Po merr fund makthi i shkaktuar nga uragani “Sandy” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Jeta në Nju-Jork dalëngadalë po i kthehet normalitetit.
Disa aeroporte, ndërtesa shtetërore, shkolla dhe bursa e Nju-Jorkut u hapën si zakonisht.
Megjithatë shumë banesa nuk furnizohen ende me elektricitet.
“Fatkeqësia natyrore më e madhe”… Këto ishin fjalët, me cilat Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, e cilësoi uraganin “Sandy” gjatë vizitës së tij në Atlantik Siti të Nju-Xhersit, një nga shtetet më të dëmtuara nga stuhia e tërbuar, që mori të paktën 82 jetë njerëzish.
Shteteve të prekura nga uragani Obama u premtoi ndihma.
Kurse në Nju-Jork, shteti ku janë regjistruar edhe dëmet më të mëdha humane dhe materiale, jeta po i kthehet normalitetit.
Pavarësisht se ishte paralizuar krejtësisht, trafiku rrugor në Nju-Jork po normalizohet hap pas hapi. Linjat e autobusëve urbanë rifilluan punën.
Metroja pritet të hapet nesër, ndërsa tuneli nënujor “Holland”, që mundëson lidhjen e Ishullit Manhatan të Nju-Jorkut me Nju-Xhersin, është ende i përmbytur.
Si zakonisht filluan nga puna edhe aeroportet, që për shkak të stuhisë u detyruan të anulojnë mbi 20 mijë fluturime. Aktualisht i mbyllur është vetëm aeroporti “La Guardia”, ndërsa “John F. Kennedy” dhe “Newark Liberty” u hapën dhe fluturimet po realizohen si zakonisht.
Ndërkaq, problematika kryesore në zonën e fatkeqësisë mbetet furnizimi me energji elektrike. Si pasojë e ndërprerjes së elektricitetit në Nju-Jork u zbrazën dy spitale. Mbi 6 milionë banesa në 17 shtete nuk kanë drita.
Uragani “Sandy” humbi fuqinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe iu drejtua Kanadasë. Në qytetin Sarnia të Ontarios një punëtor gjeti vdekjen pasi e zuri korrenti duke riparuar një linjë përcjellëse të energjisë elektrike, që ishte prishur nga erërat e fuqishme.
Në Kanada ky rezulton rasti i dytë me pasojë vdekje për shkak të uraganit “Sandy”.
Pasi goditi Haitin, Ishujt Bahama, Porto-Rikon, Kubën, Republikën Domenikane dhe brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “Sandy” mbërriti deri në Kanada. Kjo stuhi e gradës së parë shkaktoi vdekjen e 69 personave në të gjitha vendet e Karaibeve dhe të paktën 82 të tjerëve në SHBA.
Ekspertët parashikojnë se kostoja e uraganit “Sandy” për agjencitë e sigurimeve do të jetë rreth 15 miliardë dollarë./trt/kohaislame