0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Politika e re e jashtme egjiptiane

Më të lexuarat

Për herë të parë që prej ardhjes në detyrë presidenti egjiptian Mursi viziton SHBA-të. Ndryshe nga paraardhësi i tij, atij në politikën e jashtme i duhet të marrë parasysh edhe vullnetin e popullit.
Për dekada me radhë, diktatorët e Egjiptit ishin partnerë negociues të dobishëm për Perëndimin. Në vendimet e tyre të politikës së jashtme atyre nuk u duhej pothaujse fare të kishin parasysh vullnetin e popullit. Një pjesë e madhe e politikës së jashtme të presidentit të rrëzuar nga pushteti në vitin 2011, Hosni Mubarak kishte për qëllim pasurimin e një grupi të vogël të aleatëve.

Populli nuk ka përfituar nga kjo pothuajse asgjë, thotë Osama Nour El-Din, drejtues i departamentit për kërkime shkencore pranë Partisë për Liri dhe Drejtësi së Vëllazërisë Myslimane. “Nën Mubarakun ne kemi ndjekur verbërisht SHBA-të. Por tani gjendja ka ndryshuar”, thotë El-Din. Tani politika e jashtme egjiptiane duhet t’i shërbejë të dyja palëve. “Ne duam që egjiptianët të ndiejnë efektet e politikës së jashtme egjiptiane.”
Shumica i sheh me sy kritikë SHBA-të
Kjo kthesë sjellë me vete ndryshime të rëndësishme në raportet e ardhshme të Egjiptit me SHBA, Izraelin dhe Evropën. Një shije paraprake ishin demonstratat e fundit para ambasadës amerikane në Kajro. Edhe pse shkas ishte me të vërtetë një video anti-islame, protestat do të gjenin më pak mbështetës nëse egjiptianët do të kishin disponim më pozitiv ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas një sondazhi të kryer së fundi nga Instituti prestigjioz Pew, 79 për qind e egjiptianëve nuk e duan SHBA-në – për shkak të vdekjeve të panumërta në Irak dhe Afganistan, për shkak të mbështetjes së pakushtëzuar të Izraelit, për shkak të bashkëpunimit të ngushtë me Mubarakun, dhe gjithashtu për shkak të Guantanamos.

Ndryshe nga Mubaraku, Mursi nuk mund t’i injorojë thjesht këto opinione, sepse ai duhet të fitojë zgjedhjet. Por megjithë disponimin anti-amerikan në vend: Mursi duhet të kryejë një veprim balancues. Kjo për faktin se gjendja katastrofike financiare dhe ekonomike në vend nuk i lejon atij që t’i zemërojë tepër Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që nga protestat, marrëdhëniet midis dy vendeve janë ftohur ndieshëm. Kështu presidenti Obama nuk e cilësoi më Egjiptin si aleat, por i klasifikoi marrëdhëniet mes dy vendeve vetëm si “neutrale”.
Konfigurime të reja në Lindjen e Mesme
Gjithashtu edhe Izraelit i duhet të përshtatet me politikën e re të Egjiptit. Pothuajse të gjithë politikanët e lartë egjiptian theksojnë se Traktati i Paqes do do të vazhdojë të respektohet. Por ai gjithashtu do të duhet t’i nënshtrohet një ndryshimi. Sidomos kur bëhet fjalë për kufizimin e numrit të trupave në Sinai. Atje ndodhin sulme të rregullta, të cilat ndryshe nuk mund të parandalohen. Prandaj numri i trupave është ngritur atje qysh në muaji gusht edhe pse kjo bie ndesh me marrëveshjen. Megjithatë marrëveshja në formën e tanishme e dëmton më shumë Izraelin se Egjiptin, “për shkak se ajo e ka lënë pothuajse tërë Sinain pa mbrojtje”, thotë Osama Nour El-Din. “Ai është një vendstrehim për grupet terroriste. Ata mund të bëjnë atje çfarë të duan.”

Ndryshime duhet të priten edhe kur bëhet fjalë për palestinezët. Politika e deritanishme e ngulimeve hebreje apo bllokada ndaj Gazës është vështirë e kuptueshme për popullsinë egjiptiane.
Një tjetër vend ndaj të cilit ndryshon politika e re e jashtme e pavarur e Egjiptit është Irani. Për një kohë të gjatë SHBA e ka izoluar Iranin për shkak të programit të tij bërthamor dhe të presioneve izraelite. Ndërkaq Mursi vizitën e tij të parë jashtë shtetit e zhvilloi pikërisht në Teheran. Ai sigurisht që kritikoi atje mbështetjen e Iranit ndaj regjimit sirian, por u përpoq të njëjtën kohë që të bind Iranin që të punojë për të gjetur një zgjidhje për luftën civile siriane. Në SHBA, ky veprim u pa me skepticizëm./dw

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit