-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Letër publike Kryetarit tim

Më të lexuarat

Nga viti 1999 deri me tani po behen 13 vite kur Klinës i ka ndodhur diçka e madhe dhe e rëndë, qytetarët e Klinës kanë përjetuar tmerrin me të madh gjatë kësaj historie, që, Ne, Ju dhe qytetarët e gjallë e mbajnë mend.

I nderuar, Kryetar i Klinës, si familjarë të dy qytetarëve të Klinës, të humbur nga Masakra e Kralanit, përmes kësaj letre duam t’ju (ri)kujtojmë’, sjellim disa fakte të historisë tonë më të re, që do të duhej të ishin momente që ju bëjnë të bashkëndjeni dhe bashkëjetoni më Ne, e me anë të këtyre faktave/realiteteve shprehim edhe mllefin e thellë tonë, se si është e mundur që të kalon fundi i Marsit, si është e mundur të kalon data 04 Prill pa zërin dhe veprimin më të vogël Tuaj, Komunës së Klinës, në mënyrë që të kujtohet Eksodi që qytetarët e Klinës kanë përjetuar, që të kujtohen të rënet e Klinës, në Kralan, Pastasel e tjera vende.

– Me 28 Mars 1999 forcat serbe kanë dëbuar të gjithë qytetarët e Klinës në mënyrë të dhunshme nga shtëpitë e tyre, atë ditë të gjithë janë nisur në rrugen pa adresë të saktë, por që na thonin, duhet të shkoni në shtetin e juaj, Shqipëri. Atë ditë mijëra bashkëqytetar ishin në rrugët e Klinës, këmbë apo me automjete, atë ditë fëmijë, gra, burra e pleq mësyn në vajë çdokund dhe askund, atë ditë në rrugë ndalen veprimtarin, Hamit Krasniqi, ndalen dhe maltretuan edhe të tjerë. Atë ditë mijëra bashkëqytetar mësyn rrugën e Gjakovës, duke u ndalur në Kralan dhe Pastasel pas rekomandimeve nga ana e UCK-së.

– Më mijëra qytetar nga Klina e vende të tjera deri me datë 02 prill 1999, deri kur forcat serbe depertuan në fshatin Kralan, ishin të gjithë aty, duke jetuar tmerrin e luftës, duke numëruar thaset e miellit, duke pritur se çfarë do të thot fati për mijëra qytetare të Klinës e me gjërë.

– Data 02 Prill 1999, ndodhi ndarja e shumë burrave dhe të rinjëve nga familjarët tjerë, që vazhduan rrugëtimin këmbë drejtë Shqipërisë, nga ajo ditë shumë fëmijë mbeten pa baba, gratë pa burrat e tyre, prindërit pa fëmijët e tyre, aty mbeten edhe të mitur.

– Në ditët e 03 dhe 04 të muajit Prill, shumë bashkëqytetar tanë e kanë parë vdekjen me sy, tmerrin që forcat serbe iu kanë bërë, nga zhveshja në shi e në të ftohtë, nga gjuajta me armë dhe plagosja, frikësimi me anë të tankeve dhe maltretime të tjera që mbi 400 qytetar përjetuan.

– Data 04 Prill 1999, Klinës i ka marrur bijtë me të mirë, i ka marrur bashkëqytetarët tanë, që sot e kësaj dite mungojnë. Që, Ne dhe shumë bashkëqytetarë i presim, tashmë, me padurim gjetjen e një copë kocke të trupit të tyre (Duhet të pranojmë, janë me fat ata që kanë varrosur bijtë e tyre nga kjo Masaker). Ai fillim pranvere i ka marrur ata qytetar që sot, Ju si i pari i Klinës, e të tjerë para jush, nuk i kujtuan, ndërsa po ta dinin ata burra e të rinjë do t’na mallkonin!?

I nderuar, Kryetar i Klinës (e meqe është publike dua t’ju drejtohem edhe gjithë ish Kryetarëve që paslufte kanë qeverisur me Klinën), sepse është mëkati me i madh, është vepra me e lig, është ofendimi më i rëndë që bëhet qytetarëve të Klinës që kanë përjetuar këtë përiudhë, është mohim i historisë e realitetit, është mos bartje e historisë tek gjeneratat tjera, është pakujdesi e pafalshme, me plotë mendje është shkelje mbi atë që Ju, Kryetar, Ne dhe bashkëqytetarët tanë kemi përjetuar.

Këtë letër e bëjmë publike kaq ditë pasi Klina do të duhej të përkujtonte Tragjedinë që ka përjetuar, mëqe edhe këtë vit, sikur 12 vite me parë, qytetarët përballen me neglizhencen e njerëve kompetentë që do të duhej të bashkëjetojnë dhe bashkëndjenjë në këto ditë përkujtimi të pranverës 1999.

Në fund, i nderuar Kryetar, duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj ndaj kësaj letre/kërkese e besuar në kuptimin me pozitiv të mundshëm, që ta kuptoni këtë ndjenjë që na është krijuar me (mos)veprimet e deri tanishme, propozojmë, që duke përdorur të drejten tuaj për të propozuar Kuvendit (bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale NR. 03/L-040), që data 04 Prill të jetë Dita e Përkujtimit, datë që do të shënonte përkujtimin në mënyrë institucionale të ngjarjeve të ndodhura nga 28 Mars – 04 Prill, 1999.

Me sinqeritet dhe me shpresën për marrjen në konsideratë dhe hapave konkret,

Labinot Krasniqi, vëlla i Martirit të Kombit, Hisni Krasniqi dhe Berat Gashi, djali i Martirit të Kombit, Isa Gashit, që të dy ende te zhdukur nga Masakra e Kralanit./kohaislame/

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit