1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Rrëfimi i kasapit: Muhameti m’i sillte vetë vajzat

Më të lexuarat

 

 

Histori që ngjajnë dhe që përsëriten, po jo fatet. Teksa përpiqesh të hetosh më tej si ka mundur ta përdhunojë Ajshe Vatën dhe motrën e saj, monstra 80-vjeçare nga “4 rrugët e Shijakut”, zbulon se ka qenë i ati që i linte vajzat të shkonin në shtëpinë e Shaban Norjes, atëherë kur ai e kishte të shoqen gjallë. 

Për vite me radhë familjet Vata dhe Norja kishin hyrje-dalje. Babai i Ajshe Vatës, Muhameti, që sot i bie kokës me grushte për fatin e zi të të bijave dhe rolin e tij në të gjithë këtë histori, rezulton të kishte dhënë bekimin e tij për vajzat që shkonin në shtëpinë Shaban Norjes. 

Periudha e kësaj marrëdhënieje miqësore përkon me deklaratën e Shabanit për kryerjen e marrëdhënies së parë seksuale të dhunshme me të miturën Ajshe Vata dhe prishjen e miqësisë me Muhamet Vatën. Janë hetimet që kanë zbardhur plotësisht fillimin e historisë, si dhe deklarimet e të njohurve të dy familjeve. Në fund të viteve ‘90, fillim të vitit 2000 Muhamet Vata u vendos në fshatin Vëllazërim të Komunës Xhafzotaj në kërkim të një jete më të mirë. 

Donte të linte pas fshatin e largët Surroj të Kukësit për t’u mundësuar fëmijëve të vet një jetë të re, më shumë mundësi për të tashmen dhe të ardhmen, një vendim që sot kur bën bilancin e këtyre viteve do të kishte dashur t’i kthehej pas, në emër të sigurisë dhe mbrojtjes së jetës e nderit të nëpërkëmbur në vendin ku u vendos dhe nga njeriu të cilit i besoi. Pak vite më parë mësoi se ai i kishte marrë nderin e njërës prej vajzave, që familja e burrit ia ktheu në shtëpi vetëm një ditë pas dasme. Atëherë vendosi të ndërpresë çdo marrëdhënie me Shaban Norjen. U konfliktua keqazi me të, por nuk e denoncoi, pasi thellë brenda vetes Muhamet Vatën e brente ndërgjegjja që kishte kontribuar pa dashje në abuzimin seksual të së bijës duke ia dhënë si në një pjatë të artë të bijën. Asnjëherë nuk do të mendonte që maniaku seksual kishte bërë të njëjtën gjë dhe me vajzën tjetër, Ajshen tek e cila Muhameti kishte varur të gjitha shpresat për t’i dhënë edukim dhe të gjithë mbështetjen e mbrojtjen e tij. Ishte i përkushtuar ndaj saj dhe kujdesej duke e shoqëruar dhe vëzhguar në çdo lëvizje që ajo të mos pësonte të njëjtin fat si e motra nga ndonjë person tjetër abuzues. Por e keqja kishte ndodhur dhe Muhameti e mori vesh vetëm pas kapjes së vrasësit nga policia. Familjarët e Vatës dhe banorë të tjerë të fshatit tregojnë se me të mbërritur në Durrës, Muhameti ngriti një shtëpi-barake aq sa për të futur kokën, si mijëra të ardhur të tjerë në zonat e Durrësit e Tiranës dhe më pas nisi të punojë fort për të ndërtuar një shtëpi të re dhe arritur mirëqenien për familjen e vet. Ai punoi si elektroauto dhe siguroi një emër të mirë si profesionist në zonë dhe të gjithë e njohin. Nisi të rimëkëmbej ekonomikisht aq sa bleu tokën dhe më pas ndërtoi së bashku me të vëllain një vilë të bukur trekatëshe që bie në sy në të gjithë zonën.

Në krye të rrugës që të çon në rrugën ku ndodhet vila dhe servisi i tij, pikërisht aty ku ngre krye tabela që reklamon biznesin e Muhamet Vatës si elektroauto ndodhet ndërtimi-njëdhomësh famëkeq ku plaku Norja qëndronte netëve me Ajshe Vatën, të cilën e detyronte të dilte nga shtëpia, atëherë kur i gjithë fshati shuante dritat dhe mbyllej në terrin e natës. Pikërisht në këtë ambient të lyer me të bardhë nga jashtë e të ndyrë nga brenda u gjetën dhe mjaft prova materiale që çuan në zbardhjen e autorësisë së krimit.

 Reagimet e banorëve

Një ditë pas tronditjes së marrë nga lajmi për identitetin e vrasësit, njerëzit duken më të qetë për të folur dhe për t’i thirrur kujtesës në lidhje me protagonistët e kësaj ngjarjeje të tmerrshme. Ata tregojnë lidhjen mes Muhamet Vatës dhe Shaban Norjes. Befasohesh kur dëgjon nga persona të ndryshëm në fshat se vajzat e Muhametit kur ishin më të vogla shkonin e qëndronin shpesh në shtëpinë e Norjes, madje ndonjëherë dhe flinin atje. Ai i merrte vajzat dhe me motorin me të cilin lëvizte zakonisht dhe i çonte në shtëpinë e vet te “Katër Rrugët e Shijakut” në mënyrë që ato të ndihmonin edhe të shoqen e tij në punët e shtëpisë. 

Kjo afri mes dy familjeve ka vijuar për vite me radhë, deri në momentin kur kthimi në shtëpi i së bijës nga njerëzit e burrit pak orë pas dasmës e ka zgjuar Muhametin, por jo aq sa ta denoncojë Norjen. Është konfliktuar me të për marrjen e virgjërisë së të bijës e cila është detyruar të nxjerrë emrin e plakut, vetëm kur familjarët e saj i kanë kërkuar me insistim kush ishte personi që i mori nderin, shkak që i turpëroi pasi ua ktheu vajzën në shtëpi. 

Ashtu si me Ajshen dhe vajza tjetër ishte abuzuar seksualisht nga Shabani, atëherë kur vetë babai i lejonte të shkonin në shtëpinë e monstrës duke pasur besim të plotë tek ai dhe mosha e tij. Po plaku maniak e ka shpërdoruar keqazi besimin, ndërsa po hetohet nëse në dijeni për këto akte të turpshme ishte dhe i biri, i cili të dielën është deklaruar nga policia si person që ka bashkëpunuar për të mundësuar kontrollin e vendeve ku i ati fshihte sendet e tij.

 
Tërhiqet koka, familjarët në dyshim për ceremoninë

Koka e Ajshe Vatës është tërhequr nga morgu i spitalit nga gjyshi i saj. E vendosur në një arkivol të vogël, pjesa tjetër e trupit ka udhëtuar për t’u kthyer sërish në shtëpinë e saj, ndërsa mësohet se familjarët kanë vendosur ta varrosin pranë trupit, por nuk dihet ende nëse do të ketë ceremoni të tjera familjare përkujtimore për 18-vjeçaren.

Ndërkohë, raporti mjeko-ligjor ka dëshmuar se vrasja e viktimës ka ardhur si pasojë e të shtënës me armë zjarri. Në çastin që asaj i është prerë koka, ka qenë pa jetë dhe nuk e ka përjetuar këtë akt makabër, që sipas Norjes, ia kishte sugjeruar vetë atij për të vështirësuar identitetin e saj. Plumbi, sipas burime nga grupi hetimor, kishte dalje në syrin e majtë. Në trup vajzës iu gjetën veshje që i kishte dhuruar Shaban Norja, i cili ka deklaruar se pas dhunimit të parë seksual, vajza e vazhdoi me vullnetin e saj raportin me të, gjë që vazhdon të vihet në dyshim nga grupi hetimor i çështjes. Hetimi po tenton të zbardhë rolin e personave të tjerë, përfshirë dhe djalin e Shabanit, Nard Norjen, i cili mësohet se disa muaj më parë është kthyer në vend. Ai jeton bashkë me familjen në Itali.

Bëmat e 80-vjeçarit, mblidhen dëshmitë

Gra të tjera në fshat, mbi të dyzetat, duket sikur kërkojnë t’i dalin në mbrojtje të moshuarit. Thonë se Shabani ishte një burrë shumë i mirë dhe i gjindshëm. Ata nuk e kanë njohur kurrë për burrë të keq. E ndërsa i pyet nëse i ka dalë zëri në fshat për ngacmimin e grave, pranojnë se ishte ca qejfli. “Po kush burrë nuk është kur gjen…” shton një tjetër dhe largohet me shpejtësi kur pyetet nëse di ndonjë gjë konkrete. Muret e shtëpisë së tij në Katër rrugët e Shijakut dhe të njëdhomëshit prej betoni ndërtuar buzë rrugës, fare pranë postbllokut hekurudhor dhe shtëpisë së viktimës dinë shumë për historitë e tij, po muret nuk kanë gojë. Njerëzit po, prandaj vijojnë të mblidhen dëshmi mbi bëmat e 80-vjeçarit, po duke qenë të kujdesshëm të mospërbalten të tjera gra e vajza të dhunuara prej tij. Dyshimet në shumë familje të zonës gjithsesi janë ngritur.

Gazeta “Shqip”

 

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit