Shkruan: Prof. Jeton SHASIVARI
Ngjarjet rreth puçit të një hunte ushtarake të 15 korrikut 2016 në Republikën e Turqisë më së miri e ilustrojnë një thënie të vjetër të historianit antik Plutarkut për popullin, ku thotë se: “Lum për atë popull që frikësohet për sunduesin e tij, e jo nga sunduesi i tij”.
Mjaftoi vetëm një porosi e Erdoganit drejtuar popullit për të mbrojtur Turqinë, Republikën dhe demokracinë, dhe populli i sotëm i Turqisë për herë të parë gjatë historisë së Republikës së Turqisë me flamuj shteti, ezane dhe tekbire, pozitë dhe opozitë, të gjitha bashkësitë fetare në vend, me kombësi turke, kurde, shqiptare, boshnjake, armene, etj., vërshuan rrugët dhe sheshet dhe, hodhën përtoke puçin ushtarak.
Gjatë historisë së Republikës së Turqisë ka pasur pesë puçe ushtarake, të gjitha të suksesshme: në vitin 1960 realizohet puçi ushtarak kundër qeverisë së kryeministrit Adnan Menderes, me çrast mbi 3500 oficerë ushtarakë dëbohen nga puna, mbi 500 gjyqtarë dhe prokurorë dëbohen nga puna dhe mbi 1500 profesorë universitarë poashtu dëbohen nga puna, ndërsa shefi i ushtrisë turke, kryetari i shtetit dhe kryeministri Menderes arrestohen, dhe në v. 1961 në një gjykim ushtarak kryeministri Menderes dënohet me vdekje. Në v. 1971 realizohet puçi i a.sh.q. i “Letrës” së gjeneralëve dërguar kryeministrit Sulejman Demirel, që përfundoi pa forcë me dorëheqjen e Demirelit. Në v. 1980 ushtria për së treti herë doli në rrugë dhe i morri pushtetin qeverisë turke, me çrast udhëheqësi i puçit gjenerali Kenan Evren bëhet kryetar i Republikës për shtatë vite, ndërsa për këto ngjarje dënohet me burgim të përjetshëm në v. 2014 duke iu marrë edhe të gjitha gradat ushtarake. Në vitin 1993 poashtu kishte puç ushtarak ku në rrethana të dyshimta vdes kryetari Turgut Ozal. Në vitin 1997 realizohet puçi i pestë ndaj kryeministrit Nexhmetin Erbakan.
Mirëpo, falë popullit të sotëm të Turqisë, puçi i huntës ushtarake i 15 korrikut 2016 është puçi i parë i pasuksesshëm në historinë e Republikës së Turqisë.
Populli i sotëm i Turqisë me këtë vepër madhore tregoi se kjo Turqi nuk është ajo Turqi, dhe hapi një faqe të re të historisë së Turqisë, ku drejtësia mposhti padrejtësinë.