2.2 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

MacMonarkia e Lindjes së Mesme.

Më të lexuarat

Sapo del nga ndërtesa ku jetoj qysh nga ardhja ime në qytetin e Xhedës në Mbretërinë e Arabisë Saudite disa muaj më parë, në krah të djathtë gjendet një dyqan Pizza Hut e ndërsa në të majtë gjendet një dyqan akulloresh Baskin Robins, pasuar nga një Dunkin’ Doughnuts, më pas një Hardee’s, KFC e Crispy Cream Doughnuts. Përkarshi, në krah të njëra tjetrës gjenden showroom makinash që më sjellin imazhin e disa pjesëve të New Jersey-t, me emra të njohur automobilësh: Ford, Toyota e Kia. Në krye të rrugës, një billboard njofton se MacDonald’s, që gjendet një kthesë më tutje, në krah të supermarketit Carrefour, së fundmi shërben mëngjes.

Është përmendur shpesh se bombardimi i Beogradit nga avionët e NATO-s gjatë luftës së Kosovës përgënjeshtroi aksiomën se nuk ka luftë midis Amerikës dhe një vendi që ka MacDonald’s. Gjithsesi, ikonografia e pop-kulturës kulinare amerikane është e kudogjendur në këtë qytet. Vërtet, ambasada amerikane në Xhedah, në kryqzimin e rrugës së Palestinës dhe rrugës Andalus gjendet e rrethuar me tre palë mure qysh nga sulmi në 2004, por soft-power –i amerikan është i dukshëm përkarshi ambasadës, ku përgjatë gjithë rrugës gjenden Friday’s, Apple Bee’s, Chili’s e një sërë restorantesh të tjera ikonografike amerikane.

Për shumë njerëz jashtë mbretërisë, sauditët përfaqsojnë epitomën e anti-amerikanizmit. Sulmet e 11 Shtatorit apo sulme të tjera si ajo kundra ambasadës në Xhedah shihen si tregues të kësaj armiqsie në Mbretëri. Por nuk duhet harruar se edhe sulmet e 11 Shatorit shiheshin në sytë e drejtuesve të al-Kaidës si stad në luftë kundra mbretërisë saudite dhe regjimeve të tjera në rajon. Armiku i largët po sulmohej që të mund të sulmohej armiku i afërt. Thomas Hegghammer vë në dukje në librin e tij Jihad in Saudi Arabia: Violence and Pan-Islamism since 1979 (2010) se sulmet e al-Kaidës që nisëm në Mbretëri në 2003 sollën, në fakt, fundin e prezencës së al-Kaidës brenda mbretërisë dhe sulmet kundra amerikanëve u shoqëruan dhe me sulme kundra simboleve të mbretërisë, trupave të rendit e bizneseve lokale. Si një shoqëri konservatore, sauditët vlerësojnë stabilitetin social deri në konformizëm dhe radikalizmi politik ka qenë përherë margjinal në shoqërinë saudite. Këto sulme siguruan që al-Kaida nuk do mund të siguronte mbështetje politike në vend.

Ndërkohë, Amerika mbetet destinacioni i preferuar për sauditët e kamur për të shkolluar fëmijët apo si destinacion turistik. Kultura amerikane përpihet në filma e shihet në veshje e në muzikën që dëgjohet nga të rinjtë. Por më tej, Amerika gjendet në themel të këtij vendi që të dielën, 23 Shtator, feston 80 vjet të unifikimit të vendit. Thomas Lippman, në librin e tij, Inside the Mirage: America’s Fragile Partnership with Saudi Arabia (2004) sjell historinë e institucioneve të para të Saudisë, të cilat, duke filluar nga banka e parë, monedha e kartmonedha e parë, kompania e aviacionit civil, televizioni kombëtar, ushtria, administrata shtetrore, shtrimi i rrugëve, ndërtimi i qyteteve – sidomos në lindje të vendit – e në një shkallë të madhe edhe sistemi shkollor, është ndërtuar nga amerikanët. Me largimin e britanikëve nga Gjiri Persik, në fund të Luftës së Dytë Botërore, mbreti Abdulaziz ishtë një prej dy liderve në rajon që kuptoi se Amerika do ishte fuqia e re rajonale. Vendi tjetër do ishte Izraeli.

Lippman vë në dukje se mbreti saudit krijoi herët përshtypjen se mund të punonte me Amerikanët. Ardhja e amerikanëve do ishte më pak arrogante se ajo e fuqive të tjera perëndimore që kishin kaluar më parë në rajon, por gjithsesi qytezat amerikane me pishina e me mënyrën amerikane të të jetuarit do kishin një impakt shokues në beduinët vendas në vitet 20-30 të shekullit të kaluar në zonën naftë-mbajtëse, një tronditje që është sjellë më së miri në romanin Mudun el milh (Qytete të Kripës) të Abdul Rrahman Munif, shkrimtarit disident saudit, vepra e të cilit shpesh krahasohet me Things Fall Apart të Chinua Achebe-s. Teksa zona e Hixhazit në Perëndim të vendit, zona ku gjendet Xhedah, Meka e Medina, kishin njohur më shumë hapje ndaj botës jashtë falë pelegrinëve në qytetet e shenjta, zona lindore kish qenë përherë e izoluar e nuk kish ftuar asnjëherë vëmendjen e njerëzve jashtë rajonit.

Për më tepër, megjithëse qytetet e Mekës dhe Medinës njihen si vendlindja e Islamit, kultura dhe skolastika tradicionale e Islamit u zhvillua relativisht larg, në Kajro, Damask, Fez apo Samarkand. Zbulimi i naftës solli jo vetëm vëmendje e vërshim prurjesh nga jashtë, por edhe tronditjen e institucioneve shoqërore. Në lagjen ku banoj e përreth, nuk kam parë asnjë ndërtesë që të jetë më shumë se njëzet vjet e vjetër. Nga një port i vogël osman gjer në fillim të shekullit të 20të, Xhedah sot ka mbi tre milionë banorë, të urbanizuar dhe të detyruar nga forcat e ekonomisë botërore të sociolizohen në mënyra sa të shpejta po aq dhe të panjohura, të disiplinohen sipas nevojave të një ekonomie që po njihte të ardhura të paimagjinuara dhe sipas modelesh që silleshin nga teknokratët e kompanive amerikane.

Sigurisht ky proces ka patur të pakënaqurit e vet. Ata që kanë jetuar gjatë për një farë kohe në këtë vend, ama, mund të dyshonin mbi gjykimin e Lippman se Amerika ndërhyri në të gjitha fushat e jetës saudite duke përjashtuar fenë. Të njëjtët billboard që reklamojnë Ford-in e fundit, një minutë më vonë tregojnë një peisazh idilik me një gjelbërim që nuk mund të gjendet as në pyjet e amazonës e jo më në Saudi, i ngjashëm me posterat e dëshmitarëve të Jehovait, që njofton se kënaqsia e Zotit gjendet tek kënaqsia e prindërve. Ky mesazh didaktik sillet nga një kompani vajrash makinash. Establishmenti fetar saudit i njohur si vehabizëm, në dallim nga qarqe tradicionalistësh apo dhe pan-islamistësh, nuk kanë prodhuar një retorikë kundra komercializmit perëndimor. Edhe kur qarqe të margjinalizuara radikalësh në mbretëri flasin kundra Mac Donald’s, problemi shihet tek prezenca ekonomike e perëndimit e jo, si me disa tradicionalistë, tek dëmi shpirtëror i kulturës së fast-food – it dhe komercializmit. Kritikët myslimanë të vehabizmit i quajnë shpesh pasuesit e establishmentit fetar saudit si ‘protestantët e Islamit.’ Me këtë ata kanë parasysh zellin ikonoklastik të vehabizmit kundra traditës skolastike islame. Rehatia e konservatorizmit vehabi me komercializmin amerikan, ama, gjithashtu mund të indikonte një lloj simetrie të vehabizmit me protestantizmit amerikan. Në të njëjtën mënyrë që në disa mega-kisha amerikane mund të gjesh Starbucks, përballë xhamisë më të shenjtë të Islamit në Mekë, gjendet fytyra gazmore që shërben si logoja e KFC apo Burger King. Në malls, vendet më të rëndësishme publike në mbretëri, vendi ku gjenden jo vetëm firmat më të njohura të rrobave në Perëndim, por edhe restorante, qendra lodrash për fëmijë, kafene e agjensi turistike, sheh ekranet televizive që urojnë Ramazanin nën logon e Giordano, një dyqani xhinsesh. Ajo që ndoshta do mungojë nga lloji i komercializmit të fesë si në Amerikë, do jetë ekuivalentja e posterit elektoral amerikan: Who would Jesus vote for?

Historianë e analistë të mbretërisë saudite përmendin shpesh se kjo mbretëri u krijua nga martesa politike e familjes së Saudëve me lëvizjen puritane të vehabive. Raporti prej partnerësh ka ndryshuar. Me të ardhurat e naftës, me krijimin e një standarti të mirë jetese për shumicën e popullsisë, dhe me sigurimin e stabilitetit në një rajon të trembur nga kaosi, legjitimiteti që vjen nga feja është i rëndësishëm, por jo më i vetmi burim legjitimiteti.

Pak kohë më parë, falë një mikut tim, u takova me një nga gazetarët më të njohur në vend, një figurë e njohur liberale që po villte vrer ndaj qarqeve konservatore fetare. Më vonë ai filloi të fliste për projektin e tij të ardhshëm mediatik, i cili, me sa tha, mbështetej nga një nga princët e rëndësishëm të familjes mbretërore. Madawi al Rashid, antropologia në King’s College, Londër, vë në dukje se edhe ultra-konservatorët janë nën strehën e princërve të tjerë të familjes mbretërore. Liberalë e konservatorë, së fundmi, axhendat e tyre i kanë të kufizuara dhe të legjitimuara në sallonet e familjes mbretërore. Establishmenti fetar është një shtyllë e rëndësishme e pushtetit saudit, por nuk është më një partner i barabartë në projektin saudit.

Gjithashtu, teksa shumica e sauditëve janë konservatorë në vlerat sociale dhe në një masë të madhe fetarë, vehabizmi nuk ka qenë i sukseshëm në kthimin e modelit të vet etik standart masiv në mbretëri. Policia fetare ka emër të keq jo vetëm në veri të qytetit të Xhedës, zonë me reputacion liberal në tërë vendin ku gjenden edhe rezorte plazhesh e kafene ku pihet nargjile, por ka një emër negativ edhe me njerëz të thjeshtë të cilët janë përkundër fetarë e konservatorë.

Në një mënyrë të habitshme e në vështrim të parë gati absurd, mbretëria saudite është një nga vendet më të amerikanizuara që kam parë dhe në të njëjtën kohë është një nga vendet më pro-amerikane që kam parë në rajonin e Lindjes së Mesme. Në rajon ka një ndërgjegjsim politik në ritje ndërkohë që në një masë të madhe sauditët nuk janë të interesuar të flasin për politikë. Kjo mund të duket si konformizëm i natyrshëm në një vend ku mungojnë liritë politike. Por në fakt, kushdo që kalon kohë me sauditët do shohë se në një masë të madhe nuk janë të interesuar në politikë, gati të painformuar për sa po ndodh në rajon, dhe ka një lojalitet të mirëfilltë për Mbretin Abdullah, i cili flitet të ketë shumë më tepër popullaritet se paraardhësi i tij, Mbreti Fehd.

Kushton më pak se $5 për të mbushur serbatorin e makinës dhe me 20 cent mund të blesh 6 simite. Duke përdorur kondicioner në të gjitha dhomat e shtëpisë, paguan më pak se $30 ne muaj. Cinikë mund të shohin këtu burimin e lojalitetit dhe sigurisht që dimensioni ekonomik është i rëndësishëm, por jo i vetëm. Mbretëria përfaqson dhe është pjesë e unikalitetit saudit që sheh një lloj ekskluziviteti të bekimit hyjnor të privatizuar në mënyrë gati absurde dhe një lloj pakti të sundmitarit dhe të sunduarve që negociojnë hapsirat e tolerimeve sociale nën hijen e prosperitetit ekonomik që siguron nafta. Ikonat llamburitëse të malls, të Armani dhe Gucci e restoranteve italianve në rrugën Tahlia dhe logot kulinare amerikane janë dëshmi e mbrothësisë së sistemit saudit, 80 vjet qysh nga unifikimi i vendit nën familjen e Saudëve.

 

Besnik Sinani

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit