5.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Ai moment, kur pas shpine lihet çdo gjë, për t’u fituar çdo gjë…

Më të lexuarat

Është e veçantë ndjesia e pritjes së namazit në Qaben e Madhnueshme… Hapësirat pa fund, ndërtimet pa pushim dhe zgjerimet e shumta që i janë bërë Haremit Sherifë, i japin atij dimensione të jashtëzakonshme, që marrin kuptim, sidomos kur turma pa fund njerëzish nga vise të largëta, kombësi, popuj e raca, vijnë grupe-grupe drejt tij, për t’u bashkuar në adhurime e lutje; individuale dhe të përbashkëta…

Njerëzit vërshojnë nga çdo drejtim. Autobuzë të panumërt lëvizin drejt Qabes së Madhnueshme, duke bartur me vete grupet e ndryshme nga mbarë bota, që vijnë aty, vrapojnë të zënë një vend e, me përulje e mall, presin momentin kur muezini do të lartësojë drejt hapësirave mekase, ezanin e shumëpritur…

Dhe ja, nuk vonon dhe Meka mbulohet me begatitë e thirrjes së ezanit më të dëshiruar të globit… Të gjithë mbajnë frymën. Dikush edhe përlotet. Dikush tjetër është në tavaf dhe shijon hyrjen e kohës së namazit, teksa po adhuron Zotin e botëve me rrotullimet plot dhikër e lutje përreth Shtëpisë së Lashtë… Ka edhe prej atyre që e presin ezanin në lutje për veten, familjen, të afërmit, njerëzimin, paqtimin me Zotin… Dikush tjetër, me një gotë uji zemzem në dorë, teksa mërmërit ca fjalë të pathëna, e shijon momentin duke bashkuar ujin e bekuar me ezanin e lartësuar të një namazi në më të mirin vend… Dikush… Dikush…

Është e veçantë ndjesia e pritjes së namazit në Qaben e Madhnueshme… Me përfundimin e ezanit, të gjithë janë gati… Mendo, një pafundësi prej miliona muslimanësh nga mbarë bota, që lëvizin me një thirrje të vetme të paqtë, duke dëshmuar së bashku dëshminë më madhe të historisë së ekzistencës: “All-llahu ekber”! Mendo, sa i fortë është ky moment, kur pas shpine lihet çdo gjë, për t’u fituar çdo gjë me mbarësinë dhe bekimet e Zotit të botëve…

Është e veçantë ndjesia e pritjes së namazit në Qaben e Madhnueshme… Ai moment, kur pas shpine lihet çdo gjë, për t’u fituar çdo gjë… All-llahu ekber..!

Imam Muhamed B. Sytari
Mekë, më 4 shtator 2016

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit