Jahja HONDOZI
Pas Beer Fest-it, të organizuar kohë më parë në Prishtinë dhe skenarit tmerrues në atë mbrëmje, ku pati edhe të shtëna me armë, së shpejti edhe vendi historik i rrushit do të organizojë edicionin XV-të Har(dh)am Fest-it.
Vetëm dhjetë metra larg një xhamie në Rahovec qëndron e varur reklama mbi dy metra e gjatë e festës së vjeljes së rrushit që fillon më 2 shtator.
I madh e i vogël po bëhen gati për të marrë pjesë në këtë ‘event madhështor’. Reklamat, shpalljet, promot, videot, obelisku e çka jo tjetër, prej kohësh janë plasuar në të gjitha mjetet e informimit. E menduar shumë mirë si ‘festa e vjeljes së rrushit’, do të ishte vërtet ngjarje dhe festë e mrekullueshme, sikur të përqendrohej tek rrushi, simbol i Rahovecit.
Por, për fat të keq, në vend të rrushit, që shërben si hedhje pluhur syve, promovohen ‘vlera të tjera të çmuara’.
Mund t’i quajnë dhe le t’i quajnë ato me turlifarë emra, por ato duhen emërtuar sipas emrave që i kanë. Harami është haram. Jo i vogël dhe i madh. Çka t’i thuhet videos ku promovohet haptas vera, ku ajo servohet me të madhe në konakun e përgatitur enkas për këtë ‘event’ dhe një Zot e di çfarë zihet në ato tenda të ngritura për tri ditë radhazi.
Për t’i vënë shminkë haramit, po vijnë nga skaji i dunjasë ‘artistë dhe këngëtarë të merituar’. Sophie Castriota, stër-stër-stër-stër-stër e nja dhjetë stëra të tjera –mbesa e të madhit Gjergj, që e paçim për shumë mote. E famshmja Sophie, që e bën më së miri shqiponjën me dorë, do të performojë në violinë për xhematin e këputur e të dërrmuar i cili me rrushin për nder të të cilit zhvillohet gjithë kjo hallakamë, nuk mund të ngihet bukë. Tre kilogramë rrush duhet t’i japë bujku në këmbim të një buke. E për mundin e tij cakërrohet gota. Hallall!
Pastaj, ekskluzivisht për har(dh)am fest vjen Loud n’Proud nga vendi me numër më të madh vetëvrasjesh i të rinjve për shkak të krizës së boshllëkut shpirtëror, të cilin mundohen ta mbushin me dëfrim e argëtim, raki e vallëzim, prostitucion e shfrenim për të përfunduar si Curt Cobain me depresion e zhgënjim.
A, po! Se desh harrova për pak. Atmosferë energjike dhe të paharruar do t’u dhurojnë të rinjve tanë edhe disa Dj me renome ndërkombëtare me muzikë çjerrëse për t’ua shpuar timpanin e veshit. Hajr bëfshin edhe ata!
Për keqardhje! Festa e bujqve të cilët nga rrushi e sigurojnë bukën e gojës shndërrohet në hallakamë, çirrje me muzikë shurdhuese, shfrenim, denigrim, amoralitet. N’fund t’pusit. Ma keq s’ka veç lodhesh. Zot runa!
E tërë kjo në emër të promovimit të vlerave, artit, kulturës e trashëgimisë. Dhe për kokërr t’qefit. E për kokërr t’qefit, me ato dhjetëra mijëra euro, do të bëhej një çerdhe për fëmijë e cila mungon qe sa kohë në Rahovec. Për kokërr t’qefit, do të mund të ndihmoheshin ata që nuk kanë bukë e veshmbathje, jetimë e persona me aftësi të kufizuara. Për kokërr t’qefit, do të bëheshin kokrra t’qefit! Bojkot Har(dh)amFest-it me këtë makijazh.
P.S. E di shumë mirë se ata që kanë bë nijet me shku në festë të vjeljes së rrushit (lexo: pjekjes së rrushit), do të shkojnë gjithsesi për t’i shijuar çastet e këndshme në ambientin e ngrohtë të konakut. Me këto fjalë që i publikova, unë jam rahat shpirtërisht që nesër para Zotit do të mund të them që të keqes i thashë me plot gojën: Stop! me shpresë se do të jem në nivelin e dytë të atyre që kur përhapet e keqja, e ndalojnë me gojë.