të na përmblidhte të gjithëve ne brenda si qytetarë të saj dhe ku kufijtë bëhen të parëndësishëm përsa i përket komunikimit, përsa i përket shkëmbimeve apo të jetuari së bashku në të njëjtën hapësirë evropiane”, ka theksuar ndër të tjera Rama.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit