5.8 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

“Përhapeni Selamin në mes jush!”…

Më të lexuarat

“Përhapeni Selamin në mes jush!”…

Po mendoja, sa e sa shprehje të bukura kemi ne si muslimanë, por që kemi harruar t’i përdorim, a fare pak i përhapim në mes nesh. Janë shprehje që falin mirësi e paqe, bekime e ngrohtësi në mesin e njerëzve.

“Përhapeni Selamin në mes jush!” – thoshte Ma i Miri e Ma i Dashtuni (a.s). Dmth, përshëndetuni bukur, uroni njëri-tjetrin dhe lutuni për vëllazërinë.

Fjala bie: “Selam alejkum”, është një përshëndetje universale, me të cilën mund të prezantohesh përherë e kudo, si njeri i paqtë e në paqe me këdo. Kur’ani na tregon se, edhe banorët e xhenneteve, “atë ditë do të përshëndeten me Selam”.

E kujtoj nga fëmijëria, kur na vinin miq, sidomos të moshës së thyer, Nana, rahmet pastë, kur i përcillte u thoshte: “Selam tanve!” – “Alejqëm selam”, vinte përgjigjja…

“Amanet All-llahut”, është një shprehje shumë e ëmbël dhe plot përkujdesje dhe ngrohtësi, që mendoj se duhet ta përdorim sa më shumë, sidomos kur ndahemi me një mik, vëlla a familjar. Rrezaton shumë mirësi e bekim, kjo shprehje!

“Bash hajr”, është një urim e lutje njëkohësisht, që ia drejtojmë dikujt që na bën një të mirë a shërbim. Është i bukur ky urim, kjo lutje. Mund të përdoret edhe në komunikimet tona elektronike dhe ato të shpejta, si një sms, mesazh në whattsup, viber, koment në fb etj.

“T’rujtë All-llahu”, tingëllon bukur, sidomos me fëmijët, të dashurit e zemrës, por edhe në hapësira më të largëta shoqërore. Nëpërmjet këtij bekimi përhapen energji pozitive, që ngrohin klimën dhe dhurojnë paqe.

“Xhuma Mubarek!”, është një mesazh urimi shumë i këndshëm në mesin e muslimanëve, që lidhet ngushtë me këtë ditë festive për krejt ymetin tonë. Është humane dhe vëllazërore që t’ia urojmë njëri-tjetrit këtë ditë. Një sms, një status në fb, një cicërimë në twitter, një polimesazh për një numër vëllazërish e të afërmish, që pas akshamit të së enjtes, me këtë tekst, afron, përkujton dhe përhap në mes nesh atmosferën e begatë të kësaj dite dhe ritualeve të saj.

“All-llahu të dashtë!”, është një urim dhe bekim i bukur në komunikimet tona. Tingëllon shumë familjar, rrezaton paqe dhe dashamirësi, për të cilat ka nevojë jeta njerëzore, sot.

Nuk do të zgjatem shumë në këtë mesazh, por idea e tij është të kujdesemi sa më shumë që, nëpërmjet gjuhës, të përhapim sa më shumë mesazhe uruese, lutje e bekime në mesin tonë.

All-llahu ju pastë në mbrojtje dhe ju dashtë!

Imam Muhamed B. Sytari

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit