Siç bën të ditur britanikja The Guardian, Kisha Katolike në Ruanda ka kërkuar falje një ditë më parë për rolin e saj në gjenocidin e vitit 1994.
Një deklaratë e Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë e pranon se anëtarë të kishës e planifikuan, e ndihmuan dhe e kryen gjenocidin, në të cilin u vranë më tepër se 800.000 persona nga ekstremistët hutu.
“Ne kërkojmë ndjesë për të gjitha gabimet që bëri kisha. Ne kërkojmë falje në emër të të gjithë krishterëve për të gjitha format e paudhësive që bëmë,” lexohet në deklaratë.
Kisha nuk kishte qenë e gatshme në vitet pas gjenocidit që ta pranonte rolin e saj në vrasjet në masë, duke deklaruar se ofiqarët kishtarë i kishin kryer krimet duke vepruar në mënyrë individuale.
The Guardian thotë se, sipas dëshmive nga të mbijetuarit, shumë prej viktimave e humbën jetën prej priftërinjve, klerikëve dhe murgeshave, veç faktit që, sipas qeverisë së Ruandës, një pjesë e madhe njerëzish vdiqën në kishat ku kishin kërkuar strehë.
“Na falni për krimin e urrejtjes në vend… Ne nuk treguam se jemi një familje, por në vend të kësaj vramë njëri-tjetrin,” thotë po ashtu deklarata. /tesheshi.com/