Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, mund të jetë rast unikat në botë, jo vetëm për mënyrën e zgjedhjes së saj, por edhe për nivelin e saj të komunikimit me publikun.
Ajo, që nga zgjedhja e saj, vazhdon të jap deklarata, shpeshherë të pakuptimta, me gabime të shumta gjuhësore dhe logjike.”
Jahjaga gjatë një interviste dhënë për televizionin ABC News të Shqipërisë, gazetares Sonila Meço, fillimisht i uron mirëseardhje në “lokalet e presidencës”.
“Është kënaqësi të ju kem këtu në Kosovë, por veçanërisht në lokalet e zyrës së presidentit të Kosovës të Republikës së Kosovës dhe të jap intervistë për të gjithë shikuesit e Abc News, dhe për të gjithë shqiptarët e Shqipërisë”, thotë Jahjaga.
E pyetur për mandatin e EULEX-it dhe mbikëqyrjen, presidentja thotë se “Kosova mirëmban komunikimin dhe bashkëpunimin me EULEX-in”.
“Është një pjesë, të themi e sigurisë së institucioneve të Kosovës që ka mandatin për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë. Ne si institucione dhe si qytetarë po mundohemi gjithçka që është e mundur, që të plotësojmë të gjitha ato kushte dhe ato standarde, deri në ato momente që nuk do të kemi nevojë për një prezencë ndërkombëtare në Kosovë. Mirëpo, gjithsesi duke i mirëmbajtur nivelin e komunikimit dhe bashkëpunimit të gjitha ato institucione që janë të domosdoshme, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka theksuar presidentja.
Ndërkohë e pyetur se kur përfundon mandati i saj, ajo mundohet të jap një përgjigje të këtillë.
“Marrëveshja ka paraparë afatin e shpalljes së zgjedhjeve presidenciale nga ana e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe pas përfundimit të gjitha reformave kushtetuese, pas përfundimit të reformave ligjore, presidenti i vendit do të zgjidhet me votën e drejtpërdrejt të popullit dhe pas përfundimit të këtij procesi, presidenti aktual i bënë dorëzimin e detyrës së presidentit, të porsazgjedhur. Pra, është një pranim-dorëzim i detyrës. Ashtu është e paraparë edhe në marrëveshje, ashtu është e paraparë edhe në Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, ka thënë ajo.
E pyetur përse është shoqëruar në New York nga bashkëshorti i saj, me të cilin nuk kishte kurorë, Jahjaga ka thënë se mediat bëjnë “afera edhe aty ku nuk ka vend”.
“Nganjëherë media janë të pa disponuara, të themi që të bëjnë afera edhe aty ku nuk ka vend dhe aty ku nuk mund të ketë vend”, ka theksuar ajo.
E njëjta, disa ditë më parë, në konferencën për Samitin Ndërkombëtar të Gruas, e pyetur rreth deklarimeve të zyrtarëve serb në raport më Kosovën, ajo ato quan si “nacionalistike” dhe jo si deklarata, ta zëmë nacionaliste.
“Deklaratat që i referoheni politikanëve me qëndrime nacionalistike të shtetit fqinj të Serbisë, nuk është hera e parë që dëgjohen”, ka thënë presidentja Jahjaga.
Presidentja e vendit, po ashtu, gjatë një konference për media, nga fundi i leximit të fletës së parë, lexon edhe udhëzimet e fjalimshkruesit, i cili, në fund të secilës faqe, i ka shkruar “vazhdon..”, për t’i bërë më dije presidentes se ka ende fjalim, por jo për ta lexuar si pjesë integrale të fjalimit.
Po dje, gjatë një fjalimi që mbajti në manifestimin “Ecja për shërim”, bëri një përshëndetje interesante.
“Sot së bashku me mu, tani në fillim, po edhe më vonë, kemi disa gra shumë të fuqishme që janë prezent në Kosovë. Dua t’i përmend me emër. E kemi zonjën Mellan Wenvill, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Kosovës në Kosovë, Trejsi Jakobson”, ka thënë Jahjaga