Një hekurudhë të re në Serbi, një autostradë në Malin e Zi, parqe industriale në Poloni dhe qendër logjistike në Bullgari, Kina është bërë një nga investitorët më të mëdhenj në rajonin e Evropës Juglindore dhe Lindore.
Në 25 vitet e fundit Kina ka pasur një numër platformash ndërkombëtare të fokusuara tek Evropa Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE), shkruan DW. Megjithatë, disa kanë qenë më gjithëpërfshirëse dhe ambicioze si iniciativa e udhëhequr nga Pekini e quajtur “16 + 1”, që bashkon Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Republikën Çeke, Estoninë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Maqedoninë, Malin e Zi, Poloninë, Rumaninë, Serbinë, Sllovakinë dhe Slloveninë. Duke mbledhur këto gjashtëmbëdhjetë vende post-socialiste, njëmbëdhjetë prej të cilave janë anëtare të BE-së dhe pesë në faza të ndryshme të anëtarësimit, Kina ka vendosur të zhvillojë një platformë inovative shumëpalëshe që synon kryesisht të promovojë “bashkëpunimin pragmatik” ndërmjet një numri fushash politike, me qëllimin për të arritur maksimumin e potencialit ekonomik të pashfrytëzuar të CESEE-së.
Më 5 nëntor, krerët e qeverive të Kinës dhe të gjashtëmbëdhjetë vendeve të CESEE-së zhvilluan samitin e tyre të pestë vjetor në Riga (samitet e mëparshme janë mbajtur në Varshavë 2012, Bukuresht 2013, Beograd 2014 dhe Suzhou 2015). Samitet e nivelit të lartë janë të shoqëruara me një forume biznesi, konferenca të think-tankeve në aktivitete e ngjarje të tjera. Jashtë takimeve të nivelit të lartë, ka pasur një sërë tubimeve në formatin “16 + 1” që përfshinin degë të ndryshme të qeverisë, të rretheve akademike dhe të biznesit. Delegacionet e përfaqësuesve të vendeve të CESEE-së shkojnë rregullisht në Kinë dhe anasjelltas.
Rritja e ndërveprimit është tepër e madhe. Vetëm disa vjet më parë, kontaktet mes këtyre palëve ishin të kufizuara dhe aspak entuziaste. Në vitet 1990 dhe fillim të viteve 2000 shumë qeveri të vendeve të CESEE-së ndiqnin një diplomaci ideologjike antikomuniste, në të cilën nuk kishte vend për lidhje më të ngushta me Kinën; në ditët e sotme, si kudo në BE, çështjet politike kanë kaluar mënjëanë duke lejuar të lulëzojë diplomacia ekonomike. Sot, marrëdhëniet mes Kinës dhe CESEE-së janë në pikën e tyre më të lartë në histori – histori që nis në kohën e Kinës së Re në vitin 1949, kur vendet e CESEE-së ishin ndër të parat që njohën faktin që Pekini kishte një rëndësi të veçantë simbolike.
Në vitin 2016 sipas politikëbërësve dhe ekspertëve kinezë marrëdhëniet Kinë-CESEE janë pjekur dhe janë të gatshme për të kaluar përtej fazës fillestare të afrimit. Në fillim të këtij viti Presidenti i Kinës, Xi Jinping vizitoi tri vende të CESEE-së – Republikën Çeke, Serbinë dhe Poloninë – duke treguar se rëndësia strategjike e CESEE-së është rritur në perspektivën e diplomacisë së Kinës dhe tani është pjesë e portofolit të vetë udhëheqësit më të lartë.
“16+1” është bërë pra pjesë thelbësore e nismës së Kinës të njohur si “Belt and Road Initiative” (BRI) apo si “Rruga e re e mëndafshit”. Në praktikë, bashkëpunimi breda “16 + 1” ka çuar në vetëm pak vite në një rritje të konsiderueshme të rëndësisë ekonomike të CESEE-së për Kinën dhe anasjelltas.
Për shembull, në vitin 2015 Kina kishte me bllokun e gjashtëmbëdhjetë vendeve pothuajse po aq vëllim të përgjithshëm tregtar (rreth 55 miliardë dollarë), sa edhe me Rusinë (rreth 60 miliardë dollarë). Investimet si nga sipërmarrjet private edhe nga ndërmarrjet shtetërore kineze janë rritur gradualisht. Një numër projektesh të infrastrukturës së transportit – përfshirë edhe linjën hekurudhore me shpejtësi të lartë Budapest-Beograd, një këmbë e “Lidhjes ekspres Tokësoro-Detare Kinë-Evropë” nga Budapesti në Athinë – janë në procesin e zbatimit.
Për politikëbërësit e vendeve të CESEE-së arritja e rezultateve të prekshme në një afat të shkurtër është gjithashtu një burim legjitimimi politik dhe një plus për rizgjedhjen e tyre nga elektorati. Ndërsa Kina përmes këtoj kooperimi po forcon pozicionin e saj dhe vizionin për prani në Evropë dhe më tej, jo vetëm në sektorin ekonomik, por edhe në lidhje me idetë dhe paradigmat për zhvillimin dhe bashkëpunimin.
Anastas Vangeli është doktorand pranë Akademisë Polake të Shkencave në Varshavë dhe bursist i programit Claussen-Simon të fondacionit ZEIT-Stiftung Ebelin dhe Gerd Bucerius.