1.8 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Dy të rinjtë që u dënuan nga deklaratat kërkojnë lirinë në apel

Më të lexuarat

Dy të rinj kosovarë, njëri magjistër i shkencave politike që aspiron doktoraturën dhe tjetri një elektricist i papunë, janë pothuajse si shumica e të rinjve të tjerë në Kosovë që ballafaqohet me shumë probleme e vështirësi por ajo çka ua rëndon edhe më shumë gjendjen është një aktgjykim që rëndon mbi ta, i cili të paktën në raport me këta të dy, nuk mund të cilësohet si më i arsyetuari, të paktën shikuar nga të akuzuarit dhe mbrojtja e tyre.

Shkuarja dhe Largimi i Shpejtë i Politologut Kosovar nga ISIS
Albert Berisha nga Prishtina dhe Enis Begolli nga Mitrovica ishin pjesë e grupit prej 11 personave që nga Prokuroria akuzoheshin se kishin marrë pjesë në grupe terroriste në Siri dhe Irak dhe për këtë akuzë më 29 prill të këtij viti nga Gjykata Themelore në Prishtinë, u gjetën fajtorë dhe u dënuan.

Aktakuza e ngarkonte Albert Berishën se duke pasur për qëllim t’i bashkohej grupit terrorist “Al Nusra” në Siri, më 6 tetor 2013 kishte udhëtuar për në Stamboll ku pastaj nga qyteti turk Antakia kishte kaluar në Siri, afër qytetit Alepo, ku kishte qëndruar deri më 18 tetor dhe ishte kthyer në Kosovë. Nën këto akuza Berishës iu shqiptuan 3 vite e 6 muaj burg.

Edhe Enis Begolli, akuzohej për veprën e njëjtë, por për dallim nga Alberti mori 6 muaj më shumë burg.

Të dy këta të rinj nuk janë pajtuar me aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke ju drejtuar me ankesë Gjykatës së Apelit, me shpresë se instanca e shkallës së dytë të drejtësisë në Kosovë, do të vendos ndryshe nga shkalla e parë.

Megjithatë, Gjykata e Apelit, ende nuk ka caktuar një datë ku do të dëgjohen pretendimet e Berishës dhe Begollit, e gjithashtu nuk japin ndonjë indikacion se kur mund të caktohet.

Pasi që të gjithë të dënuarit e grupit gjenden në liri, Gjykata e Apelit proceduralisht nuk është e lidhur për ndonjë afat ligjor për shqyrtimin e ankesave, por Berisha dhe Begolli duan që akuzat që rëndojnë mbi ta të qartësohen sa më shpejt të jetë e mundur.

‘I shkolluar, ndaj fajtor’

Gjykata në arsyetimin e dënimit për Albert Berishën, përveç se mbështetet në deklaratën e tij, nuk ofron absolutisht asnjë provë tjetër që përmendet në aktgjykim, ndërsa Enis Begolli sipas aktgjykimit ngarkohet vetëm nga deklarata e bashkë të akuzuarit, Skender Syla, i cili ka pranuar fajësinë.

Gjatë seancave të shqyrtimit gjyqësor Albert Berisha kishte thënë në deklaratën e tij se ka shkuar në Siri për t’i ndihmuar popullit sirian. Berisha në dëshminë e tij, e tij kishte thënë se në Siri ka qëndruar vetëm tri ditë, ndërsa vetë kishte kërkuar grupin e shqiptarëve për t’i shmangur barrierat gjuhësore, por pa ditur se ombrellën e cilit grup ishin duke luftuar.

Berisha gjatë qëndrimit në Siri pranoi se ishte takuar me Lavdrim Muhaxherin dhe se personalisht nga ai kishte kërkuar t’i kthehej pasaporta që të kthehej në Kosovë kur kishte parë nga afër se çfarë po ndodhte atje.

Në aktgjykim thuhet se “Gjykata nuk i fali besimin mbrojtjes së Albert Berishës sepse i akuzuari ishte një person me përgatitje të lartë shkollore, njohës i mirë i fesë islame, i papunë në atë kohë, në dijeni për gjendjen në Siri”.

Pra, faktin se Berisha ishte një person i shkolluar, njohës i mirë i disa gjuhëve dhe person që synonte të përfundonte një doktoraturë jashtë vendit, gjykata e përmend në arsyetimin e saj si rrethana që i kontribuojnë përgjegjësisë penale të akuzuarit.

Aktgjykimi më tej konstaton se nuk qëndrojnë pretendimet e Berishës se nuk e ka ditur se nën ombrellën e cilit grup ishin duke vepruar grupet shqiptare, pasi që organizatat “ISIS” dhe “Al Nusra” në muajin tetor 2013 veçse ishin të shpallura terroriste nga OKB-ja.

Pra, Gjykata përmend vetëm përgatitjen e Berishës si fakt që tregon pretendimet e tij se nuk e dinte se në kuadër të cilit grup bëjnë pjesë shqiptarët, nuk qëndrojnë.

Gjykata në aktgjykimin e saj nuk harron të përmendë kohën e shkurtër që Berisha qëndroi në Siri, por ajo nuk merret si rrethanë lehtësuese apo veçanërisht lehtësuese por vetëm se konstaton se kjo nuk e liron nga përgjegjësia penale.

Udhëtimi fatal në Turqi

Ngjashmërisht sikur me Berishën, edhe Begollin gjykata e ngarkoi duke u bazuar në një deklaratë, por për dallim nga Berisha, këtë herë deklarata fajësuese ishte e një të bashkakuzuari.

“Gjykata nuk i fali besimin mbrojtjes së të akuzuarit Enis Begolli e as tezës mbrojtëse të avokatit të tij, Ahmet Gjinovci se kinse i akuzuari Enis kurrë nuk ka qenë në Siri, ngase kjo është në kundërshtim me deklarimin e të akuzuarit Skender Syla dhënë në hetuesi, ku ka deklaruar se Enis Begollin e njeh si xhemat në xhami dhe se herën e dytë kur ka shkuar në Siri nga Prishtina, ka udhëtuar me Enisin deri në Hataj”, thuhet në aktgjykim.

Deklarata e Skender Sylës është prova e vetme e cila përmendet në aktgjykimin me të cilin Enis Begolli u dënua me katër vite burg.

Edhe pse Syla, kishe thënë se ai kishte shkuar në Turqi së bashku me Begollin, ai asnjëherë nuk kishte thënë se ata së bashku kishin shuar në Siri.

Një deklaratë e tillë e Sylës se ai së bashku me Enis Begollin, kishin shkuar deri në qytetin Hataj, i cili ndodhet në Turqi nuk e inkriminon Begollin se ai ka kryer ndonjë vepër penale, pasi që shkuarja në Turqi nuk është vepër penale.

Enis Begolli, nuk e ka mohuar se ka qenë në Turqi, por thotë se ka shkuar për biznes.

Të dënuarit presin pafajësinë

Avokatët e të dy të dënuarve nga shkalla e parë tashmë kanë parashtruar ankesat e tyre, në Gjykatën e Apelit.

Përmbajta e ankesave të tyre është e ndryshme por ajo çka i përbashkon është se të dyja ankesat kundërshtojnë aktgjykimin në të gjitha bazat e mundshme.

Avokatja e Albert Berishës e caktuar sipas detyrës zyrtare, Hedije Ademi si dhe avokati Ahmet Gjinovci i Enis Begollit, e kundërshtojnë aktgjykimin duke pretenduar se ka shkelje esenciale të dispozitave ligjore penale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal por edhe të vendimit mbi sanksionin.

“Nëse i referohemi diapozitivit të aktakuzës për të cilën i mbrojturi im është dënuar, nuk ka përshkrim të fakteve dhe rrethanave që e përbëjnë figurën e veprës penale organizim dhe pjesëmarrja në grupe terroriste, nga neni 143 par 2 i KPRK-së”, thuhet në ankesën e avokates Ademi.

Avokatja gjithashtu pretendon se Albert Berishës i janë shkelur të drejtat e tij kur i është mohuar e drejta për të propozuar dëshmitarë, e po ashtu edhe gjendja faktike nuk është vërtetuar drejtë dhe qartë.

Ademi kërkon nga Kolegji i Apelit që të Berishës pas vlerësimit të shkresave të lëndës ta shpallin të pafajshëm.

Edhe avokati i Begollit, Ahmet Gjinovci, thotë se nga Gjykata e Apelit pret dhënien e pafajësisë për të mbrojturin e tij, teksa thotë se ende janë në pritje të ftesës për seancën e apelit.

Më shumë se vetë avokatët, pafajësinë nga apeli e pret dhe kërkon Albert Berisha. Ai aktakuzën qysh nga fillimi e cilëson si të pabazuar.

“Procesi gjyqësor më shumë i ka ngjarë një inkuizicioni sesa një procesi normal. Aktakuza qysh në fillim ishte e pabazë dhe kundërthënëse dhe si e tillë duhej hedhur. Përpos deklaratave të mija nuk ka pasur as një provë tjetër, asnjë SMS, asnjë fotografi, video, dëshmitarë të mbrojtur, bashkëpunues apo çfarëdo tjetër”, tha Berisha.

Berisha më tej nuk lë pa përmendur edhe aktgjykimin e gjykatës të cilin e vlerëson banal.

“Kinse unë duhej të isha në njohuri se çka po ndodhë në teren në Siri, e që në fakt as sot e kësaj dite askush nuk mund ta dijë saktësisht përpos Zotit se çfarë është duke ndodhur atje”, u shpreh Berisha.

Berisha assesi nuk pajtohet me vlerësimin e gjykatës që e gjeti fajtor, duke thënë se gjykata në asnjë moment nuk pati parasysh të bëmat e tij të vërteta.

“Në rast se dënimi me burg qenka për rehabilitim, atëherë çka i duhet rehabilitimi një njeriu i cili së pari nuk e ka kryer krimin, së dyti ka parandaluar të tjerët, së treti është pranuar në doktoratura jashtë vendit, dhe së fundi ka hapur një institut për deradikalizim”, tha Berisha.

Në fund Berisha nuk lë pa theksuar shpresën e tij në profesionalizimin e Gjykatës së Apelit, për të vlerësuar drejtë rastin e tij dhe për ta liruar nga akuzat.

Begolli, nga ana tjetër, nuk ishte e mundur të kontaktohej në mënyrë të drejtpërdrejtë por vetëm nëpërmjet avokatit.

Dënim me një deklaratë të vetme

Të dy të akuzuarit janë dënuar mbi bazën e një deklarate të vetme në secilin rast, të dikujt tjetër apo mbi deklaratën e dhënë vetë. Por a mund të dënohen ata sipas ligjit në fuqi bazuar vetëm mbi këto fakte?

Paragrafi 5 i nenit 123 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës jep përgjigje për këtë pyetje.

“Deklaratat e dhëna nga i pandehuri në çfarëdo konteksti, nëse janë dhënë në mënyrë vullnetare dhe pa shtrëngim, janë prova të pranueshme gjatë shqyrtimit kryesor kundër të pandehurit, por jo edhe kundër të bashkëpandehurve. Deklaratat e tilla nuk mund të shërbejnë si provë e vetme fajësuese apo vendimtare për dënimin e të pandehurit”.

Në pjesën e arsyetimit të dënimit për Enis Begollin në mënyrë specifike, thuhet se “deklarata e Enis Begollit se kurrë nuk ka qenë në Siri, është në kundërshtim me deklarimin e të akuzuarit Skender Syla dhënë në hetuesi ku ka deklaruar se Emis Begollin e njeh si xhemat në xhami dhe se herën e dytë kur ka shkuar në Siri, nga Prishtina ka udhëtuar me të deri në Hataj të Turqisë”.

Pra, edhe njëherë, deklarata e të akuzuarit Skender Syla është prova që e bën të pabesueshëm, sipas gjykatës, pretendimin e tij se nuk ka qenë në Siri, ndërsa neni i sipërcituar ka një formulim të qartë lidhur me deklaratat e dhëna në procedurën paraprake nga të bashkakuzuarit.

Fjalët e Albert Berishës në një rast dhe fjalët e dhe fjalët e të bashkë akuzuarit, Skender Syla në rastin tjetër ishin ato që Albert Berishës dhe Enis Begollit u dhanë afër 8 vite burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës, e të dy shpresojnë se Gjykata e Apelit do të vendosë ndryshe duke ju dhënë pafajësinë./Kallxo.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit