1.1 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Krimi i organizuar dhe korrupsioni, kanceri i Kosovës

Më të lexuarat

Prezenca e korrupsionit, krimit të organizuar, keq funksionimi i drejtësisë, mungesa e llogaridhënies dhe ndëshkimit, janë disa nga faktorët, të cilët e kanë degraduar e shtrirë përtokë tërë sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, ka thënë se drejtësia është një temë jotransparente, e cila, sipas tij, asnjëherë nuk është debatuar seriozisht në Kuvend dhe të gjithë i kanë ikur këtij diskutimi.

Në këtë drejtim, Burjani ka nënvizuar se presidenti i vendit mund t’i prijë debatit për drejtësinë në Kuvend, pasi ai është edhe përgjegjës për funksionimin e rendit kushtetues, derisa ka edhe kompetenca të mjaftueshme për ta ndalë konfliktin e interesit në drejtësi, bazuar në kapitullin e pestë të Kushtetutës.

“Presidenti duket se nuk është i interesuar për të bërë këto ndryshime. Ky president është pa staf mbështetës profesional, derisa kam përshtypjen se është pensionuar dhe po merret me shëtitje, pastaj lobim, duke e thënë aty-këtu ndonjë fjali në ‘Facebook’ dhe organizon ceremoni që janë të tejkaluara për këtë lloj presidenti. Ai ka nxitur ndryshimin e Kodit Penal, por se di unë se çka do të ndryshojë dhe nuk e ka të qartë”, është shprehur Burjani.

Kurse, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, se krimi i organizuar dhe korrupsioni janë kanceri i Kosovës dhe me një drejtësi të dobët, çfarë ka ekzistuar në Kosovë, nuk kanë mundur të luftoheshin dukuritë negative në fjalë.

“Kjo u shërben më shumë qarqeve politike në pushtet, në mënyrë që të mund të përfitojnë nga të gjitha abuzimet, të cilat janë duke i bërë. Së këndejmi shpresa është që të ndryshohet qeverisja e vendit, në mënyrë që nga kreu të fillojë të funksionojë shteti dhe të mos ketë ndërhyrje politike në drejtësi”, ka theksuar Isufi.

E, analisti politik dhe juridik, Mazllum Baraliu, ka specifikuar se problemi i shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Kosovë është që nga zanafilla, pra nga administrimi i UNMIK-ut e deri më tani asnjë përpjekje e strukturave vendore dhe qeverisjeve, por në fund edhe EULEX-i bashkë me qeverisjet e një- pasnjëshme, nuk kanë qenë të angazhuara dhe të përkushtuara sa duhet e as të suksesshme në vënien e një sistemi të drejtë, të pavarur e funksional të drejtësisë.

“Gabimet në këtë aspekt në radhë të parë janë tonat, për arsye se në rrugëtim e sipër kanë pasur ndikim të huajt dhe animim nga strukturat e brendshme, gjithmonë pa e njohur mirë sistemin, por as rrethanat dhe specifikat. Andaj, ka përplot faktorë, të cilët kanë ndikuar, e këtu përfshihen edhe kërkesat e opozitës, të cilat herë pas here kanë qenë jo sa duhet të zëshme dhe pa ndonjë efekt. Strukturat oligarkike, të cilësdo qeverie, që nga fillimi apo bashkëqeverisje kanë qenë mbase shumë të interesuara që të mos ketë sa duhet avancim dhe as përparim në zbatimin e ligjit dhe në funksionalizimin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi”, ka thënë Baraliu, shkruan Kosova Sot.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit